Gani ELEZI/ Intervista e Presidentit Nishani dhe një urim për shokët e mi ish ushtarakë

717
Sigal

Në një intervistë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, date 26.12.2013, presidenti shqiptar Bujar Nishani, njëkohësisht dhe Komandant i Përgjithshëm i F.A, pyetjes: “Ishte ushtri serioze ajo që komunizmi ngriti?” iu përgjigj: “Absolutisht. Në fakt njerëzit që shkonin dhe studionin ishin njerëzit që e merrnin me seriozitetin më të madh, sepse niseshin nga parimi për t`i shërbyer vendit”. Shpjegoi gjithashtu se, paska përgatitur një temë diplome “Batalioni artmitralier në mbrojtje për të përballuar sulmin e forcave greke, italiane dhe amerikane”, në rajonin e Dardhës, Korçë. Nuk di se ç’donin italianët në këtë rajon, ata parashikoheshin të sulmonin nga deti!! Dhe asgjë tjetër. Kaq dhe nuk guxoi të fliste për kapacitetet, për përgatitjen dhe aftësitë e saj luftarake, asgjë për aftësitë e trupës së kuadrove të shtabeve e komandave ushtarake… Konsideron qesharake atë punë qe ne e kemi bërë me seriozitetin më të madh e me shumë sakrifica, edhe me jetë ushtarësh e kuadrosh!! Në fakt, ushtria e komunizmit, nuk ekziston më as si realitet historik, as si përvojë ushtarake. Tashmë ajo ka vdekur dhe mund t`i këndohet vetëm “Post Mortum-I”… Në të gjitha festimet e ditës së Ushtrisë, 4 dhjetori, asgjë nuk flitet për ushtrinë e periudhës 1945-1990, madje nuk flitet as për Ushtrinë Nacional çlirimtare. Kisha menduar se në përvjetorin e 100-të si jubile i veçantë, do përmendej… Por dhe në këtë përvjetor, në fjalën e ministres së mbrojtjes, Mimi Kodheli, u përmend data 4 dhjetor 1912, si ditë e formimit të Ushtrisë Shqiptare, u fol për arritjet e periudhës 23 vjeçare, pas vitit 1990-të, për anëtarësimin në NATO, për pjesëmarrjen në operacionet ushtarake në Bosnje-Hercegovinë, në Afganistan, në Irak e në vende të tjera, dhe asgjë më shumë. Asgjë për formacionet ushtarake të periudhave të ndryshme historike të vendit tonë, që përbëjnë gurët ‘’kilometrike’’ të rrugës 101 vjeçare të ushtrisë sonë. Asgjë pçr ushtrinë e kohës së Zogut! Mohimi i vlerave të së kaluarës ka arsye ideologjike, politike, elektorale por kryesore është se te ne është shfaqur “socializmofobia” fenomen që shoqërohet nga “kapitalizmofilia”, tamam si është shfaqur “albanofobia” e shoqëruar, si thotë Arben Xhaferri, me “italofili”, “grekofili”, “sllavofili”, “turkofili”, unë po shtoj edhe me “globalizmofili”, “fili”, etj… Në gjithë këtë klimë fobie për të kaluarën, nuk ka se si të mos ketë fobi edhe për ushtrinë.

Gjithsesi mohimi i vlerave dhe përvojave të ushtrisë sonë ekziston vetëm në mendjet e politikanëve e qeveritarëve të lartë, të terrenit e të ushtrisë, jo në kujtesën e masës së gjerë të qytetarëve, të cilët nuk lënë rast pa kujtuar dhe vlerësuar punën dhe kontributin e kuadrove ushtarakë të atyre viteve. Ne e ndjejmë këtë vlerësim çdo ditë,qoftë edhe në takime të rastësishme. Askush nuk mund t`a mohojë kontributin tonë në radhët e Ushtrisë Popullore, nuk e mbulon dot atë as harresa e qëllimshme apo e paqëllimshme e politikanëve dhe qeveritarëve tanë.