Robert Përmeti: Ministria e Kulturës zbaton ligjet e diktaturës 

105

“Galeria Kombëtare e Arteve nuk ka pasur kurrë të drejtën që të organizonte konkurse kombëtare në pikturë e skulpturë. Galeria Kombëtare vinte në dispozicion veç sallat për ekspozim. Galeria Kombëtare nuk ka pasur kurrë akt marrëveshje për bashkëpunim, me krijuesit pjesmarrës. Konkurset i organizonin institucionet kryesore sikurse ishte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsim Kulturës, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Bujqësisë etj, por asnjëherë GKA.”

Sigal

Mbas viti 1992, Shqipëria nënshkroi marrëveshjet dhe traktatet europiane, për të drejtën e autorit. E ne krijuesit e të gjitha fushave, u gëzuam për këtë risi të mohuar nga ish diktatura.

Por aktualisht ky ishte një gëzim i parakohshëm, sepse ligjet e diktaturës, akoma janë në zbatim nga Ministria e Kulturës edhe pse nga njohja e të drejtave të autorëve, po bëhen mbi 30 vjet që u nënshkruan. Mbas viteve 90, pronarëve ju kthyen pronat e sekuestruara, ndërsa qëndrimi ndaj veprave të artit, mbeti po ai, por me një emër tjetër, –nga të çensuruara, u kthyen në të sekuestruara. Kalvari i historisë, konkretisht i referohet sekuestrimit të një vepre arti në pikturë. Tabloja kompozicionale, me diçiturë “Këtej kaloi Brigada e Parë Sulmuese” u ekspozua në konkursin e vitit 1981, vit kur ish komandanti i kësaj Brigate partizane Mehmet Shehu, vrau vehten apo e vranë. Kjo tablo që i kushtohet partizanëve të brigatës së parë, nuk ka asnjë lidhje me figurën e Mehmetit. Ekspozitën e këtij konkursi, pak dite më pas do ta vizitonte Enver Hoxha. E komisionet organizuese të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, të Ministrisë të Mbrojtjes, të Ministrisë Arsimit dhe Kulturës, të Kryeministrisë etj, për arsyen se mos mërzitej “shoku Enver”për vrasjen e Mehmetit, vendosën që tabloja të hiqet nga ekspozimi nga sallat e Galerise Kombëtare dhe të futet në fond të rezervuar, që do të thoshte me gjuhën e atëhershme, tabloja futet në çensurë dhe perfundonte nëpër magazina apo zhdukej pa adresë.

Tabloja u çmontua, u mbështoll rul dhe për shumë vite nuk kishte adresë. Mbas viteve 90 e më saktë rreth viteve 2010 munda t’ia gjej adresën tablosë, që mbahej në depot e GKA, pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri. Edhe pse në këto vite mendohej se kishte hyrë në fuqi ligji i të drejtave të pronësisë dhe krijimtarisë së autorit, tabloja nuk m’u rikthye, por përsëri qëndronte dhe qëndron e çensuruar. Në diktaturë, tablotë e çensuruara nuk paguheshin. Në diktaturë, autori i tablove te çensuruara ishte përherë i rrezikuar për t’u ndëshkuar dhe as që bëhej fjalë për pagesa edhe pse totalisht të gjitha shpenzimet materiale dhe krijuese, ishin investim personal. Shteti nuk falte edhe për rastet kur materialet e pikturës apo skulpturës, jepeshin me kredi nga shteti. ´Krijuesi mbetej debitor deri në shlyerjen e qindarkës së fundit, ndaj shtetit. Por kalvari i persekutimit artistik vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite, njësoj si në vitet e diktaturës.

“Kalvari i historisë, konkretisht i referohet sekuestrimit të një vepre arti në pikturë. Tabloja kompozicionale, me diçiturë “Këtej kaloi Brigada e Parë Sulmuese” u ekspozua në konkursin e vitit 1981, vit kur ish komandanti i kësaj Brigate partizane Mehmet Shehu, vrau vehten apo e vranë. Kjo tablo që i kushtohet partizanëve të brigatës së parë, nuk ka asnjë lidhje me figurën e Mehmetit”

Tabloja mbetet e çensuruar, ose e burgosur e mbështjellë rulon nëpër depot e GKA. E shteti, nëpërmjet titullarëve të tij, më thotë se ma njohin të drejtën e autorit, por jo të pronësisë, sepse pronar tashmë është shteti nëpërmjet GKA. Ndërkohë kur kam denoncuar te ministria e Kulturës, një sërë veprash ku jam autor, e të vjedhura gjatë kohës së tranzicionit, Ministria e Kulturës shpall vehten pronare të tablosë time. Pra shteti, nëpërmjet disa ligjeve, në kundërshtim me ligjet kushtetuese për të drejtën e pronësisë dhe autorësisë, sekuestron një tablo, për të cilën nuk ka investuar asgjë. Thjesht do ta sekuestrojë dhe e sekuestron, sepse ndodhej nëpër depot e GKA. Te kapur pas një fakti që kjo tablo u vlerësua nga komisioni i organizimit të konkursit, si një ndër tablotë e përzgjedhura, që më pas t’i atashohej fondit të GKA, ministria në fjalë, justifikon sekuestrimin. Ky komision përcakton se sa mund të shitet apo blihet kjo tablo, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave të ligjëruar në Gazetën Zyrtare të kohës, sepse sipas këtyre ligjeve, çmimet i vendosnin komisionet e jo autori pronar. Galeria Kombëtare e Arteve nuk ka pasur kurrë të drejtën që të organizonte konkurse kombëtare në pikturë e skulpturë. Galeria Kombëtare vinte në dispozicion veç sallat për ekspozim.

Galeria Kombëtare nuk ka pasur kurrë akt marrëveshje për bashkëpunim, me krijuesit pjesmarrës. Konkurset i organizonin institucionet kryesore sikurse ishte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsim Kulturës, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Bujqësisë etj, por asnjëherë GKA. Ky qëndrim absurd i Ministrisë së Kulturës cënon edhe shumë autorë të tjerë, që punimet ju çensuroheshin dhe nuk i paguanin. Punimet nuk u ekspozoheshin, por shpesh nuk ju ktheheshin autorëve etj. Edhe sot ka shumë autorë, të cilët janë përballur me të njëjtin problem të konfiskimit brutal, nëpërmjet nëpërkëmbjes së pronësisë që përkon me të drejtën e autorit. Ka punime të autorëve të dënuar nga çensurimi i krijimtarisë e që shteti nuk jua ka kthyer punimet, sepse ata nuk janë paguar, por thjesht kanë mbyllur gojën nëpër qelitë ku vuanin dënimet. Padrejtësisht, pa u konsultuar me palët apo grupet e interesit kjo ministri, nxjer ligje dhe nën ligje, për të përligjur një akt që së pari bie ndesh me kushtetutën dhe së dyti bie ndesh me të drejtën e krijimtarisë dhe pronësisë së autorit.

Me ligje absurde, që cënojnë direkt krijimtarinë dhe krijuesit, kjo ministri, në vend që të marrë përsipër investime për të mbrojtur dhe ndihmuar krijuesit, kthehet në një shtojcë banale e bishtave të ligjeve të diktaturës. Qëndrimi absurd ndaj kësaj tabloje, të krijon idenë qesharake, sikur Mehmet Shehun e vrava unë, e ministria në fjalë po merr hak duke e sekuestruar tablonë, që akoma mbahet në errësirën e depove të GKA. Ndërkohë që gjithë krijuesit e të gjitha fushave të artit dramatik, muzikor figurativ etj, presin të kenë mbështetje nga Ministria e Kulturës, sot ndeshen me absurdin, që po kjo ministri cënon direkt edhe haptazi interesat e artistëve krijues.

Tashmë të konsumuara të gjitha hallkat që ne respektojmë shtetin, përballemi me një ministre aktuale, që ka zgjedhur të heshturën, duke u mbyllur brënda mureve të ministrisë së fildishtë.

Ministria e Kulturës Francës, mbas shumë e shumë vitesh, i riktheu veprat e piktorit të mirënjohur Gustav Klimt familjes së tij e ndërkohë i kërkoi falje publikut ndërkombëtar, i kërkoi falje publike pronares legjitime të veprave të piktorit Gustav Klimt.

Nga shëmbuj të tillë, Ministria dhe ministrja e kulturës nuk ka kurrfarë ndjeshmërie, nuk nxjerr asnjë lloj konkluzioni, sepse, zor se mund t’i ketë ndjek probleme të tilla europiane, sepse në fund të fundit ajo as do t’ia dijë për standarte të tilla emancipimi, në respekt të krijimtarisë artistike, që vitet i kthejnë në vlerë kombëtare.