Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Ndërhyrjet e gabuara ndaj bujqësisë janë shkaktarë të varfërisë dhe shpopullimit

213
Sigal

-Korrupsioni, mediokriteti dhe nepotizmi në administratën e institucioneve të bujqësisë ka sjellë mashtrimin dhe dështimin e reformave, standarteve dhe ligjeve.

Bujqësia duhet të jetë  për të mirën e Shqipërisë, dhe jo vetëm për klanin e parties.

-Komunikimi dhe bashkëpunimi midis drejtuesve mediokër e të korruptuar të strukturave të bujqësisë nga njëra anë, dhe specialistëve të bujqësisë dhe blegtorisë, nuk ka ekzistuar.

Para vitit 1990, bujqësia shqiptare siguronte rreth 35% të GDP, por edhe sot jep rreth 19% të GDP.

Për nga pesha e bujqësisë në strukturën e të ardhurave kombëtare, Shqipëria renditet në vendin e 36-të të botës.

Në Shqipëri, bujqësia ka peshë të madhe, ndërsa pasi vendet e tjera bujqësia zë 2-9% të GDP.

Kosova arriti në një milion euro të paguara për qumështin e prodhuar e të dorëzuar me faturë nga fermat e vogla, tek ne asgjë.

Në këtë mënyrë, edhe VKM 125, datë 01/03/2023, fatkeqësisht nuk do të sjellë risi pozitive për bujqësinë.

Skema që po implementohet për vitin 2023, parashikon 27 milion euro, ose 36% më pak se subvencionet e vitit të kaluar, 2022.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

 

Bujqësia shqiptare është në krizë të thellë. Në Roskovec të Fierit fermerët po i braktisin tokat. Në shumë prej serave këtë dimër nuk kishte të mbjella. Nafta, fidanët dhe pesticidet janë në çmime që nuk i përballojnë dot. Shumë kanë ikur në emigrim pasi kostot e larta, mungesa e tregut për prodhimet dhe braktisja nga shteti i çuan drejt falimentit. Nga ana tjetër, ndërsa fermeri shqiptar është i zhytur në borxhe dhe i braktisur nga shteti në një treg të pabarabartë, fermeri në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut përfiton çdo vit subvencione konkrete dhe lehtësira të tjera. Në Shqipëri, bujqësia ka peshë të madhe, pasi në vendet e tjera bujqësia zë 2-9% të GDP. Përqindja e lartë e bujqësisë në të ardhurat kombëtare nuk është dhe nuk duhet të konsiderohet si një tregues i mirë i zhvillimit tonë ekonomik e shoqëror. Përkundrazi është një tregues që tregon se sa keq e me sa korrupsion, kaos dhe injorancë janë trajtuar sektorët e tjerë të ekonomisë së këtyre 32 vjetëve, sikurse janë industria e naftës, ajo e gazit, e mineraleve (të kromit, hekurit, nikelit, bakrit, e florinit e deri tek uraniumi), e energjisë hidrike, e telekomunikacionit, e turizmit, e pyjeve e strukturave portuale e aeroportuale, e deri edhe industritë e përpunimit të frutave, të perimeve, të prodhimeve blegtorale, etj, të cilat nuk u ndërtuan kurrë sikurse e deshi koha dhe interesi kombëtar. Këto janë problemet që do diskutojmë me Prof Susaj në këtë intervistë….

-Flitet për krizën në bujqësi Për mëse 10 vjet së bashku kemi zhvilluar dhjetëra intervista për këtë degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, por kriza thellohet më tej. Aktualisht si është situata në bujqësinë shqiptare?

 

Së pari duhet të theksoj se bujqësia duhet të jetë për të mirën e Shqipërisë, dhe jo vetëm për klanin e partisë

Kam mbi 36 vjet (1986-2023), që flas, shkruaj dhe debatoj për bujqësinë. Ajo që kam parë e kuptuar çdo ditë të këtyre 32 viteve është fakti që, komunikimi dhe bashkëpunimi midis drejtuesve mediokër e të korruptuar të strukturave të bujqësisë nga njëra anë, dhe specialistëve të meritës së bujqësisë dhe blegtorisë nga ana tjetër, nuk ka ekzistuar dhe akoma nuke po ekziston.

Kjo sjellje anormale e politikës dhe institucioneve me bujqësinë dhe prodhimin bujqësor, ka pasoja fatale për punësimin, konsumin, mirëqënien edhe për strukturën demografike të vendit.

Kjo për faktin se para vitit 1990, bujqësia shqiptare siguronte rreth 35% të GDP, por edhe sot jep rreth 19% të GDP. Për nga pesha e bujqësisë në strukturën e të ardhurave kombëtare, Shqipëria renditet në vendin e 36-të të botës. Në Shqipëri, bujqësia ka peshë të madhe, pasi në vendet e tjera bujqësia zë 2-9% të GDP. Përqindja e lartë e bujqësisë në të ardhurat kombëtare nuk është dhe nuk duhet të konsiderohet si një tregues i mirë i zhvillimit tonë ekonomik e shoqëror. Përkundrazi është një tregues që tregon se sa keq e me sa korrupsion, kaos dhe injorancë janë trajtuar sektorët e tjerë të ekonomisë së këtyre 32 vjetëve, sikurse janë industria e naftës, ajo e gazit, e mineraleve (të kromit, hekurit, nikelit, bakrit, e florinit e deri tek uraniumi), e energjisë hidrike, e telekomunikacionit, e turizmit, e pyjeve e strukturave portuale e aeroportuale, e deri edhe industritë e përpunimit të frutave, të perimeve, të prodhimeve blegtorale, etj, të cilat nuk u ndërtuan kurrë sikurse e deshi koha dhe interesi kombëtar.

Ama, nuk duhet të harrojmë që pesha e bujqësisë në prodhimin e brendshëm dhe në punësimin dhe qëndrueshmërinë e strukturave demografike e prodhuese të Shqipërisë, është një tregues që ulërin e që thërret që bujqësia dhe blegtoria shqiptare, të trajtohen e të menaxhohen në mënyrë shkencore, europiane e gjithmonë në shërbim të interesit tonë kombëtarë. Korrupsioni, mediokriteti dhe nepotizmi në administratën e institucioneve të bujqësisë, është shtrati mbi të cilin zhvillohet e gjithë loja degraduese e hipokrite e fiktivitetit dhe abuzivizmit, është shtrati ku lind dhe lartësohet demagogjia, mashtrimi dhe dështimi i reformave, standarteve dhe ligjeve.

Kemi folur aq shumë për bujqësinë, por që fatkeqësisht nuk u dëgjuam as këtë herë për mënyrën e gabuar të hartimit të skemës së subvencionimit të bujqësisë me pikatore, në masën mbi 6-7 herë më pak se sa e subvencionon Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, e mbi 18 herë më pak se subvencionet e bujqësisë në vendet e BE.

Kemi folur dhe diskutuar edhe për mënyrën se si në skemat e implementuara të subvencionimit të bujqësisë shqiptare, përveç vlerës së ulët (rreth 45 euro/ha), vetëm 3-4 euro (rreth 8%) shkojnë tek fermeri, ndërsa 92% e pagesave humbasin në zinxhirin e hallkave ndërmjetëse, hallka sfilitëse, burokratike, përjashtuese e abuziviste. Të mos harrojmë faktin që, edhe nëse e gjithë vlera e subvencionit prej 27 milion euro do të jepej vetëm për tokën dhe kulturat e arave, përsëri sasia e subvencionit do të ishte vetëm 65 euro/ha. Kjo ndodh në një kohë kur vendet e rajonit dhe të Europës e kanë reduktuar burokracinë, duke mënjanuar hallkat ndërmjetëse dhe korrupsionin, e për këtë arsye fermeri dhe blegtori i rajonit dhe vendeve të tjera të Europës, arrin të marrë 75-80 % të parave të adresuara të subvencioneve, ndërsa humbjet nga burokracia janë 20-25, rreth 3 herë më të ulëta se sa në Shqipëri.

Kjo është arsyeja pse produktet tona dalin në treg me kosto e me çmim shumë më të lartë, e pa aftësi konkuruese. Përkundrejt faktit që prodhimet e mirësubvencionuara të fqinjëve mbushin tregjet tona, duke rrënuar fermerët e duke nxitur një valë të re shpopullimi e braktisje të fermave bujqësore. Shqipëria nuk po ndërmerr masa mbrojtëse për fermerin dhe prodhimin vendas.

Reduktimi i prodhimit të bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare, nuk buron nga pozicioni gjeografik, e as nga kushtet tona njerëzore, tokësore e klimatike, por nga korrupsioni dhe padija e thellë në drejtim të menaxhimit ligjor dhe tekniko-shkencor të strukturave prodhuese dhe të standarteve tregëtare dhe teknologjike të fushave të prodhimit bujqësor e blegtoral.

Përse përsëri u zgjodh një mënyrë apo skemë e gabuar e subvencionimit të bujqësisë?!

Kjo zgjedhje ka ardhë për shumë arsye…! Kjo duket edhe në faktin apo njoftimin e sotëm, sipas të cilit, Kosova arriti në një milion euro të paguara për qumështin e prodhuar e të dorëzuar me faturë nga fermat e vogla të saj, pasi Kosova  nuk ka vendosur kufizime e as përjashtime idiote, sikurse është vepruar në Shqipëri.

E kjo ngjarje bëri që njëri nga kolegët e mi të më dërgonte me sms me një fjali, ku më thoshte “E duam Shqipërinë si Kosova”, e kjo më shtyu që të shkruaja e të flisja përseri.

Sikurse dihet, përsëri midis skemës së drejtë dhe të gabuar të subvencionimit të bujqësisë, mendoj se është zgjedhur skema e gabuar. E për këtë, në vend që të dëgjonin e bënin korrigjimin e duhur, me bën përshtypje e më shqetëson mendjemadhësia, kapardisja dhe mungesa totale e ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë që këta zyrtarë e drejues duhet të kishin ndaj dëmeve që kanë shkaktuar e që po shkaktojnë përmes këtyre ligjeve dhe skemave përjashtuese, gjysmake, e të hartuara nga lart e pa ekspertizën menaxhuese e profesionale të bujqësisë.

Në këtë mënyrë, edhe VKM 125, datë 01/03/2023, fatkeqësisht nuk do të sjellë risi positive për bujqësinë.

-Por çfarë do të sjellë?

Përkundrazi do t’i kontribojë reduktimit të punësimit, të prodhimit dhe numërit të fermave bujqësore, pasi e konsideroj skemë përjashtuese, të pamjaftueshme e me pasoja në drejtim të një vale të re emigrimi e braktisje të bujqësisë.

Filozofia na mëson që zgjidhjet, ligjet dhe drejtimi nga lart e pa ekspertizën nga poshtë, prodhojnë dhimbje dhe individë të papërgjegjshëm. Sikurse edhe heshtja (nga fermerët dhe specialistët), sipas Dostojevskit prodhon dhe rrit përbindësha. Në këtë kontekst, po sjell në vëmendje edhe një poezi të At Gjergj Fishtës, ku shkruan se: “Pse po lodhesh për fis të shqiptarve/ Si me la kryet gomareve/ Ne hatllat truve ke kaptina/ Ka i drrase mangut t’gjith e kina/ Po nuk ban hajr kurr Shqipnia/ Nëse padija e krenija/ Po shkojn njit si trupi e hija.

Uroj që nga fermerët dhe specialistët e bujqësisë shqiptare, të kuptohet nevoja e madhe për të folur e për të reaguar ndaj së keqes, që buron nga korrupsioni, kapardisja dhe padija, që sikurse thoshte At Gjergj Fisha “padija dhe krenija (menjëmadhësia), shkojnë njit si trupi e hija”.

Më konkretisht, mendojmë se është zgjedhur skema dhe rruga e gabuar, sepse në vend që të subvencionohej për njësi të prodhimit (psh, për litra e qumësht të prodhuar, apo për kilogramët e frutave, perimeve, mishit, djathit, etj) të dorëzuara në magazinën, në frigoriferin apo në punishten e përpunimit, e nga ku fermeri me fletën e hyrjes së mallit në dorë, të shkojë e të marrin lekët në bankë, edhe këtë vit u zgjodh mënyra e gabuar e subvencionimit për njësi të sipërfaqes, apo për numërin e krerëve, të koshereve të bletëve, etj.

Rajoni dhe vendet e tjera po subvencionojnë për njësi të prodhimit të dorëzuar, sepse përmes kësaj skeme saktësohet origjina e produktit me faturë, nga ku rritet siguria ushqimore, formalizohet ekonomia dhe prodhimi, si dhe zhduken të gjitha ato shushunjat e korrupsionit e hajdutërisë, apo hallkat ndërmjetëse, sikurse i quan propaganda moniste.

Përkundrejt kësaj rruge të drejtë, është zgjedhur rruga me shumë letra, burokraci dhe shushunja korrupsioni të instaluara midis lekut të subvencionit dhe fermerit, që duket që po thithin gjakun e ekonomisë së varfër shqiptare, duke shkaktuar rënie të prodhimit, varfëri dhe shpopullim.

  • Po implementohet një skemë përjashtuese për fermat e zonës kodrinore e malore çfarë do të sjellë kjo skemë? A do jetë efektive?

Skema që po implementohet për vitin 2023, parashikon 27 miljonë euro, ose 36% më pak se subvencionet e vitit të kaluar, 2022. Sikur të mos mjaftonte kjo ulje drastike e subvencioneve, skema ka gafa të mëdha në drejtim të mungesës së subvencionimit të drithërave, e ku Shqipëria importon mbi 250000 ton grurë/vit (rreth 50% e nevojave për bukë).

Në këtë skemë nuk ka subvencione për ullirin, agrumet, gështenjën, as bimët medicionale, etj, që të gjitha të hequra padrejtësisht nga skema.

Kështu që në vënd që të prodhohej zhvillim dhe punësim brenda vendit, kjo skemë duket që është përjashtuese e që do të bëjë të kundërtën, duke nxitur edhe më shumë braktisjen e pemtoreve, të ullishteve, të agrumeve, të vreshtave, të bimëve medicionale, si dhe rënien e mëtejshme të prodhimit, të tregjeve, të standarteve dhe të mirëqënies së zonave rurale. Në këtë mënyrë do të rritet edhe më shumë numri i fermave të falimentuara dhe emigrimi i rinisë.

Kufizimet duken edhe në pragun që është vendosur për subvencionimin e blegtorisë. Nuk mund të vihet pragu i subvencionimit të bletëve për ato familje, që nuk mbajnë dot 50-100 koshere, por që mund të mbajnë 20-30 të tilla. Si të mos mjaftonte kufizimi absurd, edhe për bletën është përdorur një masë dekurajuese subvencionimi me vetëm 8-9 euro/koshere, kur Kosova e subvencionon bletarinë me 20 euro/koshere (bletë).

-Po nëse flasim për blegtorinë si është situata?

 

E njëjta situatë është krijuar edhe në blegtori, me lopët dhe të imtat (dhentë dhe dhitë), ku janë vendosur kritere përjashtuese, të cilat e masakrojnë blegtorinë dhe prodhimin blegtoral të një vendi që ka mbi 75% të territorit me pyje dhe kullota, e ku duhej subvencionuar pa përjashtime.

Në skemën që po implementohet, e ku deri më tani (06.04.2023), janë bërë mbi 50500 aplikime, është vendosur kufiri sipas të cilit subvencionohen ata që kanë mbi 10 krerë lopë, edhe pse dihet fakti që mbi 90% e fermerëve dhe familjeve të zonës kodrinore e malore, nuk mbajnë dot më shumë se 2-4 lopë, e që nuk përfitojnë asgjë nga kjo skemë. Pa llogaritur edhe masën e ulët të subvencionimit, që në Shqipëri është 10 euro/krerë, përkundrejt Kosovës që jep 25 euro/krerë, e këtu ka të drejtë kolegu im që thotë “e duam Shqipërinë si Kosova”, pasi Kosova inkurajon prodhimin dhe mirëqënien, sepse ka një qeveri dhe qeverisje më të përgjegjëshme.

Masë tjetër përjashtuese është edhe ajo e rritjes së kufirit të sipërfaqes së fermës nga 0,4 në 1 ha, nga ku automatikisht e padrejtësisht janë përjashtuar nga çdo mundësi aplikimi dhe subvencionimi mbi 160000 ferma të vogla, që kanë më pak se një hektar tokë, e që janë fermat e zonës kodrinore e malore, zonë që duhet të kishte përparësi dhe kujdes të veçantë. Kosova nuk ka të tilla kufizime, madje Kosova po subvencionon edhe rreth 75% të primit të sigurimit të mbjelljeve dhe prodhimit nga fatkeqësitë natyrore, etj.

Sikurse dihet nga të gjithë, bujqësia është proces pune e prodhimi zinxhirë, dhe si e tillë nuk mund të fragmentohet, sepse bie e nuk funksionon më. Institucionet e shtetit shqiptar duhet të mendojnë e të punojnë për skema e ligje, që nuk përjashtojnë askënd, asnjë zonë e asnjë grup fermerësh. Na duhen skema të provuara nga vendet e rajonit dhe Europës, e që na bashkojnë me tregjet rajonale e botërore, e në dobi të pjesës më të madhe të fermerëve të Shqipërisë.

Kjo sepse Shqipëria ka një përvojë të hidhur e të gjatë me rrugët e pa shkelura (të pa provuara) nga të tjerët. Është koha që të bëhemi më të kujdesshëm me hartimin dhe implementimin e skemave, që impaktojnë sigurinë ushqimore, formalizimin e ekonomisë, demografinë dhe mbi të gjitha punësimin dhe mirëqëniën e popullsisë së zonave rurale.