Zhani Ciko: Profesor, Ramadan Sokoli, profesori gjerman, Schtockman dhe kënga labe

483
Sigal

Zhani Ciko – Mjeshtër i Madh


Është një nismë shumë e mirë e Shoqatës Labëria për të vlerësuar dhe mbrojtur trashëgiminë shpirtërore të krijuar nga ky popull nëpër shekuj. E themi me krenari, se kjo trashëgimi është shumë e pasur dhe vendimtare në shoqërimin e kombit tonë gjatë historisë së tij, së bashku me gjuhën si dy kështjella të pamposhtura. Dihet se Kënga polifonike shqiptare, si strukturë muzikore mund të themi, se është shprehje e komunikimit kolektiv, përfaqëson konstitucionin shpirtëror të një bashkësie të caktuar, formuar historikisht nëpër shekuj, e pavarësisht kësaj, ka 33 vjet që nuk është trajtuar nga institucionet shkencore. Studiuesit shqiptarë të periudhës moniste, kanë theksuar lidhjet e vjetra gjenetike të polifonisë popullore shqiptare me autoktoninë e popullit tonë në trojet e sotme dhe hershmërinë e kësaj tradite tek populli ynë. Ndër ta prof. Ramadan Sokoli qysh në Lice, na njoftonte se profesori gjerman, Schtockman, i befasuar nga mrekullia e këngëve shumëzëshe të jugut, do ta shtrijë studimin krahas organografisë edhe në atë të polifonisë popullore shqiptare. Madje më kujtohet që ai, e formuloi si “e kënduara shumzëshe popullore, që ngjet me polifoninë e muzikës së kultivuar. Për prof. Sokolin, ky element kulturor përfaqësonte identitet, i cili na dallon nga kultura globale. Kënga polifonike shqiptare ka një marrëdhënie intonative: marrës, kthyes, hedhës dhe iso. Isua nuk është identitet, por një blegërimë e gjatë. Ison mund ta marrësh gjithandej, por këngën polifonike nuk e merr dot hua. Mrekullia tek muzika polifonike shqiptare është kombinimi i zërave. Solistët unifikohen me ansamblin, duke e plotësuar bukur këtë unifikim. Vitet kaluan, siç dihet u studjua gjërësisht ky fenomen i veçantë i artit muzikor popullor nga disa kolegë dhe madje dëgjimi i këtij arti u shndërua në kuriozitetin më tërheqës dhe për ne që nuk e kishim gjuhën muzikore të nënës.

Praktika e gjallë e krijimit dhe koncertimi frekuent në mjediset më frymëzuese natyrore dhe shoqërore, kanë stimuluar edhe mendimin teorik e studimor institucional dhe përveç tij atë të vetë bartësve të këtij thesari në tryeza, simpoziume e konferenca në Muzeun Historik, Sallat Universitare, apo veprimtari Ballkanike. Por përkundër studiuesve shqiptare, do të dilte një degëzim që e çvleftësonte punën e tyre studimore. Lajmi se UNESCO, në kuadrin e programit të inventarizimit të vlerave unike të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore do regjistronte dhe shumëzëshin tonë në regjistrat e saj, entusiazmoi mjediset tona jo vetëm akademike, por dhe ato popullore. Këtu ndodhi tjetërsimi që i shoi gëzimin bartësve artistë dhe ngjalli një konflikt krejt të panevojshëm dhe shumë acarues, që vijon pa ndalë, e madje i rritur në nivele të konfliktit për mbrojtjen e kauzës për autorësinë dhe identitetin e krijimit gjenial të popullit. Pas tjetërsimit të emërtimit me rastin e regjistrimit, gjë e çuditshme dhe e mistershme, u konstatua se ky emërtim kishte ndryshuar pa argumentime të posaçme, apo si rezultat i kryerjes së kërkimeve përmes sdudimeve të semiotikës ose semantikës që shtronin kërkesën e ndërrimeve konceptuale. Kapërcimi i njërit nga elementët strukturorë të këngës shumëzërëshe nga rendi i fundit në atë të kreut është i pa motivuar, sepse nëse dy ose tre zërat e përparë kanë funksion kryesor, ku dallon marësi që përçon figurën artistike kryesore, më pas ai që krijon linjën e kthyesit në plan mbështetës të të parit e mbase dhe hedhësi si një linjë kryesisht ornamentale, mbështetësit e pedalit a burdonit, me të ashtu quajturën ‘iso’ që shqipthënë është mbushja e korit, s’është gjë tjetër, veçse në funksionin e ruajtjes së tonit bazë e ngritjes vertikalisht të strukturës bashkëtingëlluese të intonuar pastër. Kaq e vërtetë sa, me të kaluar në vargëzimin e dytë të këngës, me ngritjen diçka sa çerek toni të isos, lëviz po kaq e gjithë struktura. Ky proces gjithësesi mbetet mekanik dhe ndonse ndikon në emocionalitetin e interpretimit në kor, nuk është kaq evident sa zërat e parë, ata që bartin figurën artistike të krijimit. Ky funksion nuk është as ndonjë gjetje e veçantë, mbasi në të kënduarin polifonik antik në vendet e ulta ku polifonia u sofistikua me zëra mbi 10 e lart, po ky burdon mekanik preciz, mbante strukturën në këmbë. Atëhere pse ky mbivlerësim i elementit komplementar?!

A është ky element tipik i yni?

Jo, pa argumentim. Madje as në kulturën muzikore bizantine ky element nuk ka asnjë funksion tjetër. Elementi i quajtur në trajtën iso, nuk ka të bëjë me përcaktueshmëri të veçantë, prandaj s’mund të jetë dominues as në terminologji, veçse në rendin që i takon. Po aq e gabuar është edhe prejardhja e këngës polifonike të Labërisë nga kori kishtar bizantin. Kënga bashkëtingëlluese me mbështetje dallon për modalitetin pesë tingëllor, ose pentatonik. Krejt tjetër janë modet autentike dhe plagale të kulturës eklesiaste bizantine. Kultura korale bizantine ka një origjinalitet të spikatur. Përmes ekzistencës në dy mileniume histori ajo është konsoliduar në një sistem muzikor të posatshëm, shkrimin e vet tepër të sofistikuar të lidhura ngushtë këto arritje dhe shumë cilësi të tjera me liturgjinë nga e cila buron dhe mjedisit ku zhvillohet. Është pjesë e Artit bizantin shumë llojesh, një arti që zhvillohet përmes institucionesh shkollore për institucione kishtare ku performohet si pjesë organike e tyre. Arti ynë muzikor etnik e popullor ka një hapësirë aspak të ngjajshme. Ai ka buruar në zonat malore, madje në majat e tyre, në jetën e hapur baritore. Ka mjedis natyror ku jeta është sa individuale, kaq dhe në grumbullime të rastësishme, jetë që nuk ka datë, por matet me lashtësinë e gjuhës së atyre që janë krijuesit e kësaj kënge bashkëtingëllore me mbështeje. Nuk mund t’i vendosësh datë, sepse as gjuhës s’ia dijmë. E vërteton këtë dhe fakti që në këtë të kënduar, imitimi i natyrës ndeshet në ornamentikën e saj, si tek gurgullimat e zërit të brendshëm si gurgullime proi dhe vibrimi i zërit si pikëzime bore a shiu etj, etj. Edhe lidhjet me mitologjinë janë fantazmagorike, sado që vështirë të bindesh se miti mund të shërbejë si element studimor, aq më shumë në sferën muzikore ku s’gjen dot të gjallë asnjë tingull, as sa një copë qeramike. Ku ta barazosh këngën tonë me melodinë magjepsëse të një Sirene! Në cilin muze apo laborator e dëgjojmë kampionin?! Kurajoz dhe imagjinativisht i zhvilluar është parashtrimi, se Kënga magjepse e Sirenave, që konsiderohet si këngë solistike, mund të krahasohet me një këngë burrërore labe?! Të kënduarit tonë shumzërësh lidhet ngushtë me individualitetet që e performojnë, me shtrirjet e tyre vokale, timbrikën dhe dinamikën e zërit. Me shumë emocion u zhvillua Festivali i Polifonisë në Vlorë, në vitin që kaloi, ai konfirmoi edhe një herë, se kultura shpirtërore e Labërisë është e pavdekshme, buron nga shpirti i Labërve.