– Turizmi elitar në Shqipëri është i prekshëm vetëm tek 2-3% e popullsisë.
-Përpjekjet e operatorëve për turizmin elitar kanë dështuar
-Ndryshimi i çmimeve që pas pandehmisë është jashtëzakonisht shqetësues duke pasur një spirale të pakuptimtë ngritje çmimesh.
-Jugu i Shqipërisë nga Vlora disi e më poshtë është bërë i frikshëm. Jo vetëm që shqiptarët e pasur e mendojnë dy herë, por për shtresën e zakonshme
-Fshatrat e jugut 8 muaj janë bosh përfshi edhe Sarandën, Himarën dhe Vlorën, kjo sjell pretendimin se korriku dhe gushti do mbushi arkat e vitit të tyre.
-Turizmi nuk është plazh, turizmi nuk është rrugë, turizmi është para së gjithash kulturë dhe menaxhim, është traditë dhe jo mikpritje
-Janë të pakët ata që pretendojnë të kalojnë një javë apo dhjetë ditë në plazhet shqiptare pasi është bërë mollë e ndaluar.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
“Turizëm elitar do të thotë që emra shumë të njohur, apo persona shumë të pasur, të shkojnë në një vend që ka një emër dhe është një brand”.
Disa nga format më të përhapura të turizmit në Shqipëri janë turizmi bregdetar, kulturor, historik, shëndetësor dhe dentar, speleologjik, i gjuetisë, malor, i aventurës (ngjitjet e lira në mal, lundrimi në kanione ose lumenj), fluturimi në natyrë. (paragliding, deltaplan, etj.), kulinar, agroturizmi, etj. Forma të ndryshme të turizmit që mund të zhvillohen janë ekoturizmi, turizmi industrial, turizmi artizan, turizmi rural, turizmi nautik (zhytje nënujore), turizmi fetar, etj. Ende sot, për operatorët turistik egziston dilema mes turizmit elitar dhe atij masiv. Interesi turistik që ka marrë Shqipëria vitet e fundit ka sjellë edhe një herë në vëmendje dilemën se cilin model duhet të ndjekim. A duhet të jemi të orientuar drejt turizmit masiv, që zbatohet me sukses prej vitesh në Durrës, modelit të vilave rezidenciale, që po “kafshojnë” bregdetin në Jug, apo rishikimit të politikave për të shkuar drejt turizmit luksoz elitar, për të cilin flitet shpesh. Fatmirësisht, Shqipëria ka vijë bregdetare dhe bukuri natyrore të panumërta më në brendësi të saj, që ofrojnë mundësi për të gjitha. Për të arritur këtë potencial, në fokus duhet të jenë ndërhyrjet në infrastrukturë, cilësia dhe shërbimet që garantojnë turizëm të qëndrueshëm. Ky është modeli që mund t’i rezistojë kohës dhe të sjellë përfitime reale për ekonominë, pasi është një model që e vendos vetë tregu.
– Dhe pse vendi ynë ka mundësi për shumë fusha të turizmit po këmbëngul vetëm tek turizmi bregdetar tre mujor. Madje vitet e fundit tentohet te turizmi elitar duke lënë mënjanë turizmin popullor. Pse?
Turizmi shqiptar po njeh një rritje vitet e fundit. Turizmi shpesh përkufizohet si një udhëtim me qëllim çlodhjen, për të kaluar kohën e lirë apo për qëllime biznesi. Turizmi përfshin veprimtaritë e personave që udhëtojnë, apo qëndrojnë në vende të ndryshme. Turizmi është një fenonem i përbërë dhe i lidhur me veprimtari të kënaqësisë. Ai përfaqëson përdorimin në mënyrë të veçantë të kohës së lirë. Kryesore tek ne mbetet turizmi bregdetar. Konsiderohet turizmi pranë detit i përqendruar në perëndim të vendit dhe veçanërisht në Velipojë, Shëngjin, Durrës, Vlorë, Rivierë dhe Sarandë, Ksamil është më shumë i frekuentuar. Këto qytete ofrojnë dhe një numër të madh shërbimesh, hotele dhe restorante, duke tërhequr vitet e fundit vëmendjen e turistëve të huaj. Tek ne pretendohet tek turizmi bregdetar elitar. Them tentohet, por a mundet? Por duhet të dallojmë se kush është turizëm elitar dhe kush popullor. Pra në fillim duhet të sqarohet se kush është turizëm elitar dhe kush është turizëm masiv. Nëse flasim për turizëm elitar ai është i prekshëm jo më shumë se sa 2-3% e popullsisë së botës, pjesa tjetër nuk është më elitare. Fjala elitë nënkupton piramidën e të pasurve dhe piramidën e pushtetit. Ky lloj turizmi me gjithë blablatë e kryeministrit dhe shpurës së tij është jo egzistent në Shqipëri. Në Shqipëri mezi bën pak suita dhe kjo kryesisht për njerëz super të zgjedhur, të cilët mund t’i sajdisësh si të mundesh, duke treguar se kjo është ajo që bëjmë ne. Në fakt turizmi ynë është duke u ngritur, nisur së pari nga pamundësitë e tjera ekonomike për të jetuar një jetë dinjitoze. Ndryshimi i çmimeve që pas pandehmisë është jashtëzakonisht shqetësues duke pasur një spirale të pakuptimtë ngritje çmimesh. Jugu i Shqipërisë nga Vlora disi e më poshtë është bërë i frikshëm. Jo vetëm që Shqiptarët e pasur e mendojnë dy herë, por për shtresën e zakonshme, apo të mesme që pretendon të kalojë një javë apo dhjetë ditë është bërë mollë e ndaluar. Kjo jo nga kushtet, por nga abuzimi. Dhe ky abuzim është së pari propagandistic, sepse ne krahasojmë rivierën tonë me maldivet, me rivierën e Francës, apo me ujrat më të mirë të botës. Çmenduria arrin sa truri i shplarë i këtyre njërëzve kujtojnë se aty është parajsa dhe sapo e kuptuan vendasit dhe biznesmenët dhe deti u bë kos. Kjo pastaj varion me qeverinë, e cila për të fshehur vjedhjen katastrofike që i bëhet popullit i tregon se po bëjmë rrugë ( me kosto të frikshme) që të aksesohen këto zona lehtësisht, pa llogaritur dëmet që u shkaktohen zonave të tjera, duke shkretuar Shqipërinë. E vërteta është jo me ngjyra, por bardhë e zi. Nëse në jug u janë qëruar sytë njerëzve, sepse nga shtatori deri në qershor fshatrat e jugut janë bosh përfshi edhe Sarandën, Himarën dhe Vlorën, kjo nuk tregon se korriku dhe gushti do mbushi arkat e vitit të tyre. Turizmi nuk është plazh. Turizmi nuk është rrugë. Turizmi është para së gjithash kulturë dhe menaxhim, është traditë dhe jo mikpritje. Turizmi nuk është vjedhje është dëlirësi dhe kënaqësi. Turizmi nuk është dacllëk, por ekonomi tregu. Se ku jemi ne më fort flasin faktet e të fortëve dhe pushtetit që kërkojnë të rrëmbejnë dhe të shfrytëzojnë pa asnjë lloj kriteri sipas formulës Kçk. Rezistenca ne Veri u bë qysh kur rritja e çmimeve në verë reflektoi pamundësinë e qëndrimit patriotik të Kosovarëve dhe lidhjeve të familjeve veriorë me Kosovën. Ajo ndihet në Durrës, Velipojë e Shëngjin. Por nëse krahasoni çmimet me Divjakën, me Darëzezën; dy plazhe mjaft kurative edhe në veri mbizotërojnë çmimet e larta. Jugu ka lëshuar raketën e çmimeve dhe po i shohin hajrin. Shqiptarët numërohen me kokra. Vetëm mërgimtarë që i ka marrë malli dhe ndonjë çift i ri që do prish ca lekë që si dhëmbin.
-Po këtë vit a është rritur numri i shqiptarëve që mund të bëjnë pushime?
Nuk e besoj. Ne kemi folur për të dhënat e Eurostat. Në Bashkimin Europian, në vitin 2023, personat e aftë për punë të moshës 20-64 vjeç, punonin mesatarisht 36.1 orë në javë, sipas Eurostat. Ky numër u referohet orëve, që njerëzit kanë punuar realisht në punën e tyre kryesore, në javën e referencës. Orari mesatar i punës në javë, ndryshon ndërmjet vendeve të BE-së. Ato me javën më të gjatë të punës, ishin Greqia (39.8 orë), Rumania (39.5), Polonia (39.3) dhe Bullgaria (39.0). Në të kundërt, Holanda, kishte javën më të shkurtër të punës (32.2 orë), e ndjekur nga Austria (33.6) dhe Gjermania (34.0).
Shqiptarët, punojnë me orët më të gjata në Europë
Të dhënat e INSTAT tregojnë se shqiptarët punojnë më gjatë se të gjithë në Europë. Për vitin 2023, të punësuarit me pagë punonin mesatarisht 43.7 orë në javë, ose 7.6 orë më shumë se mesatarja europiane.
Orët më të gjata janë në prodhim (46.5), bujqësi (44.8) e ndërtim (45.6) dhe më të ulëtat në administratë (40).
Pas Shqipërisë renditet Turqia me 43.1 orë.
Ballkani përgjithësisht punon më gjatë. Në mal të Zi punonjësit janë në punë 42.8 orë në javë, në Serbi 41.3, në Bosnjë 41.2 dhe në Maqedoninë e veriut gati 40 orë. Ndonëse shqiptarët rrinë më gjatë në punë, ata paguhen më pak se të gjithë, teksa si paga minimale ashtu dhe ajo mesatare janë më të ulëtat në rajon (nuk ka të dhëna për Kosovën).