Financat: Kadastra fiskale dështoi, bashkitë nuk arrijnë të regjistrojnë pronat

113
Sigal

Objektivat e përcaktuara nga Ministria e Financave për vitin 2021 për krijimin e taksës mbi pronën “ndërtesë” të bazuar në vlerën fiskale të një zone nuk janë përmbushur për shkak se bashkitë nuk po arrijnë të regjistrojnë pronat sipas standardeve të kërkuara nga Ministria e Financave.

Mosarritjen e këtij objektivi Ministria e Financave e bëri të ditur në një analizë për ecurinë e Strategjisë së Menaxhimit të Financave.

NOA

Qëllimi i kadastrës ishte konsolidimi dhe përmirësimi i cilësisë së të gjitha të dhënave ekzistuese për tokën, ndërtesat dhe pronarët, banorët, si dhe llogaritja e detyrimit tatimor vjetor që lidhet me secilën pronë.

Ministria e Financave vuri në dukje se regjistri i pronave nuk mund të kryhej për shkak të cilësisë së ulët të të dhënave dhe mungesës së angazhimit të bashkive në regjistrimin dhe përditësimin e të dhënave në sistem. Objektivi i produktit në lidhje me procesin e vlerësimit të zonave me vlerë për ndërtesat e përcaktuara në të gjitha bashkitë nuk u arrit.

Kadastra Fiskale është regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme që shërben për hedhjen, përpunimin, korrektimin e të dhënave dhe që shërbejnë për efekt të llogaritjes së shumës së taksës së pasurisë së paluajtshme për t’u paguar nga çdo taksapagues.

Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pohojnë se, qasja në të dhënat e tregut është thelbësore, në një sistem taksimi bazuar në vlerën e tregut. Pa të dhëna të sakta, të plota dhe të përditësuara nuk është e mundur të përcaktohen vlerat e vlerësuara që reflektojnë vlerën e tregut. Në këtë mënyrë aksesi në të dhënat e plota të tregut është një parakusht për të qenë në gjendje të kryhet një vlerësim cilësor.

Për më tepër, që të reflektohen ndryshimet e vlerës së tregut që ndodhin me kalimin e kohës, është thelbësore që të dhënat të jenë të përditësuara. Kjo do të thotë që të dhënat e reja duhet të shtohen dhe të analizohen rregullisht.

Reforma mbi taksën e pasurisë synon një taksë të drejtë dhe transparente. Një vlerë zyrtare e vlerësimit të pasurive është një mënyrë për të arritur këtë qëllim.

Në shumë vende, një vlerë e vlerësuar zyrtare përcaktohet nëpërmjet një vlerësimi kombëtar. Qëllimi është të përcaktohet një vlerë që reflekton vlerën e tregut. Në një sistem bazuar në vlerën e tregut, taksa e pasurisë do të jetë më e lartë ose më ulët në varësi të faktorëve siç mund të jenë: vendndodhja apo karakteristikat e pronës, etj.

Drafti i ri/ Do ndryshojë taksa e ndërtesës

Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) ndërkohë është duke rishikuar vendimin e metodologjisë për llogaritjen e vlerës së taksës së ndërtesës.

Drafti i ri nuk synon ndryshimin e nivelit të taksës që është sa 0,05% e vlerës së shtëpisë, por bazën e llogaritjes së taksës që është vlera e shtëpisë.

Ndryshimet e bazës së llogaritjes së taksës synojnë të përafrojnë nivelin e taksimit me çmimet aktuale të apartamenteve, ku në shumë zona të kryeqytetit, kryesisht ndërtimet e reja kanë pësuar rritje të lartë. Për rrjedhojë pritet që për të përcaktuar vlerën e shtëpisë do të përdoren çmimet sipas kontratave të shit-blerjes së regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).