Fasonët letër Ramës: Nga sot nuk paguajmë asnjë punonjës, ministrat tuaj nuk denjojnë të na përgjigjen

443
Sigal

Në një letër me nota aspak diplomatike drejtuar kryeministrit Rama dhe ministrit të ngarkuar për krizën e COVID 19, Arben Ahmetaj, Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania” ka paralajmëruar se nuk do të paguajë asnjë nga 68 mijë punonjësit e 762 kompanive prodhuese në vend duke nisur nga dita e sotme.

Ata kanë parashtruar në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjithë vështirësitë që po has ky sektor që nga mungesa e punonjësve për shkaqet e njohura, vështirësitë e likujdimeve nga kompanitë e tjera të cilat kanë shtyrë pahesat në kohë deri tek indiferenca e shtetit për t’ju rimbursuar TVSH-në dhe mosreagimi i asnjë prej ministrave tek të cilët janë drejtuar këto kompani.

Sipas letrës të cilën Faxweb.al disponon kjo shoqatë i shkruan kryeministrit Rama se:

“1.Ndodhemi në kushtet e pamundësisë për të vijuar pagesën e pagave të punonjësve, si për ndërmarrjet që punojnë, ashtu edhe për ato që janë në pamundësi të vijimësisë së kontratave.
2. Ndodhemi në kushtet e pamundësisë edhe për të negociuar me bankat tregtare, ngadalësia e të cilave për të aktivizuar shtyrjen e kredive apo aplikimin për kreditë e mbështetura në garancinë sovrane, është e pafalshme. Ne nuk mund të aplikojmë për kredi, kur nuk njohim asnjë nga kushtet, kur këto nuk i njohin as bankat dhe për më tepër kur deklarohet se normat e interesit të kësaj kredia me garanci bankare fillojnë te pragu 3 për qind e lart. Kjo është e papranueshme dhe jologjike në kushtet në të cilat ndodhemi! Bankat janë biznese si ne, por bankat nuk mund të sigurojnë një normë të tillë fitimi në kushtet e tanishme. Ne kërkojmë ndryshimin e menjëhershëm të kësaj strategjie të bankave tregtare dhe një rol më të ashpër të Bankës së Shqipërisë.
3. Ndodhemi në kushtet e pamjaftueshmërisë së likuiditetit duke filluar nga ky moment dhe nuk mund të marrim përsipër pagimin e pagave të punonjësve tanë.
“, thuhet në letrën e shoqatës “Proeksport Albania”.

Gjithashtu fasonët i kanë parashtruar kreut të ekzekutivit 5 kërkesat e tyre për të mos lejuar futjen në kolaps të një prej sektorëve më të rëndësishëm të prodhimit në vend:

*Të paguhen pagat e asistencës apo papunësisë për të gjithë punonjësit e tyre që aktualisht qëndrojnë në punë në ndërmarrje që kanë ndërprerë kontratat dhe nuk kanë punë, të paktën për një periudhë tre mujore;
* Blerjen e borxheve të partnerëve në Itali dhe gjetke të cilat janë vonuar ose nuk bëhen për këtë periudhë derisa në llogaritë e tyre bankare të mbërrijnë shumat e kontraktuara ligjerisht;
* Shtyrjen për një afat të caktuar të pagesesave e detyrimeve fiskale për të gjithë kompanitë fasoniste, me synim sigurimin e likuiditetetit të nevojshmë të kompanive për të paguar pagat e punonjësve, kur kompanitë janë duke punuar apo ato kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike;
* Pagesën e menjëhershme pa hezitim dhe pa zbatuar hallkat e tepërta rimbursimin e TVSH.
*Shtyrjen në kohë dhe pagimin e detyrimeve lokale si tarifa dhe taksa vendore në një kohë të mëvonshme dhe me shtrirje kohore në pagimin e tyre.

/Faxweb.al