Shoqëria civile kundër Fullanit, Çollaku: Deputetët i tremben më shumë Guvernatorit se djallit

533
Sigal

Para nisjes së seancës së parë të sesionit të ri Parlamentar, shoqëria civile ka nisur një protestë, ku kërkon sërish shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani, pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit. Kreu i kësaj proteste Zirkon Disha tha se paralelisht me protestën po vijon mbledhja e firmave të qytetarëve me qëllim që t’i kërkohet Kuvendit shkarkimi i Fullanit.

“Jemi këtu për të përçuar zërin e qytetarëve. Deri më tani janë mbledhur 13.000 firma. Fullani është qytetari shqiptar më i papërgjegjshëm pas atij skandali shekullor. 13 mijë firmat do i dërgohen parlamentit si zëri i deputetit që i mungoi përfaqësimit të qytetarëve në këtë parlament”, tha Disha.

Ndërsa njëri nga aktivistët e kësaj protestë Basir Çollaku ftoi sa më shumë qytetarë që t’i bashkohen protestës dhe peticionit. Sipas tij deputetët e këtij Kuvendi nuk do flasin për skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, as për Fullanin, pasi siç tha Collaku, ata i tremben më shumë Fullanit, se sa ferrit e djallit. “Ne kemi sot një axhendë të ndarë me parlamentin. Ata nuk flasin për guvernatorin se dikush ua ka mbyllur gojën me para. Deputetët i tremben sot më shumë Fullanit se sa ferrit dhe djallit”. Protestuesit kanë deklaruar më tej se kërkojnë politikanë të përgjegjshëm, madje i kanë bërë thirrje edhe vetë kryeministrit Rama të firmosë peticionin për largimin e Fullanit.