Gjoba deri në sekuestrim për ato automjete që qarkullojnë të pazhdoganuar apo Leje të përkohshme

586
Sigal

DOGANA/ Udhëzimi i ri për qëndrimin e përkohshëm të makinave për përdorim privat

Duke filluar nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi  udhëzimi i ri i Drejtorisë së  Përgjithshme së Doganave  mbi Regjimin e Lejimit të Përkohshëm të Automjeteve për përdorim privat. Sipas këtij udhëzimi të gjitha automjetet që kanë hyrë me regjime të përkohshëm  por që vazhdojnë të qëndrojnë ende në vendin tonë do të ndëshkohen në bazë e zbatim të këtij udhëzimi. Kjo gjobë shkon nga 500 $ deri në 2000 $. Vetëm para disa ditësh shërbimet e policisë filluan aksionin për kontrollin e dokumentacionit  dhe verifikimin e këtyre mjeteve të cilat përdoren nga persona të tjerë dhe që duke qenë të paregjistruar mund të përdoren edhe për vepra të rënda penale .

 UDHËZIMI

Kush përfiton nga Regjimi i Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?

 1. Vizitorët jo-rezidentë që vizitojnë Shqipërinë me automjetet e tyre për periudha të shkurtra kohe dhe që dalin përsëri jashtë Shqipërisë me automjetet e tyre;

2. Studentët, mjekët dhe shkencëtarët që vizitojnë apo punojnë në Shqipëri për periudha kohe të caktuara;

3. Individët që janë rezidentë jashtë Shqipërisë dhe që kanë vendin e punës në Republikën e Shqipërisë;

 Cilat janë kushtet e përgjithshme të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm të importit të një automjeti për përdorim privat?

 1. Automjeti duhet të ketë regjistrim të përhershëm jashtë Shqipërisë;

2. Automjeti mund të përfitojë nga regjimi i lejimit të përkohshëm për një periudhë prej 6 muajsh brenda çdo periudhe prej 12 muajsh;

3. Në përfundim të kësaj periudhe, automjeti duhet të dalë nga vendi ose duhet të deklarohet e të zhdoganohet nga autoritetet doganore. Dalja e përkohshme në vendet fqinjë nuk shërben për të ri-numëruar/ri – filluar periudhën 6-mujore të lejimit;

4. Automjeti nuk mund të përdoret nga asnjë njeri tjetër, përveçse nga anëtarët e familjes. Personi që e ka sjellë automjetin në vend nuk mund të lerë automjetin në Shqipëri në momentin e daljes nga territori i vendit;

5. Automjeti nuk mund të shitet, të ndërrojë pronësinë, apo të përdoret për qëllime tregtare;

 

Kur konsiderohet importi i përkohshëm i një automjeti për përdorim privat si rast kontrabande?

Kur një automjet është i regjistruar përkohësisht jashtë territorit shqiptar dhe në momentin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë NUK deklarohet tek autoritetet doganore shqiptare për të kryer procedurat e tranzitit, ky veprim konsiderohet  si “kontrabandë me automjete”.

Cilat janë sanksionet që zbatohen në rastin e shkeljes së regjimit të lejimit të përkohshëm?

1. Çdo shkelje e kushteve të sipër-përmendura konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet sipas ligjit;

2. Penalitetet llogariten në bazë të shumës së detyrimeve të papaguara dhe periudhës kohore gjatë së cilës kjo shumë nuk është paguar;

3. Të gjitha detyrimet e importit llogariten në bazë të datës së hyrjes së parë në territorin e Shqipërisë;

4. Kur shkelësi paraqitet vetë pranë autoriteteve doganore për t’i dhënë destinacion automjetit, p.sh.: për hedhje për qarkullim të lirë, penalitetet llogariten në shumën e  50% të detyrimeve të papaguara;

5. Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit brenda gjashtë muajsh përtej përfundimit të afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm,  penalitetet llogariten në shumën e 75% të detyrimeve të papaguara;

6. Nëse shkelësi nuk paraqitet pranë autoriteteve doganore dhe ndalohet nga autoritetet doganore apo nga punonjësit e Policisë së Shtetit pas më shumë se gjashtë muajsh përtej afatit të lejuar prej gjashtë muajsh të Regjimit të Lejimit të Përkohshëm, penalitetet llogariten në shumën e 100% të detyrimeve të papaguara;

7. Nëse automjeti ka shkelur periudhën gjashtë – mujore të lejimit të përkohshëm si dhe përdoret nga persona të paautorizuar, masa e penalitetit që zbatohet varijon nga 50,000 në 200,000 Lek;

8. Nëse një individ ka kryer më shumë se një kundërvajtje administrative, secila shkelje ndëshkohet në veçanti;

9. Për rastet e kontrabandës zbatohen penalitetet sipas përcaktimeve të neneve të Kodit Doganor në lidhje me kontrabandën.

Ndërkohë policia e shtetit, dhe ajo doganore kanë përgatitur listat e automjeteve që kanë hyre në territorin shqiptarë, por që nuk kanë dalë nga pikat e kufitare ,çka do të thotë se ato gjenden brenda territorit të vendit. Madje do kontrollohen dhe verifikohen edhe automjetet në pikat e shitjeve apo parkingjet si dhe ato që janë pajisur me targa të automjeteve të tjera.