EMRAT/ Dyshohet se lejuan kultivimin e drogës, pezullohen 5 policë në Pukë

83
Sigal

Pesë punonjës të Policisë së Pukës janë pezulluar nga detyra, pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Edmond Pepkolaj, Alfred Ndoj, Zamir Mehaj, Petrit Florini, Fatmir Alia, duke iu referuar burimeve, akuzohen se kanë deklaruar se nuk kanë konstatuar bimë narkotike të kultivuara, ndërkohë që disa ditë më pas, në këto zona janë gjetur të kultivuara 4000 bimë kanabisi.

NJOFTIMI I POLICISE

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka pezulluar nga detyra, 5 punonjës policie të strukturave në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, konkretisht:

Komisarin E. P. (ish-shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Pukë), aktualisht me detyrë shef i Seksionit për Arkivën Kriminale dhe Cilësinë e Informacionit, në DVP Shkodër;

Inspektorët A. N. (me detyrë SPZ), P. F. (me detyrë ndihmësspecialist për informacionin policor dhe arkivën kriminale), Z. M. dhe F. A. (të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme), në Komisariatin e Policisë Pukë.

Pezullimi i këtyre punonjësve nga detyra është bërë në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi në vitin 2021, pas kontrollit të territorit të fshatrave Curak dhe Shkozë, në Pukë, kanë deklaruar se nuk kanë konstatuar bimë narkotike të kultivuara, ndërkohë që disa ditë më pas, në këto zona janë gjetur të kultivuara 4000 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.