Emigrantët, shpresa e vetme e ndërtuesve

583
Sigal

 Shitja e apartamenteve 

Ardhja e emigrantëve për pushime, shikohet si një mundësi e mirë për ndërtuesit e Durrësit, sektor i cili prej dy vjetësh është zhytur në një krizë të thellë, për shkak të rënies së kërkesës. Por edhe kjo verë është e zymtë pasi ardhja e emigrantëve nuk ka shtuar kërkesën për blerjen e mijëra apartamenteve, të cilat qëndrojnë të pashitura.
Situata
Qindra e qindra hyrje të pallateve të reja të ndërtuara vitet e fundit kanë mbetur të bllokuara si pasojë e krizës ekonomike që ka përfshirë një prej sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë në Durrës. Situata është tejet e vështirë për sektorin e ndërtimit, i cili është edhe lokomotiva e ekonomisë. Janë mbi tre mijë ndërtesa të reja që kanë mbetur pa u shitur prej më shumë se dy vjetësh, pavarësisht se çmimet kanë rënë nga 10 deri në 20%. Bie në sy një rënie e theksuar e konsumit, e shitjeve si rezultat i mosbesimit që ekziston aktualisht nga kriza botërore ekonomike. Situata është e rëndë po të flasim se ky sektor aktualisht në Durrës është edhe lokomotiva e zhvillimit dhe promotor i ekonomisë.
Agjencitë: Janë ulur çmimet
Janë agjencitë imobilare, të cilat theksojnë se pavarësisht një uljeje të detyruar të çmimeve të pallateve nga ndërtuesit situata është jashtëzakonisht e vështirë aktualisht në Durrës. Kjo ka ardhur kryesisht si pasojë mungesës së kërkesës nga emigrantët që ka sjellë si rezultat paralizimin e shitjes së mijëra hyrjeve të reja. Në qytetin e Durrësit çmimet e banesave për m2 janë të ndryshme. Në periferi ato shkojnë nga 500 në 650 euro ndërsa në qendër, ku ndërtimet janë më të pakta, por edhe në zonën e bregdetit varijojnë nga 800 në 1mijë euro m2. Pjesa më e madhe e ndërtimeve të bllokuara janë në zonën e plazhit, ku edhe ritmi i ndërtimeve vitet e fundit ka qenë i madh.

Mungon tërësisht kreditimi për banesa
Bankat kanë bllokuar dhënien e kredive. Në treg mungon tërësisht likuiditeti, e cila vjen për një arsye të thjeshtë sepse bankat e të gjitha niveleve nuk po furnizojnë më me para kesh biznesin. Sipas tyre, është dhënë shumë kredi konsumatore sidomos në vitet e shkuara dhe që regjistri i kredive i ngritur nga Banka e Shqipërisë rezulton se është marrë aq shumë kredi saqë nuk mund të shlyhet menjëherë. Në alarm janë të gjithë sektorët. Të varura prej sektorit të ndërtimit janë aktivitetet e çimentos, hekurit, fabrikat e materialeve inerte, mobilieritë, duralumini, xhamat karburanti etj..