Elbasani, qyteti që po braktiset çdo ditë nga rinia

427
Nga Lindita MALO
Fluks i paparë për pasaporta bullgare, çdo javë 250-300 të rinj bëjnë analizat e HIV /AIDS
Mbetet detyrim ligjor i çdo politikani apo deputeti që i thotë vetes patriot, të ngrejë zërin e fuqishëm në foltoren e Parlamentit dhe të japë alarmin e braktisjes së vendit nga rinia, të japë alarmin e tjetërsimit të shqiptarëve në bullgarë, sepse realisht ky mbetet krim shtetëror, pasi nesër do të jetë shumë vonë. 

Situata e rënduar politike, e cila ka mbërthyer vendin, kriza e thelluar ekonomike, rritja e papunësisë, pasiguria e rendit dhe qetësisë, humbja e shpresës, po detyrojnë qindra mijëra të rinj nga Elbasani, të aplikojnë për pasaporta bullgare. Ky qytet aktualisht ka një komunitet të konsiderueshëm prej afro 12 mijë familjesh nga zona e Gollobordës, që flasin gjuhën bullgare dhe që shumica e tyre janë pajisur me pasaportë bullgare. Por kjo duket se ka u dhënë atyre prej vitesh lehtësinë e lëvizjes jashtë vendit në shtetet e BE, duke synuar kryesisht shtetet nordike dhe Anglinë. Vetëm për vitin 2016 nga Elbasani janë larguar dhe janë vendosur në shtetet nordike dhe Angli mbi 850 familje, të gjitha të pajisura me pasaporta bullgare. Kjo siç duket i ka joshur edhe pjesën tjetër të banorëve të Elbasanit, kryesisht të rinjtë, që kanë mbaruar shkollat dhe janë të papunë, të cilët kanë aplikuar tashmë pranë Ministrisë Punëve të Jashtme në Sofje dhe po ndjekin procedurat e duhura, duke nisur nga analizat mjekësore për HIV/AIDS, dhe procedura të tjera zyrtare. Një ndër kriteret për ti pajisur shtetasit shqiptarë me pasaportën e Bullgarisë, autoritetet e atij vendi anëtar i BE, kanë pasur dhe kanë kushtin që “çdo shtetas shqiptar të ketë lindur në zonën e Gollobordës”, por duket se edhe kësaj kërkese, ia kanë gjetur hilenë, duke falsifikuar certifikata apo edhe dokumente të tjera zyrtare. Burime tepër të besueshme nga Ambulanca Qendrore Elbasan i thanë “Telegraf” se “pothuajse çdo ditë kemi dyndje nga të rinj dhe të reja, që kërkojnë të bëjnë testin e HIV/AIDS, pasi u kërkojnë dokumentacion të rregullt zyrtar nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë, për të vazhduar pas aplikimit, procedurat e pajisjes me pasaporta të atij vendi anëtar të BE”. Sipas të njëjtit burim vetëm në 2 muajt e fundit janë paraqitur dhe kanë kryer këto analiza të veçanta mjekësore mbi 1016 të rinj, djem dhe vajza, por nuk kanë munguar edhe mosha të tjera, madje edhe ata që janë në marrëdhënie pune në shtet”. Elbasani mbetet një ndër qytetet e mëdha të vendit, që për 4 vjet nuk ka përfituar as 50 për qind të premtimeve të dhëna nga kjo qeveri në fushatën e 2013-s, pasi kemi rritje të vazhdueshme të papunësisë, kemi ikje masive të rinisë jashtë shtetit, kemi mbyllje të vendeve të punës, falimentim të bizneseve, kemi rritje të numrit të atyre që e braktisin shkollën për shkaqe ekonomike dhe familjare, duke parë si zgjidhje vetëm ikjen nga ky vend. Por shpikja më e fundit, pajisja me pasaporta bullgare, nuk mbetet zgjidhje e duhur afatgjatë, dhe realisht mbetet një rrezik tjetër për të ardhmen e vendit. Kjo pasi Elbasani shumë shpejt mund të konsiderohet si qyteti me mbi 40 për qind të popullatës me kombësi dhe shtetësi bullgare. Kjo situatë paradoksale, e cila i detyron shqiptarët të ndryshojnë shtetësinë dhe kombësinë, mbetet kambana e alarmit për çdo politikan dhe parti politike në Shqipëri, pasi qeveria ka mbyllur çdo kanal komunikimi me qytetarët e saj. Mbetet detyrim ligjor i çdo politikani apo deputeti që i thotë vetes patriot, të ngrejë zërin e fuqishëm në foltoren e Parlamentit dhe të japë alarmin e braktisjes së vendit nga rinia, të japë alarmin e tjetërsimit të shqiptarëve në bullgarë, sepse realisht ky mbetet krim shtetëror, pasi nesër do të jetë shumë vonë.