Elbasan: Fëmijtë kanë lënë shkollën dhe po na vdesin për bukë

574
Rritja e nivelit të varfërisë, humbja e vendit të punës, mungesa e të ardhurave financiare nga ndihma ekonomike dhe mbi të gjitha humbja e shpresës, ka detyruar 500 kryefamiljarë nga Elbasani t’i shkruajnë letër dhe t’i kërkojnë ndihmë Presidentit Bujar Nishani, Kryeparlamentarit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama. Duke folur për “Telegraf” njëri prej tyre i quajtur Nevruz N. u shpreh se “kam punuar deri para 1 viti në ish-Uzinën e Mjeksit dhe bënim demontimin e armëve dhe municioneve, por atje gjithçka mori fund, na shkurtuan vendin e punës pa asnjë njoftim dhe nisën të merrnin të rinj kundrejt pagesës nën dorë, unë para nuk kasha, kështu që mbeta pa punë edhe unë, pasi gruaja ka mbi 8 vjet pa punë, dhe pa asnjë shpresë 2 fëmijët e mi, 8 dhe 12 vjeç, të cilët deri para 1 muaji ishin në shkollë, kurse prej 2 muajsh janë në shtëpi pasi nuk kam para t’i mbaj dhe t’i ushqej”. Një dramë e paparë dhe e padëgjuar. Një familje me 4 persona, ku asnjëri nga prindërit nuk është në marrëdhënie pune dhe për pasojë largojnë edhe fëmijët nga shkolla, duke i lënë analfabetë. Nevruzi tha se “fëmijët e mi shpesh ushqehen nga komshinjtë, kurse unë dal dhe mbledh shishe plastike dhe i shes me 15 lekë/kg, aq sa siguroj ndonjë bukë dhe ndonjë kile domate për familjen. Para 2 javësh na u sëmurën të dy fëmijët, dhe kam marrë borxh tek një njeriu im për t’i blerë ilaçet dhe për të paguar mjekun dhe infermieren, sepse nuk ma kapën djalin me dorë edhe pse u qava hallin”. Kjo situatë e njërit prej atyre 500 burrave dhe grave që i kanë nisur letër krerëve të lartë të shtetit për t’i ndihmuar, të kujton kohën e Migjenit, apo më keq akoma. Janë 500 burra dhe gra të papunë dhe vetëm një pjesë e vogël e ushtrisë së të papunëve dhe hallexhinjve që ka sot Elbasani. 
Sekserët dhe militantët përzën njerëzit në nevojë
Ndër të tjera 500 hallaxhinjtë në letrën e tyre drejtuar krerëve më të lartë të shtetit shkruanin se “drama jonë ka vite që ka nisur, por është thelluar shumë prej 2 vitesh, kjo pasi ne 2 vjet më parë kishim vendin e punës dhe na e zunë sekserët dhe militantët kishim ndihmën ekonomike dhe na e hoqi ish-ministri Erion Veliaj, kishim edhe ndonjë cep rrugice ku shisnim edhe ndonjë rrobe të vjetër dhe ju na dëbuat, duke u gjendur sot në pikën e hallit, pa para, pa bukë, dhe fëmijët të larguar nga shkolla, pasi duhen para çdo ditë për ti ushqyer dhe shkolluar”. Ata i luten krerëve të lartë të shtetit që t’i ndihmojë të rikthehen në vendin e punës, t’u japë një ndihmë ekonomike dhe të bëjë të mundur rikthimin në shkolla të fëmijëve të tyre. Braktisja e shkollave në shkallë qarku dhe jo vetëm në qytetin e Elbasanit, mbetet një fenomen pothuajse i zakonshëm, pothuajse edhe në tre qytetet e tjera si në Librazhd, Gramsh dhe Peqin. Rritja dhe thellimi krizës ekonomike, humbja e vendit të punës nga qindra e qindra burra dhe gra, ka sjellë më pas pasoja të tjera, ku nuk mungon edhe braktisja e shkollave nga fëmijët e këtyre hallexhinjve. Të mbetur pa shpresë dhe të tulatur nga hallet dhe problemet e shumta ekonomike, këta hallexhinj u shprehën se “rruga e fundit dhe shpëtimi ynë mund të ishte ikja jashtë në emigrim, por edhe andej nuk ikim sepse nuk kemi para, ndaj mbetet shansi fundit për ne shitja e “pasurisë” së vetme që kemi banesës, për të humbur pastaj gjithçka kemi”. Tek i shikoje dhe dëgjoje të rraskapitur dhe të kërrusur nga hallet, të plakur para kohe nga mjerimi, të lodhur nga uria dhe buzënxirë nga të ftohtit, mendja të shkonte tek luksi me të cilin jetojnë dhe punojnë sot zyrtarët e institucioneve, ministrat dhe ligjëvënësit, tek milionat që ata fitojnë dhe harxhojnë rrugëve të Shqipërisë dhe Europës, për të kënaqur shijet dhe dëshirat e tyre. Mjafton të bësh këto krahasime dhe të thuash se “koha e Migjenit ishte lule”, pasi kjo është koha e skëterrës dhe e vuajtjeve pa fund në një vend dhe një popull që jeton në zemër të Europës. 

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf në datë 14.12.2015
Sigal