Dyshohet se i vodhën me dhunë varësen një shtetaseje, arrestohen dy persona

150
Sigal

Policia ka identifikuar dhe çuar në pranga dy autorët e dyshuar që i vodhën me dhunë varësen një shtetaseje pak ditë më parë, teksa është proceduar penalisht pronari i argjendarisë, që përvetësoi varësen e vjedhur.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disaditore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Discover”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:

– O. H., 18 vjeç, dhe K. H., 24 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim”.

NGJARJA

Sipas bluve, më datë 08.07.2022, në Komisariatin e Policisë Nr. 6, ka bërë kallëzim shtetasja I. K., se në zonën e Astirit, persona të paidentifikuar i kanë vjedhur varësen me dhunë. Strukturat e Policisë kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore disaditore janë identifikuar dhe vënë në pranga shtetasit O. H dhe K. H., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur me dhunë varësen shtetases I. K., dhe më pas e kanë shitur atë në një argjendari në qytetin e Lezhës.

Në vijim të veprimeve hetimore u procedua penalisht në gjendje të lirë, pronari i argjendarisë, shtetasi I. G., 39 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.