Drejtoria e Burgjeve, e përfshirë në skandalin e përgjimeve

523
Task Force pranë Prokurorisë së Tiranës duket se ka zgjeruar hetimet në lidhje me përgjimet e paligjshme të kryera përmes pajisjes Imsi Catcher, e sjellë në Shqipëri nga Interforce në kuadrin e një trajnimi të policisë shqiptare. Por nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se pajisja në fjalë përveç faktit se ka hyrë në territorin shqiptar pa u deklaruar në doganë dhe pa u njoftuar asnjë prej institucioneve që kanë tagrin ligjor për të bërë ekspertizën e saj, mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se hetimet për atë që konsiderohet si skandali i përgjimeve janë shtrirë edhe në sistemin peritenciar, ky dyshohet se në të paktën 3 IEVP kjo pajisje është përdorur pa një leje nga organi i Prokurorisë dhe pa asnjë vendim Gjykate. Burime konfidenciale nga organi i akuzës bëjnë me dije se automjeti ku mendohet se ishte instaluar Imsi Catcher pas mesnate, në data të ndryshme, ka hyrë në paraburgime apo institucionet e vuajtjes së dënimit, duke shkelur në këtë mënyrë jo vetëm rregulloren e brendshme të burgjeve, ku përcaktohet qartë se ndalohet rreptësisht hyrja e sendeve apo zhvillimi i vizitave pas orës 16:00. 

Sipas të dhënave nga grupi hetimor rezulton se pajisja në fjalë rezulton, të paktën sipas regjistrave hyrje-dalje, në IEVP “Mine Peza” i njohur si 302, IEVP e Peqinit dhe IEVP e Fushë-Krujës. Nga prokuroria mësohet se në tre rastet, rezulton se veprimi hetimor është kryer pas mesnatës së datave të ndryshme , ndërsa në librat e regjistrave që janë sekuestruara, thonë burimet e organit të akuzës, janë evidentuar targat e makinës ku ndodhej e instaluar pajisja e përgjimit si dhe emrat e personave që kanë hyrë në burg, nën drejtimin e Entiol Xhelilajt me detyrë përgjegjës i IT-së në komisariatin e Forcave të Posaçme Operacionale. Sipas burimeve, në regjistrat e sekuestruar është shënuar nga oficeri i rojës, hyrja e automjetit, ndërkohë që prokurorët nuk kanë gjetur dhe sekuestruar në arkivin e burgjeve ndonjë vendim që lejonte pajisjen e përgjimit të kryente veprime hetimore brenda burgut. Për këtë fakt, hetuesit pritet të marrin në pyetje personelin e burgut për të mësuar ndonjë detaj më shumë se kush ka qenë subjekt i hetimit nga agjentët e përgjimit, sikundër pritet të marrin edhe pamjet e kamerave të sigurisë që do të provonin në mënyrë filmike kohën kur ka hyrë automjeti në IEVP dhe kohën kur ka dalë jashtë territorit. 

Sipas burimeve nga Prokuroria, për llogari të këtij hetimi janë verifikuar edhe targat e mjetit me të cilën agjentët kanë hyrë në burgje dhe kanë rezultuar se kanë qenë targa të falsifikuara. Organi i akuzës ka nisur hetimet për përgjimet e paligjshme disa javë më parë, ndërsa nën hetim është përfshirë edhe ministri i Brendshëm. Prokuroria arriti që në Gjykatën e Tiranës të sigurojë një urdhër për pezullimin e Haki Çakos nga detyra e Drejtorit të Policisë së Shtetit, ndërsa sekuestroi disa pajisje kompjuterike për llogari të hetimit. Gjithashtu janë proceduar edhe dy zyrtarë të policisë, Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Për Haki Çakon, Gjykata e Apelit, vendosi rikthimin në detyrë, pavarësisht se nuk cilësonte si shkelje procedurat e ndjekura nga Prokuroria. Por sipas vendimit të Apelit, rikthimi i Çakos në detyrë nuk pengon zhvillimin e hetimeve.

Sigal