Një projektligj i qeverisë që synon parandalimin e eksodit të mjekëve të rinj, i prezantuar për publikun të mërkurën, u fut me procedurë të përshpejtuar në punimet e Kuvendit të enjten, pavarësisht kundërshtimit masiv të studentëve të Universitetit të Mjekësisë. Nisma ligjore, e cila parashikon një marrëveshje paraprake me studentët e Mjekësisë që të punojnë deri në 5 vite në vend pas mbarimit të studimeve, pritet të miratohet brenda korrikut në Kuvend dhe të hyjë në fuqi para nisjes së vitit të ri akademik në vjeshtë.
Reagimi i qeverisë erdhi pas eksodit të lartë të mjekëve në vitet e fundit, kryesisht drejt Gjermanisë, duke e lënë sistemin shëndetësor shqiptar me mungesa të mjekëve specialistë. Duke përdorur terminologjinë “Trajtimi i veçantë” dhe “Punësim me prioritet”, në fakt projektligji parashikon klauzola detyruese për gjithë studentët e rinj dhe për ata që janë aktualisht duke ndjekur studimet.
Parashikimet ligjore prekin dhe studentët e tjerë nga viti i dytë deri në të katërtin, të cilët do të jenë detyruar të nënshkruajnë marrëveshje para nisjes së vitit të ri akademik duke pranuar të punojë jo më pak se 3 vite në vend. Ndërsa për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, detyrimi i punësimit në Shqipëri është deri në 2 vite. Për ata studentë që nuk pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje me qeverinë do të aplikohet pagesa e vlerës së plotë të kostos së studimeve, e cila nuk bëhet e ditur në projektligj.
“Metodologjia për përcaktimin e kostos së studimeve për programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe çdo mbështetje tjetër për studentët e këtij programi studimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligj. Qeveria i miklon studentët e Mjekësisë edhe me përfitime të tjera nga kjo marrëveshje detyruese, siç është përfshirja e tyre në programet sociale të strehimit.
Këshilli i Ministrave argumenton se masat e ndërmarra nxiten nga interesi publik për të garantuar plotësimin e nevojave për burime njerëzore në kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik. “…Dispozitat që përcillen përmes këtij projektligji janë hartuar në përputhje me nevojat e diktuara në vend për përmbushjen e këtij interesi të lartë publik”, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit



















