*Prof.Asoc i Fizikës
INTERVISTË me Ajnshtajnin: Heroizmi me urdhër, dhuna e palogjikshme, zhurma vdekjeprurëse që e ka emrin patriotizëm janë shumë të urryera
Kur flasim mbi Ajnshtajnin, shpesh kufizohemi si shkencëtari gjenial i fizikës. Duke e cilësuar kështu shpesh herë i japim të drejtën vetes për të injoruar një pjesë shumë të rëndësishme të krijimtarisë së tij. Ndonëse vepra e tij shkencore mbetet gjeniale, nuk mund të harrojmë që Ajnshtajni ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në fushën e edukimit. Pikërisht për të evidentuar këtë kontribut kemi improvizuar këtë intervistë me A.Ajnshtajnin ,bazuar në disa artikuj për edukimin, rreth 80 vite më parë , ku ai shpalos thelbin e një “revolucioni kopernikan në arsim, atë të cilin sot po e përjeton bota arsimore europiane”.
Është zgjedhur kjo mënyrë shpalosjeje e ideve , këshillave e pikëpamjeve të A.Ajnshtajnit për edukimin, për të sensibilizuar sadopak politikanët arsimbërës dhe arsimzbatues , të cilët ndoshta nuk do të qëndrojnë indiferentë ndaj këndvështrimit të edukimit nga një personalitet i tillë shkencor si A.Ajnshtajni. Ajo që është duke përjetuar sot arsimi në vendin tonë është e nevojshme të ketë në tharmin e vet një filozofi pedagogjike , të cilën e gjejmë në mënyrë të shkëlqyer tek A.Ajnshtajni.
J.Mandili Zoti Ajnshtajn, pavarësisht se nuk lidhet me fushën tuaj të studimit , për ne do të ishte një shërbim i jashtëzakonshëm shpalosja e pikpamjeve tuaja për problemet e edukimit.
A.Ajnshtajn Nëqoftëse do të kishim të bënim me një problem thjesht shkencor, kushdo ndoshta do të parapëlqente heshtjen për të dhënë konsiderata të tilla. Por për çëshjtet e qënieve aktive njerëzore puna qëndron ndryshe. Në këtë përpjekje unë nuk mund të pretendoj aspak se jam një autoritet në këtë fushë, siç kanë qënë personalitetet inteligjente dhe me botëkuptim të shquar të të gjitha kohërave dhe kanë shprehur qartë e në mënyrë të përsëritur pikpamjet e tyre për këto problem: Për mua si një person, jo i specializuar në fushën e pedagogjisë , nuk ka mbetur gjë tjetër veçse të flas për ato probleme të cilat në mënyrë të pavarur nga hapësira dhe koha , gjithmonë kanë qënë dhe do të mbeten të lidhura me edukimin.
J.Mandili E megjithatë ju, siç shpreheni, e ndjeni të nevojshme të flisni për problemet e edukimit, në një kohë që mund të heshtnit për problemet thjesht shkencore. Përse një dëshirë e tillë për të folur?
A.Ajnshtajn Sepse kemi të bëjmë me qënie aktive njërëzore. Edukimit të njeriut, individit, secili që e ndjen veten qytetar e intelektual, duhet t’i bëjë shërbimet e duhura , jo vetëm në drejtim të njohjes së të vërtetës, por kjo duhet rinovuar vazhdimisht që, në përputhje me të, të bëhen përpjekje të parreshtura për ta përshtatur edukimin sipas kohës.
J.Mandili Si duhet ta kuptojmë pjesën e dytë të ligjëratës suaj?
A.Ajnshtajn Që vetëm njohja e së vërtetës nuk mjafton, përkundrazi. Kjo njohje , duhet rinovuar në mënyrë të vazhdueshme me anën e përpjekjeve të parreshtura , nëqoftëse duam që, ajo të mos humbasë. Kjo është e ngjashme me një statujë mermeri që qëndron në shkretëtirë dhe që, në mënyrë të vazhdueshme, rrezikohet të mbulohet me rërë. Por duart e shërbimit duhet të jenë gjithnjë në punë, në mënyrë që mermeri të vazhdojë të shkëlqejë në diell. Ndërmjet këtyre duarve të shërbimit janë edhe ato të miat”.
J.Mandili Ne jemi shumë të interesuar të “ndjejmë duart tuaja” në këtë “kakofoni” që qarkullon tek ne për reformën arsimore. Flitet e flitet për të, por asnjë herë nuk konkretizohet se çfarë produkti human duhet të prodhojë edukimi në kohën tonë. Cili është qëllimi i edukimit sipas jush?
A.Ajnshtajn Jo individ standart, pa origjinalitet personal dhe pa qëllime personale. Një komunitet i tillë do të jetë i varfër dhe pa mundësi zhvillimi. Simptoma më e turpshme e humbjes së dinjitetit personal nga e cila po vuan sot civilizimi është pikërisht ky individ standart. Kjo çështje më sjell tek produkti më i keq të cilin e urrej. Që një njeri të ndjejë kënaqësi duke marshuar në formacion nën tingujt e një bande , mjafton për mua për ta përçmuar. Truri i është dhënë gabim një njeriu të tillë, shtylla kurrizore do t’i kishte mjaftuar. Heroizmi me urdhër, dhuna e palogjikshme dhe gjithë zhurma vdekjeprurëse që e ka emrin patriotizëm janë shumë të urryera për mua. Kjo njollë murtaje e qytetërimit duhet hequr me shpejtësinë më të madhe. Përkundër kësaj duhen qytetarë të formuar me normat dhe standartet e demokracisë e të së drejtës të cilët e konsiderojnë shërbimin e tyre për shoqërinë si problemin më madhor të jetës së tyre.
J.Mandili Nëqoftëse ju kuptova drejt Z.Ajnshtajn, sipas jush edukimi përmblidhet në një koncept të vetëm e pikërisht tek personaliteti i individit dhe vlerat e tij duke patur si problemin më madhor të jetës së tij shërbimin ndaj shoqërisë?
A.Ajnshtajn Po, ashtu është! Gjëja e vërtetë me vlerë në teatrin e jetës njerëzore nuk është shteti, por individi i ndërgjegjshëm , krijues personaliteti . Ai vetë krijon fisnikun dhe frymëzuesin, ndërkohë që turma mbetet e pa jetë në mendime dhe në ndjenja:
J.Mandili Besoj se ndajmë të njëjtin mendim, që misioni i shkollës duhet të jetë pikërisht përgatitja e kualiteteve dhe kapaciteteve të tilla që të kenë vlera për zhvillimin e shoqërisë?
A.Ajnshtajn Padyshim! Shkolla ka qënë mjeti më i rëndësishëm për transferimin e traditës së pasur, nga një gjeneratë tek tjetra. Kjo zbatohet edhe sot, madje në një shkallë më të lartë se sa në të kaluarën, në sajë të zhvillimit modern të jetës ekonomike, ndërsa familja si transmetuese e traditës dhe edukimit është dobësuar. Edhe sikur njohuritë të vdesin, shkolla megjithatë do t’i shërbejë jetës. Detyra e shkollës është përgatitja e individëve që mendojnë e veprojnë në mënyrë të pavarur. Është e rëndësishme që nxënësit të përvetësojnë kuptimin e vlerave dhe të kenë një ndjenjë të mprehtë për to. Ai duhet të mësojë të kuptojë motivet e qënieve njerëzore , iluzionet e tyre me qëllim që të ndërtojë marrëdhënie të duhura me individët si dhe me komunitetin.
J.Mandili Pra , sipas jush edukimi i bazuar në lirinë e veprimeve dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vetvetes është më i përsosur dhe ka përparësi ndaj edukimit të bazuar në nënshtrimin , autoritetin fiktiv apo egoizmin.
A.Ajnshtajn Po! Sipas meje më keq se çdo gjë është kur shkolla e bazon punën e saj tek frika , dhuna dhe tek autoriteti i krijuar artificialisht.Nëqoftëse puna në shkollë, bazohet te metoda e frikës, e forcës dhe autoritetit artificial, atëhere kjo çon në shkatërrimin e ndjenjave të pastra, sinqeritetit dhe besimit në vetvete të nxënësit, apo studentit. Pasoja? Një shkollë e tillë, prodhon shtetas të nënshtruar, servilë ndaj rregjimit që çon në shkatërrimin e idealit. Do të ishte relativisht e thjeshtë, ta mbani shkollën sa më larg këtij mëkati shumë të madh. Nëqoftëse puna në shkollë, bazohet tek ambicia, apo dëshira për t’u dalluar nga të tjerët, lind dëshira për tu pranuar si më i miri, më inteligjenti dhe më i fortë se shoku. Kjo çon tek një farë crregullimi psikologjik shumë egoist ,i cili mund të bëhet i dëmshëm si për individin ashtu edhe për shoqërinë. Në këtë rast, shkolla dhe mësuesit duhet të jenë të vëmendshëm që të mos përdorin metoda të lehta për të nxitur ambicien personale, por të nxisin punën e zellshme të nxënësve apo studentëve.Për një njeri të suksesshëm , duhet të themi se është ai që merr më shumë nga shoku i tij, zakonisht shumë më tepër se sa i jep atij. Nëqoftëse shkolla do të udhëhiqet nga motive i kënaqësisë për punën dhe rezultatet që merren dhe nga njohja e vlerave të këtyre rezultateve për shoqërinë , ajo do të jetë shumë e nderuar nga gjeneratat që do të vijnë dhe detyrat e dhëna prej saj , do të pranohen si një lloj dhurate”.
J.Mandili D.m.th nga motive prej të cilit udhëhiqet individi në shkollë varet suksesi i tij, kanalizohet personaliteti i tij.
A.Ajnshtajn Prapa cdo suksesi ekziston motivimi që qëndron në bazën e tij, i cili forcohet dhe ushqehet nga realizimi i veprimit që con tek ky sukses. Prandaj duhet të kujdesemi që të mos predikojmë tek brezi i ri suksesin në sensin e rëndomtë si një synim për jetën. Vlera e një njeriu do të shikohet qartë te ajo se sa jep dhe jo tek ajo se sa është në gjëndje të marrë.
J.Mandili Suksesi në sensin e rëndomtë si një synim për jetën; dhe suksesi si shërbim për shoqërinë si problemin më të madh të tyre . Këtu duhen dalluar diferencat e mëdha dhe që kanë rëndësi shumë të madhe për vlerat educative të shkollës. D.m.th puna edukative e shkollës është vendimtare për formimin e personalitetit të njeriut?
A.Ajnshtajn Padyshim. Ndikimi i punës edukative që bëhet me nxënësit gjatë kryerjes së një detyre të caktuar mund të jetë e ndryshme, në varësi të faktit se çfarë qëndron në themelin e kësaj detyre: frika ndaj ndëshkimit, pasioni egoist apo dëshira për kënaqësi. Dhe askush nuk do të mund të pohojë së administrimi i shkollës dhe pikpamjet e mësuesve nuk do ta kenë ndikimin mbi formimin e bazave psikologjike të nxënësve.
J.Mandili Ju i mëshoni idesë se suksesi në edukim varet edhe nga motivet psikologjike prej të cilave udhëhiqet individi?
A.Ajnshtajn Po!Te zgjimi dhe forcimi i këtyre forcave psikologjike tek të rinjtë unë shoh detyrën më të rëndësishme që mund të kryejë shkolla. Një bazë e tillë psikologjike çon tek dëshira e gëzueshme për zotërimin më të lartë të njeriut , të diturisë dhe tek mjeshtëria artistike. Problemi është që të zhvillojmë prirjen fëminore për të luajtur dhe dëshirën feminore për njohje dhe ti udhëheqim ata drejt fushave të rëndësishme për shoqërinë ; është kjo lloj veprimtarie që kryesisht mbështetet tek dëshira për aktivitete dhe njohuri të suksesshme.
J.Mandili Pra baza psikologjike dhe mjeshtëria artistike? Si mund të realizohen këto në shkollë?
A.Ajnshtajn Për këtë qëllim duhet aq pak sa do të ishte e nevojshme që një sasi ilaci universal të ishte i mjaftueshëm për një person që të ndihet mirë. Por duhet të themi se ka disa kushte të nevojshme që duhen plotësuar . Së pari , duhet që mësuesit të rriten në një shkollë të tillë. Së dyti, mësuesit duhet ti jepet liri e madhe për zgjedhjen e materialit mësimor si dhe metodave mësimore që do të përdorë në proçesin mësimor. Mësuesi duhet të jetë një farë artisti në punën e tij.
J.Mandili Duke ndjekur me kujdes mendimet e pikpamjet tuaja deri tani konstatoj se keni folur se cfarë fryme duhet të mbizotërojë në shkollë. Por çfarë mund të themi për metodat e mësimdhënies si dhe për mënyrat e instruktimit që duhet të përdorin mësuesit kur ata janë të detyruar të zbatojnë një plan e program mësimor të përcaktuar?
A.Ajnshtajn Përgjigja ime është kjo: Për mendimin tim të gjitha këto kanë rëndësi të dorës së dytë. Decentralizimi i sistemit arsimor dhe liria e gjerë e ofruar nga pedagogët në përzgjedhjen e materialit mësimor dhe tek metoda mësimore mund ta bëjnë punën e tyre dhe të nxënësve, të vetëdijshme dhe të gëzueshme. Me asnjë lloj rregulloreje , nuk mund të arrihet kjo, sepse njeriu nuk është makinë, kur nuk lihet i lirë të mendojë dhe punojë, ai vdes. Pra liria në përzgjedhjen e materialit mësimor dhe metodës mësimore nxit etjen për dije, pa të cilën ajo do të shuhet në mënyrë të pashmangshme. Detyrimi, shtrëngimi e frenon këtë etje, e lodh dhe ja bën jetën në shkollë nxënësit të mërzitshme. Edhe një bishë e shëndetshme do ta humbasë lakminë për ushqim, pot a detyrosh tyë hajë pa ndërprerje , kur nuk është e uritur e për më tepër kur ushqimin nuk e zgjedh vetë.
J.Mandili D.m.th shkolla nuk ka për detyrë të mësojë ato njohuri speciale dhe ato mjeshtëri , që, do të përdoren më vonë drejtpërdrejt në jetën e çdo individi?
A.Ajnshtajn Kërkesat jetësore janë aq shumë të larmishme saqë, është e pamundur që ato të realizoheshin me anën e specializimit në shkollë. Ja , pra, cili duhet të jetë qëllimi i shkollës: Individin të mos e trajtojë si specialist, por si person të harmonishëm ku zhvillimi i aftësive të përgjithsme , për të menduar dhe gjykuar në mënyrë të pavarur , duhet të zerë vendin parësor të punës në shkollë dhe jo përfitim i njohurive special. Me njohuritë e tij të specialitetit ai ngjan më tepër më një qen të mirëstërvitur se sa me një person të zhvilluar në mënyrë të harmonishme.Nëqoftëse një person do të njohë në mënyrë mjeshtërore bazat e objektit që ai dëshiron , si dhe ka mësuar të mendojë dhe të punojë në mënyrë të pavarur , ai me siguri do të gjejë rrugën e tij dhe, për më tepër, do të jetë me i aftë për tu përshtatur me përdorimin dhe ndryshimet, në krahasim me një person tjetër , përgatitja e të cilit , parimisht është orientuar në grumbullimin e njohurive të detajuara.
J.Mandili Kjo, me një fjalë do të thotë që shkollat dhe universitetet kanë për mision jo të mbushë kokën e individit , por të ndërtojnë mirë kokën e tyre. Por si mund të arrihet kjo?
A.Ajnshtajn I mencuri nuk ka gabuar , kur e ka përcaktuar edukimin në këtë mënyrë: edukimi është ai që mbetet , pasi harrohet gjithcka që, është mësuar në shkollë”. Metoda më eficente e edukimit, është ajo që mbështetet tek kërkesa që nxënësit , apo studentët, të nxiten për të kryer detyra aktuale dhe, kjo, arrihet duke realizuar prej tyre, përpjekje për të shkruar dicka të ngjashme me tezën e doktoraturës të studentit që mbaron studimet universitare, ose tek memorizimi i thjeshtë i një poeme , tek nje kompozim, tek interpretimi, apo përkthimi i një teksti, apo artikulli, tek zgjidhja e një probleme matematike, si dhe tek praktikimi i një sporti fizik.
J.Mandili Ju flisni për një frymë të re të mësuari- të mësosh jo vetëm për të marrë një sasi njohurish , për të qënë i suksesshëm në provim, por, mbi të gjitha, për të qënë i aftë që, njohuritë e fituara , t’i transformosh për të realizuar një produkt të dobishëm.A mund ta realizojmë këtë qëllim, vetëm me anë të moralizimeve?
A.Ajnshtajn Kurrësesi! Fjalët janë dhe do të mbeten gjithnjë tinguj bosh. Personalitetet, asnjëherë nuk janë formuar vetëm me të dëgjuar, apo me të thënë, por vetëm me PUNË dhe VEPRIMTARI! Nëqoftëse nxënësi ka ushtruar muskujt dhe durimin e tij fizik, me anën e gjimnastikës dhe veprimtarive, ai më vonë do të jetë në gjëndje të realizojë cdo punë fizike. Kjo vlen edhe për zhvillimin e mendimit si dhe për zhvillimin e aftësive mendore dhe shkathtësinë e duarve të tij.
J.Mandili Faleminderit Z.Ajnshtajn. Shpresoj t’i lexojnë dhe t’i kuptojnë idetë dhe pikpamjet tuaja për edukimin ata që merren me reformën arsimore dhe sadopak të reflektojnë racionalisht kur artikulojnë këtë term politikanë e qeveritarë sa herë ndërrohen qeveritë.
A.Ajnshtajn Ato që thashë këtu, në një farë forme kategorike, nuk duhet të konsiderohen më shumë se sa, një mendim personal i një njeriu, i cili, nuk është mbështetur në asgjë tjetër, përvecse, në përvojën e tij personale, që ka fituar si nxënës dhe si mësues.
Vini re dhe një mësim të madh etik nga kjo intervistë e Ajnshtajnit: E fillon me mirënjohje për kontributin e paraardhësve që janë shquar në fushën e edukimit dhe e përfundon me modesti sokratike për idetë dhe pikpamjet e veta.
Ky është pra Ajnshtajni, personalieti shkencor më i shquar e shekullit të 20-të ,i cili nuk pranoi të bëhej president i Izraelit kur ju lutën për atë post!
.