Afat deri në 29 tetor për aplikimin në Master. Fituesit në 4 nëntor

447
Sigal

UDHËZIMI/ MAS: Procedurat e regjistrimit dhe dokumentacioni për ciklin e dytë të studimeve

Aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”/ “Master i Arteve të Bukura” bëhen pranë sekretarive mësimore të Fakulteteve të Institucioneve të Arsimit të Lartë (IAL) publik, nga data 20.10.2014 deri në datë 29.10.2014, prej orës 08:00 deri në orën 16:00.

 1. Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë kandidatët që:

 -Kanë përfunduar në Republikën e Shqipërisë me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, në një program të ciklit të parë “Bachelor” ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë, i cili rezulton i akredituar në momentin e diplomimit të studentit.

-Janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë “Bachelor” ose në një program të integruar të studimeve të ciklit të dytë dhe kanë kryer njësimin e diplomës pranë MAS.

 2. Kandidati paraqitet personalisht dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:

 – Diplomë, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Për diplomat e fituara jashtë vendit, vërtetimin e njohjes në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar nga MAS, të diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës së njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës;

– Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të Vendimit nr. 876, datë 3.11.2010 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në Vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike” (i ndryshuar), paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore DAR/ZA).

– Në rast se kandidatet kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të Vendimit të KM nr. 876, datë 3.11.2010 “Për disa ndryshime në Vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike (të ndryshuar)” dhe kanë dhënë me sukses (me rezultate kaluese) provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, paraqesin edhe dokumentin përkatës, të lëshuara nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.

-Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikate të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme, ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga njësia përkatëse arsimore vendore (DAR/ZA), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave.

-Kandidatët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë vendit duhet të dorëzojnë dokumentin e njohjes, të lëshuar nga AKP, të shoqëruar me fotokopje të njësuar me origjinalin në Republikën e Shqipërisë, të përkthyer në gjuhën shqipe, nëse është lëshuar në gjuhë të huaj, të diplomës së Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose diplomës/ dëftesës së shkollës së mesme të fituar në vendin përkatës, së bashku me certifikatën e notave, të legalizuar nga autoritetet drejtuese, vendore apo qendrore, të vendit ku ka përfunduar studimet, të njohura në Republikën e Shqipërisë ose të një dokumenti të lëshuar nga autoritetet arsimore kompetente mbi bazën e të cilit është kryer njohja nga MAS;

-Formularin e aplikimit;

 -Mandat pagesën e tarifës së aplikimit prej 2.500 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare për llogari të UART;

 -Fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë);

 -Dy fotografi personale.

 3. Pranë njësive kryesore përgjegjëse të institucioneve publike të arsimit të lartë ngrihen komisione ad hoc sipas fushave përkatëse, për çdo program studimi të ciklit të dytë me kohë të plotë, për vlerësimin e dosjeve të kandidatëve dhe përzgjedhjen në bazë të meritës të atyre kandidatëve që plotësojnë kriteret e parashikuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe kriteret shtesë të përcaktuara në statutet dhe rregulloret e tyre dhe të bëra publike paraprakisht.

 4. Brenda orës 16:00, të datës 04.11.2014, IAL-të publike shpallin dhe afishojnë listat e aplikantëve fitues në vende të dukshme, në mjediset e njësive kryesore përkatëse, si dhe në faqet web të IAL-së, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve të grumbulluara nga aplikantët, në përputhje me kuotat e pranimeve, të miratuara.

 5. Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues të zhvillohet nga data 04.11.2014 deri në datën 10.11.2014, prej orës 08:00 deri në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të IAL-së.

 6. Për programet e studimit që parashikojnë konkurs për pranimin e kandidatëve, konkurrimi të zhvillohet pranë IAL-së përkatëse në datat 5 – 6 Nëntor 2014, bazuar në aplikimet e paraqitura nga kandidatët sipas afateve të parashikuara në këtë Udhëzim. Kandidatët fitues regjistrohen pranë sekretarisë mësimore që mbulon programin e studimit ku janë shpallur fitues nga data 07.11.2014 deri në datën 10.11.201.4, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, duke paraqitur dhe mandat pagesën e tarifës së konkurrimit prej 3,000 lekë, paguar në Postën Shqiptare.

 7. Kandidati nuk mund të ndjekë njëkohësisht dy programe studimi në IAL publike dhe/ ose private. AKP, pas verifikimit, i kërkon IAL-ve ta çregjistroje atë.

 Artet: Konkurset për Master 5-6 nëntor

 Universiteti i Arteve njofton se konkurrimi për programet e studimeve në ciklin e dytë do të zhvillohet në mjediset e UART në datat 5 – 6 Nëntor 2014, bazuar në aplikimet e paraqitura nga kandidatët sipas afateve të parashikuara në Udhëzimin e Ministrit të Arsimit dhe Sportit për aplikimet në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë “Master Profesional” dhe “Master i Shkencave”/ “Master i Arteve të Bukura”. Pranimet në programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, për vitin akademik 2014-2015, në Universitetin e Arteve, Tiranë, bëhen mbi bazën e rezultateve të ciklit të parë dhe të rezultateve të fituara nga konkursi i pranimit, i organizuar nga ky institucion publik i arsimit të lartë. Rezultatet e ciklit të parë (nota mesatare e individëve në të gjitha vitet e shkollimit), llogariten në masën 30 % dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 70 %, sipas tabelës së mëposhtme. Gjithashtu gazeta “Telegraf” zbardh edhe tabelën, ku përcaktohen pikët maksimale dhe minimale për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë në Universitetin e Arteve.