Dr. Jani Basho, korifeu i Mjekësisë Shqiptare për ne profesionistët e shëndetësisë!

2450
Sigal

Në kinema “Milenium 2” u shfaq premiera “Sa kam shpirt, kam shpresë”, kushtuar patriotit dhe mjekut të shquar shqiptar dr. Jani Basho. Ky film dokumentar, i realizuar me mjeshtëri nga regjisori Esat Teliti dhe trupa mbështetëse e Radio Televizionit Shqiptar u bazua mbi të vërtetën historike, të dokumentuar nga prof. dr. Jovan Basho, një personalitet me vlera universale në mjekësinë e sotme shqiptare. Në sallën e kinemasë, të mbushur si asnjëherë tjetër, mbi 90 % ishin profesionistë të shëndetësisë. Kur pashë që me dhjetëra të ftuar qëndruan në këmbë për rreth dy orë, sigurisht që më erdhi keq për ta, por u ndjeva më shumë i gëzuar për respektin që treguan ndaj korifeut të mjekësisë shqiptare Dr. Jani Bashos, ndërkohë që më shkoi nëpër mendje një sallë më e madhe për dashamirësit e figurave të tilla, që duhen nderuar në vazhdimësi. Nderimi i kësaj figure kaq të madhe jo vetëm të mjekësisë shqiptare, por dhe një personalitet kombëtar, është pak vetëm nëpërmjet një premiere, edhe pse ishte përsosmërisht e realizuar. Nderimin e figurave të mjekësisë shqiptare duhet ta bëjmë, ne, profesionistët e shëndetësisë, për të qenë dhe mbetur pasardhës të denjë të tyre. Shembulli i zotit Jovan Basho, jo vetëm për këtë rast, por dhe shumë të tjera, përbën vlerësim të dyfishtë. Brezat që po largohen kanë lanë një trashëgimi shumë të madhe për ne, e cila, nëse nuk transmetohet, do na lërë pa histori. Historia duhet të marrë jetë pa ndërprerje. Jetësimi i saj bëhet nga mendjet e ndritura të mjekësisë shqiptare, të cilat nuk mungojnë dhe jo nga mediokriteti dhe diletantizmi i profesionistëve “të vegjël”, për të cilët historia fatkeqësisht fillon kur ata vinjë në krye të saj. Historinë e mjekësisë shqiptare gjithashtu nuk mund ta bëjnë dhe as ta shkruajnë joprofesionistët, të cilët shpesh, shumë fatkeqësisht, janë mes nesh. Atë duhet ta bëjnë, ta shkruajnë dhe përjetësojnë profesionistët e vërtetë. Është momenti kritik më i dukshëm, sidomos midis dy periudhave, i cili nuk pret dhe na thërret, për ta jetësuar historinë e mjekësisë shqiptare. Është detyrimi ynë qytetar, moral, etik, profesional dhe betimi i madh, që duhet të na motivojnë ta bëjmë këtë. Na takon të gjithëve, por në radhë të parë Urdhrave Profesionalë, Shoqatave të Profesionistëve, strukturave të zgjedhura dhe të emëruara të Universitetit Mjekësor, Ministrisë së Shëndetësisë dhe strukturave të saj, që në bashkëpunim të vazhdueshëm, të lemë një vlerë të shtuar për brezat e ardhshëm. Një organizëm i lartë në nivel, i cili duhet të ngrihet dhe pagëzohet nga përfaqësuesit që përmenda më sipër, do të ishte një vlerë tri dimensionale për mjekësinë shqiptare. Faleminderit koleg i nderuar Jovan Basho, që na bën të reflektojmë për jetësimin e profesionit dhe të profesionistëve!

Arian Jaupllari

President Nderi i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë