Kompania që kërkon koncesionin e spitaleve në Shqipëri, e mbytur në borxhe në Maltë

503
Sigal

Ky është artikulli i katërt në një seri me artikuj për historinë se si kompania Steward Healthcare po kërkon të marrë me PPP, spitalet publike në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, përmes një skeme mashtrimi dhe korrupsioni.

Steward HealthCare, kompania amerikane që synon të marrë me dinakëri PPP-të e spitaleve në Shqipëri, Mal të Zi e Maqedoninë e Veriut, ka rreth  12 -15 milion euro borxhe në Maltë.

Këto borxhe janë rezultat i mospagimit të taksave dhe  sigurimeve shoqërore, të cilat ish-kryeministri nën hetim për korrupsion Joseph Muscat, ia fali kompanisë. Pas dorëheqjes së Muscatit, – si pasojë e protestave kombëtare për përfshirjen e tij në vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia, – qeveria e kryeministrit të ri Robert Abela ndryshoi vendimin dhe i kërkon kompanisë që të shlyejë detyrimet ndaj shtetit.

Administrata e ish-kryeministrit i kishte dhënë pak oksigjen kompanisë Steward duke shtyrë afatet për pagimin e taksave dhe për dorëzimet e projekteve, por qeveria e re tani kanë rënë dakord që të mos jepen më zgjatje. Nëse Steward nuk arrin t’i paguajë shtetit atë që i takon nga tani e tutje, atëherë ata shkelin kontratën që kanë me qeverinë.

Kompania Steward mori koncesion për të drejtuar tre spitale shtetërore në Maltë në vitin 2017 pasi koncesionari i mëparshëm, kompania Vitals Global Healthcare nuk arriti të ofronte shërbimet e kërkuara. Përkundrazi, VGH krijoi borxhe të mëdha, përfitoi miliona euro nga paratë e taksapaguesve dhe më pas e shiti koncesionin, me vlerë miliarda eurosh, tek kompania Steward për vetëm 1 euro.

Pas këtij transaksioni u zbulua se të njëjtët sipërmarrës, Sri Ram Tumuluri dhe Shaukat Ali Ghafoor, ishin të përfshirë në të dyja kompanitë, duke përfituar kështu dhe nga koncesioni,  nga shitja e tij dhe nga vazhdimi i koncesionit nga kompania tjetër. Ndërkohë, askush nuk e di se ku shkuan miliona eurot e taksapaguesve maltezë.

Investigimet nga The Shift News zbuluan gjithashtu se Presidenti i Steward, Armin Ernst, ishte një ish-Drejtor i kompanisë VGH, i cili ka kaluar tek kompania që ka tashmë koncesionin vetëm disa muaj para se të bëhej shitja e kontratës koncesionare.

Kohët e fundit Ernst ka kërkuar 18 milionë euro nga qeveria e Maltës, për shkak të disa hapësirave në kontratën e VGH-së, megjithëse vetë është i përfshirë tek të dyja kompanitë.

Kontrata koncesionare aktualisht është nën hetim nga prokuroria e Maltës dhe po auditohet nga auditi shtetëror.

Exit News ka shkruar dhe më herët se si kompania VGH përdori ‘historinë e saj të suksesit” në Maltë për të arritur marrëveshje të ngjashme me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Dy sipërmarrësit, Tumuluri dhe Ghafoor kanë vizituar Shqipërinë për tu takuar me zyrtarë të lartë disa herë. Ndërkohë që një sërë Memorandumesh Bashkëpunimi për të forcuar bashkëpunimin midis “organizatave që veprojnë në fushën e shëndetit” janë nënshkruar mes Shqipërisë e Malit të Zi.

Muajin e kaluar, Kryeministri Edi Rama rriti ndjeshëm propagandën pro projekteve me PPP në shëndetësi, duke deklaruar se PPP-të janë mënyra më e mirë për të financuar shëndetësinë në një vend.

Ndërkohë kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi se PPP në shëndetësi të Ramës mund t’i kushtojnë qytetarëve 35-40 milionë euro çdo vit. Ai tha se PPP-të në shëndetësi janë të korruptuara dhe e quajti retorikën e Ramës për to gënjeshtër kriminale.