Djali jurist në bashki, nëna fiton tenderat e institucionit

602
Sigal

 

Djali 7 vjet në bashki, jurist që përgatiste tenderat dhe nëna pronare e firmës  ka përfituar 13 tendera nga viti 2013-2020 me vlerë 2, 8 miliardë lekë. Vetëm në vitin 2018 ka përfituar 10 tendera, ku mëiI madhi ka qenë pastrami i qytetit me vlerë 1,66 miliardë lekë.

“Bëmë mama të të ngjaj”, djali jurist në bashki, nëna fiton tenderat e institucionit!

U faktua se nëna e juristit të Bashkisë së Himarës kishte fituar dhjetëra tenderë në këtë institucion. Dhjetëra dokumente mbërritën në duart e gazetarëve të “Fiksit”, ku pas hulumtimeve rezultoi se juristi i Bashkisë së Himarës, Elton Rondo, ka punuar në këtë institucion 7 vite. Dhe gjatë kësaj kohe, nëna e tij, Fotina Rondo, e cila ka në pronësi disa firma ndërtimi, ka fituar plot 13 tenderë nga kjo bashki! Në qendër të investigimit ishte vendimmarrja ndër vite e Bashkisë së Himarës, e drejtuar nga z. Jorgo Goro.

“Nga viti 2012, deri në vitin 2019, në këtë bashki ka punuar si jurist, por edhe në pozicione të tjera, z.Elton Rondo. Detyra e tij ka qenë e ndryshme, ku herë pas herë ka përgatitur edhe dokumentet e tenderëve që zhvilloheshin në këtë institucion” -thuhet në informacionin që mbërriti. Ndërkohë, sipas Regjistrit të Gjendjes Civile, nëna e juristit quhet Fotina Rondo. Kjo e fundit, sipas dokumenteve zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ka në pronësi me 100 % të aksioneve firmën “Cogren Shpk”.

Më parë, kjo firmë quhej “Elekri shpk”, ndërkohë që ndryshimi i emrit është bërë ë vitin 2018. Por, sërish, edhe pas ndryshimit të emrit, aksionere me 100 % të aksioneve është znj, Fotina Rondo.

Dhe gjatë kohës që firma ndryshoi emrin, ka fituar me dhjetëra tenderë në Bashkinë e Himarës. Pra, nga njëra anë rezulton se djali përgatiste dokumentet dhe nga ana tjetër nëna e tij i fitonte ata.

Le t’i analizojmë me radhë! Nga dokumentet zyrtare rezulton se, nga viti 2013 deri në vitin 2020, firmat “Elekri” dhe “Cogreen”, kanë fituar plot 13 tendera nga kjo bashki. Në vitin 2013, ka fituar ndërtimin e ujësjellësit Livadh-Kalaja, me vlerë 4.1 milionë lekë të rinj. Në vitin 2018, ka fituar 10 tendera, ku më i madhi ka qenë shërbimi i pastrimit të Himarës, me plot 166.211.468 lekë. Më pas, ka fituar rikonstruksionin e kopështit në Borsh, mirëmbajtjen e shkollave, sistemimin e lerave për blegtorinë. Madje, edhe ndriçimin në Himarë.

Ndërkohë, pasi z.Elton Rondo është larguar nga bashkia e Himarës, nëna e tij ka marrë edhe dy kontrata të majme. Ka fituar tenderin e pastrimit dhe mirëmbajtjes së kanaleve vaditëse me vlerë 8 milionë dhe do të ndërtojë ujësjellësin e fshatit Tërbaç. Sipas këtij dokumenti, për ujësjellësin e Tërbaçit, “Cogren” nuk ka dhënë ofertën më të ulët. Por, sërish ka dalë fituese! Në total, zonja Fotina Rondo ka përfituar nga Bashkia e Himarës, ku për vite me radhë ka punuar djali i saj, plot 278.653.309 lekë të rinj! U pyetën në Bashkinë e Himarës titullarët e saj në lidhje me këto procedura. Fillimisht, asnjë punonjës i bashkisë nuk pranoi të jepte shpjegime, ndërsa disa syresh vrojtonin. Pas dhjetëra pyetjesh se për çfarë ishin të interesuar, punonjësit shkuan disa herë në zyrën e kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro, duke i bërë me dije edhe arsyen se përse kërkonim informacion. Kryetari pranoi të takojë grupin e “Fiks”, por pa praninë e kamerës. Ai u tha gazetarëve se për të gjithë informacionin e kërkuar do të kthente një përgjigje zyrtare. Z.Goro pranoi se Elton Rondo ka qenë jurist i bashkisë së Himarës, madje kishte informacion edhe për firmën e nënës së tij. Por, këmbënguli se në momentin që futej në “lojë” firma “Elekri” apo “Cogren”, juristi nuk merrte pjesë në komisionin e vlerësimit të ofertave. Por, zoti Goro nuk na ktheu përgjigje për pyetjen se, a i ka përpiluar dokumentet e tenderave z.Elton Rondo? Ndërkohë, vetëm pas disa javësh, sipas kësaj përgjigje, Bashkia e Himarës na informon vetëm se z. Elton Rondo ka punuar nga vitit 2012 deri në vitin 2019 pranë Bashkisë. Kryetari na ka listuar disa tendera të fituar, ndërsa na ka dhënë përgjigje se ky punonjës nuk ka qenë drejtor i financës! Por, si jurist, firma e nënës së tij ka fituar rreth 10 tendera, me vlera tepër të larta. U tentua të kontaktonte me firmën “Cogren”, nëpërmjet dy numrave të celularit të deklaruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit. Por, të dy numrat ishin jashtë përdorimit. Gjithashtu,  u dërgua  edhe një kërkesë zyrtare kësaj firme. Por, deri në momentin e transmetimit të këtij investigimi, në redaksi nuk ka mbërritur asnjë përgjigje! Për tenderët e Bashkisë Himarë, ka përpiluar një raport të hollësishëm Kontrolli i Lartë i Shtetit, i publikuar në fund të vitit 2019. Në këtë raport që shikoni, KLSH ka konstatuar se tenderët me vlera të larta në Bashkinë e Himarës janë zhvilluar me një firmë në garë. Madje, sipas KLSH-së, këto firma nuk kanë plotësuar kriteret për kualifikim. Por, megjithatë, këto firma, jo vetëm nuk janë s’kualifikuar, por kanë marrë çdo qindarkë të akorduar nga Bashkia e Himarës. Dhe një nga firmat që ka përfituar, është e nënës së ish-juristit të Bashkisë!