Dimri dyfishon vështirësitë në spitale, si “luftojnë”pacientët me sëmundjen dhe të ftohtin

461
Sigal

Vëzhgim/Vështirësohet situata në spitale në stinën e dimrit, pacientët ankohen për kushte

Ardhja e stinës së dimrit e bën akoma më të rëndë situatën në spitalet e vendit, e sidomos në repartin e Kardiokirurgjisë “Nënë Tereza”. Pacientët përveçse duhet të vuajnë për mungesën e ilaçeve dhe kushtet e këqija higjienike duhet që edhe të përballen me lagështinë dhe të ftohtin që është i pranishëm më dhomat e spitalit në të cilat qëndrojnë të shtruar për t’u shëruar. Sapo futesh në repartin e kardiologjisë në spitalin “Nënë Tereza” pamjet flasim më shumë se fjalët. Lagështira ka lënë shenjat e saj në çdo cep të dhomave, dhe i ftohti në këto ditë dimri i bën “shoqëri” të shtruarve që kanë fatin jo të mirë që të jenë pjesë e këtyre ambienteve. Që në hyrje të repartit të kardiokirurgjisë në një ditë me shi ndeshesh me pellgjet e ujit dhe më mure të njollosura dhe të prishura nga lagështia që kush e di se sa kohë kanë pa u restauruar. Por po të bësh paralelizëm edhe me kohën më diell situata nuk është më e mirë, pasi pluhuri dhe papastërtia është po e njëjtë. Por le të kthehemi tek situata e dimrit me të cilën pacientët janë duke u përballur në këto ditë të ftohta dimri. Në dhoma ka lagështi dhe mungon ngrohja, kjo ja shton më shumë vështirësitë atyre. Pacientët janë totalisht të pakënaqur, pasi ata shprehen se më shumë po sëmurën në këto kushte se sa po shërohen. Por nuk janë vetëm ato që ju përmendëm më lart arsyet se përse nuk po funksionojnë si duhet spitalet në Shqipëri. Arsyet të tjera që po ua rëndojnë më shumë jetën pacientëve janë të pafundme. S’mund të lihet pa përmendur mungesa e ilaçeve, mungesa e higjienës, dhe fenomeni më i çuditshëm i cili sa vjen edhe nxirret më në pah është ai i bashkëpunimit të mjekëve me klinikat e veçanta private. Këto janë disa mënyra që në një formë apo në një tjetër ua bëjnë më të vështirë dhe më të mundimshëm shërimin pacientëve që u drejtohen dyerve të spitaleve nga halli sot.

 Pacientët: Spitali e ka humbur funksionin e tij, është bërë si stallë bagëtish!

Dhomat e spitaleve janë të ftohta në këto ditë dimri ku temperaturat janë shumë të ulëta. Por ato që e ndjejnë më shumë të ftohtin janë pacientët që për arsye të ndryshme janë të shtruar në këto ambiente. Ata shprehen të irrituar për situatën dhe ambientin më të cilin ndeshen. Por ajo që i detyron që ti nënshtrohen kushteve është pamundësia e tyre për të ndryshuar gjendjen në të cilën është katandisur sistemi ynë shëndetësor. “Jam e shtruar prej disa ditësh në një dhomë e cila rri po aq e ftohtë sa ambienti jashtë. Kam 6 ditë dhe nuk kam parë ndonjëherë që të vihen në punë ngrohësit” kështu shprehet pacientja E.M, nga qyteti i Leshnjes. Sipas pacientëve spitalet e kanë humbur funksionin e tyre në ditët e sotme dhe janë kthyer si ambiente stallash në të cilat mund të qëndrojnë bagëtitë se për njerëzit nuk i kanë kushtet. “Këtu nuk ka as ngrohje, muret janë me lagështi. Për të mos folur pastaj që mungojnë ilaçet shërbimi po ashtu është i keq. Mjekët më parë të shohin nga xhepat para se të dinë se për çfarë ke ardhur për tu vizituar. Jemi katandisur si mos më keq” shprehet për “Telegraf” pacientja Y.S nga Fieri e cila ndodhet e shtruar në spitalin “Nënë Tereza”.