Ikja e Perikli Jorgonit!

1100
Sigal


Shuhet në një aksident fatal, poeti i shquar dhe përkthyesi i kryeveprave botërore

Thuhet se poetët e mire kanë aftësi  parashikuese në veprat e tyre. Madje një poet i shquar, duke i u referuar kësaj vetie të gdhendësve të vargut, i këshillonte poetet e rinj, që të mos shkruanin poezi pesimiste me vdekje e vetëvrasje, pasi ata sipas tij (poetët) kanë veti parashikuese dhe kishte frike që kjo profeci poetike mund tu realizohej më pas në jetën e tyre. Kjo fatkeqësi i ka ndodhur edhe poetit e përkthyesit të shquar te letërsisë së huaj, Perikli Jorgoni. Më 13 dhjetor, po ndiqnim një dokumentar televiziv të realizuar nga Piro Milkani  mbi jetën dhe veprën e Dritëso Agollit. Pasi mbaroi ky dokumentar, nga më të realizuarit e kohëve të fundit, kur ndodheshim ende nën emocionet e tij, ndërsa po kërkoja në bibliotekën time librin e Agollit, “Pelegrini i Vonuar”, të cilin poeti ma kishte dhuruar me autografin e tij para 8 viteve, shikoj në titrat e një kanali televiziv njoftimin se një mjet kishte përplasur një të moshuar tek “Mbikalimi” i Fllakës dhe se, viktima kishte humbur jetën. Kishte humbur jetën tragjikisht një nga miqtë e Dritëro Agollit, poeti dhe përkthyesi i shkëlqyer që i dha letërsisë shqipe aq shume vepra dhe shkrimtare brilantë nga letërsia botërore. Perikli Jorgji Jorgoni (i datëlindjes 15 gusht 1936), banues ne Tiranë, vetëm një muaj më parë kishte botuar një poezi titulluar “Kujtimi i një nate dimri” (kushtuar mjekut, Jorgji Jorgoni), të cilën e përfundonte me vargjet: “Në u kujtofsh për mua, i gjallë a në dhe tretur, /Ti ngrima një dolli, për të më përshëndetur”,

të shkruar në Durrës, më 1 nëntor 2012, dhe e botuar te “Zemra Shqiptare”, më 8 nëntor 2012. Të thuash se e kishte parandjerë gjëmën që do t’i ndodhte veten pas 40 ditëve?! Me sa duket kjo është edhe poezia e tij e fundit, me të cilën ai ka gjetur një temë për të komunikuar shpirtërisht me të atin e tij… Por, nisur nga poezia e tij dhe amaneti poetik që, la pas në vargje, Jorgoni do të jetë i sigurt se ne qytetin e Durrësit, ashtu edhe në qytetet e tjera ku ai ka pasur shumë miq dhe shumë student, do të ngrenë shumë dolli për të!

Gazetari Thanas Mustaqi, kur mori vesh vdekjen e poetit, pasi shprehu keqardhjen e kujtoi me konsideratë për një gjest fisnik që kishte bërë ndaj tij kur Jorgoni ishte redaktor. Perikliu me dashamirësinë e tij e kishte shpëtuar nga burgu, për një poezi që ai kishte shkruar. Dhe që ishte shumë e avancuar për atë sistem të atëhershëm. Thanasi kishte përgatitur vëllimin e dytë poetik të tij për botim dhe në një varg ai kishte shkruar: “Mirëdita dite pranverore, me politikën e re të dallëndysheve”. Jorgoni e kishte preferuar këtë poezi, ndërsa me pas redaktorë të tjerë e kishin futur nëpër kalandrat e analizave politike atë. Kishin filluar aludimet se çfarë janë këto politika me dallëndyshe dhe të tjera. “Po të mos këmbëngulte Perikliu, – tha Thanasi, – me siguri që pas analizave të tjera mund të më dërgonin në burg…”. Shkrimtari dhe poeti durrsak Elton Bido e cilësoi vdekjen e tij si “Ikja e Shpirtçiltërit”. Ai thotë për të se, Perikli Jorgoni ishte sinonim i modestisë e i zemërbardhësisë, kundërshtar i bujës dhe i hosanave. Le të mundohemi t’u japim vendin këtyre njerëzve të shquar e të rralluar ndër kohët tona, sa i kemi mes nesh. Mënjanimin, smirën e prapaskenat le t’ua lëmë hipokritëve, lehaqenëve e puthadorëve  të paskrupullt, që mbushin ekranet dhe fletushkat tona. Bido thotë se: “E citonim shpesh bashkë thënien kuranore. ‘Çdo njeri është peng i veprës së vet’. Perikli Jorgoni e la veprën, letraren dhe njerëzoren. Në i mbettë dikush a diçka peng atij, kjo do të jetë lavdia”. Dhe ne fund shton: “U prehtë në paqe njeriu dhe mjeshtri që la vendin bosh!”.

Prehu në paqe, njeriu dhe mjeshtri që le vendin bosh!

JETESHKRIMI

Perikli Jorgoni u lind në 1936 në Tiranë dhe ndërroi jetë në Durrës, në dhjetor 2012. Biri i mjekut dhe pedagogut të njohur të mjekësisë Jorgji Jorgoni, shkolluar në Selanik e mandej në diplomuar Grac të Austrisë. Së pari, Perikliu botimet i nisi si poet me vëllime poetike botuar në vitet shtatëdhjetë  si “Balada e rrembave të gjakut”; redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” për vite me radhë dhe njëkohësisht përkthyes nga origjinali i: Uilliam Shekspirit me “Shtrëngata” ,”Mundimet e humbura të dashurisë” dhe  dramës P.B.Shellit, prozës së Tomas Manit dhe poezisë së Rainer M.Rilkes nga gjermanishtja, e kryemjeshtrit rumun të vargut Mihait Emineskut, poetit kombëtar hungarez Shandor Petëfit, Ana Ahmatovës nga rusishtja, Kostandin Kavafisit nga greqishtja, etj, etj. Ndarja e papritur nga jeta aktive i la pa botuar  katërvëllimshin “Jozefi dhe vëllezërit e tij” të Tomas Manit dhe përmbledhjen e gjerë poetike të Garcia Lorkës. Për disa nga autorët e huaj të sipërpërmendur dhe autorë tanë të traditës shkroi dhe mjaft kritika dhe ese letrare, nga Noli te Migjeni, nga Lasgushi (të cilin e donte aq shumë) deri te autorë të sotëm. Drejtoi së fundi në Durrës revistën letrare “Update”.

Poezia e fundit e Perikli Jorgonit

 Kujtimi i nji nate dimri

Në breg të detit Jon, tek rrija anës shkëmbi

E shihja dredhka ere mbi shkumën si argjendi,

Në mend më erdh një natë dimrake plot me erë,

Kur nja tre arixhij trokitën m’u në derë.

Një burrë e një grua me një çunak të mitur,

Të zbehtë e të mekur, me ballin e djersitur,

Me sytë si thëngjilli e flokët drudha-drudha,

I lodhur, i munduar nga ethet e nga udha.

Mbështjellë me velenxë po dridhej e kish ftohtë,

Dhe pse me gojë s’mundte një fjalë, të na thotë.

2.

Babai u hapi derën, dhe pse i shqetësuar

Nga këta endacakë, që erdhën pa i ftuar.

I futi brenda dhomës, ku bubullonte zjarri,

T’u thahej trupi i lagur e frymë lehtas t’u marri.

Fëminë që lëngonte e pa dhe shkurt e prerë

U tha: – Këtu të rrini, se s’duhet nëpër erë

Në këtë shi të dendur të merrni udhën prapë!

Fëmija do kujdesje… – E gjithë atë natë

I ndenjti përmbi krye, gjersa e kaploi gjumi

Çunakun që më s’dridhej e flinte si pëllumbi.

Dhe prindërve të gjorë, me vetullat si xhufka,

Iu ngroh gjaku i ngrirë edhe iu qeshi buza.

Nuk ndjenin atë tmerr si re kallkan, e nxirë,

Që shpirtin ua ndrydhte dhe fare i kish mpirë.

3.

Ndaj sa agoi, kurbati nga shtresat në mes sheshit

U ngrit e mblodhi rrobat, se jashtë ndrinte mëngjesi.

Por para se të shkonin sërisht në breg të lumit,

Tek çadrat që i ngritën mes xunkthit edhe kumit,

Desh mjekut të palodhur, me zemër kaq të bardhë,

T’ia puthte të dy duart, t’i thonte nja dy fjalë:

– Nuk kam si ta shpërblej, doktor, këtë të mirë,

Se rrojmë me mundim një jetë të vështirë,

Me kuaj, me kanistra, me falle e gërnetë,

Mundohemi ta shtyjmë këtë jallane jetë.

Por s’dua që të ndahem kaq shkaras, duarthatë,

Pa të të dhënë për mundin prej meje një dhuratë.

E nxori prej një cohe të hollë prej mëndafshi

Një byzylyk prej sermi, që në sënduk e pati.

4.

U prek në zemër mjeku, i foli qartë e shtruar:

– Gjithçka, o burrë i fisëm, me ar s’duhet paguar,

Se lumi e merr botën, në shtyhet nga paraja,

Që bëhet si lubi, kur të mbërthen tahmaja.

Ti mbaje byzylykun, se ka më tepër vlerë,

Se mundi i një nate me ngricë e me erë.

Kur djali të martohet, vendosja mu në dorë

Mes luleve sorkadhes plot nur e me kurorë.

Në u kujtofsh për mua, i gjallë a në dhe tretur,

Ti ngrima një dolli, për të më përshëndetur.

Durrës, më 1 nëntor 2012

Homazhe në Teatrin Kombëtar

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe familja do të organizojnë sot, në hollin e Teatrit Kombëtar, nga ora 09.30-11.00, homazhe në kujtim të poetit dhe përkkhyesit të shquar, Perikli Jorgoni, të ndarë nga jeta tragjikisht.

Perikli Jorgoni, me një frymëzim të fortë intelektual dhe patriotik, mori pjesë në të gjitha debatet që shoqëruan rritjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, duke lënë  gjurmë të qarta edhe si publicist i lirë dhe veprimtar i lidhur ngushtë me vendin dhe kombin.