Damian Gjiknuri inspekton punimet për Unazën në Cërrik: Shkurton kohë për qytetarët

Rehabilitimi i plotë i rrugës në unazën e qytetit me të gjithë parametrat e duhur, përfshirë asfaltimin, trotuaret, pajisjen me ndriçim, do u vijë në ndihmë banorëve dhe do shkurtojë kohën për automjetet, që do dalin direkt në rrugën nacionale që lidh qytetin e Cërrikut me Elbasanin. Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Andis Salla, inspektuan punimet për unazën e Cërrikut, të cilat po ecin me ritme të shpejta për përfundimin e tyre sa më parë.

Gjiknuri që është dhe drejtues politik i qarkut shprehu mbështetjen e qeverisë dhe të mazhorancës për projektet në këtë zonë. “Andisi e ka justifikuar veten, por do dhe mbështetjen tuaj që të bëjë dhe punë të tjera. Edi Rama këtë e ka marrë për shembull”, -nënvizoi Gjiknuri.

NOA

Kryebashkiaku Salla theksoi se kjo zonë po merr një vëmendje të rëndësishme nga pushteti vendor dhe ai qëndror duke njohur një sërë investimesh. “Kjo ishte një zonë e harruar e qytetit. Nuk mund ta linim në këtë fazë pasi është një pjesë shumë e rëndësishme. Unaza e qytetit e lidhim me rrugën nacionale që përfshin dhe Elbasanin. Në këtë zonë, përveçse merr vlerë tjetër edhe prona, u japim mundësi qytetarëve që të kenë akses kalimi. Ne këtë kemi për ta përfunduar me të gjithë parametrat e duhur. Tani po bëjmë asfaltimin, kemi dhe trotuaret në mënyrë që të jetë e aksesueshme”, -tha ai.
Salla nënvizoi se qyteti është gjetur me zero asfaltime dhe tashmë 90% e qytetit po asfaltohet.

“Ne qytetin e kemi gjetur pothuajse me zero asfaltime. Sot po arrijmë që 90% e qytetit po asfaltohet, po bëhet me trotuare, me ndriçim, me kënde për fëmijët. Ne kemi dhe një projekt goxha të madh, do jetë parku më i madh i qytetit. Do të realizojmë një nga parqet më të mëdha që do të jetë në mes të qytetit të Cërrikut”, -deklaroi kreu i Bashkisë Cërrik.