Prof. Qemal Lame: Prapskenat ndërkombëtare në prag të rendi të ri botëror

177
Sigal

Bota është ndarë faktikisht në grupime me interesa të ndryshme politike, ekonomike e shoqërore. Fuqitë e reja gjeopilitike me pretendime për superfuqi kanë krijuar një gjendje të re duke prishur gjithë ekulibrat politikë, ekonomikë e ushtarakë të mëparshëm. Në këtë kompleks të ri marrëdhëniesh ndikon edhe politika e re amerikane, që u tërhoq nga roli i fuqisë imponuese ndërkombëtare, që cilësohej si polici ndërkombëtare.

Vizita e presidentit amerikan në Evropën Lindore këtë vit tregon se amerikanët e marrin shumë seriozisht angazhimin e tyre, qoftë edhe vetëm për interesin e tyre. Ata duan ndihmë, por synohet edhe të ndihmojnë evropianët që këta të ndihmojnë veten e tyre. Një tjetër rrezik në anën tjetër të botës po merr formë. SHBA-të tashmë po e vërejnë këtë në vendin e tyre. Për shembull, lëshimi i balonës së dyshuar të spiunazhit mbi hapësirën ajrore amerikane, udhëtimi i anuluar i Ministrit të Jashtëm Antony Blinken në Kinë, komunikimi gjithnjë e më i përkeqësuar midis Pekinit dhe Uashingtonit dhe veçanërisht tensionet në rritje rreth Tajvanit.

Nga ana tjetër, janë përpjekjet në rritje të Biden në Evropë, vizitat e tij në Kiev dhe Varshavë, lufta e vazhdueshme e Putinit në Ukrainë, mbështetja masive e SHBA dhe NATO-s. Njëkohësisht ndjehet rritja e demonstrimit ndërkombëtar të solidaritetit të Kinës me Rusinë dhe mbështetja që ato kanë marrë nga dy fuqi të tjera në rritje: Indisë dhe Brazilit.

Këto sfida tregojnë se vizita e Bidenit në Evropën Lindore nuk kishte të bëjë vetëm me Ukrainën. Bëhet fjalë për ndikimin dhe kërcënimin e shteteve demokratike në botë në tërësi dhe rrjedhimisht për të ardhmen e stilit të lirë të jetesës së popujve të tyre. Në rrezik janë shtetet sovrane, që qëndrojnë në rrugën e aspiratave perandorake të shteteve autoritare. Kjo ka pasoja të shumta të analizuara edhe përtej krizës së Ukrainës apo Tajvanit.

Dy fuqitë bërthamore, Rusia dhe Kina, po e shoqërojnë dhe mbështesin nga afër njëra-tjetrën. Moska tregoi interesat e vjetra të hapta e të maskuara dhe me forcën ushtarake bëri ndryshimin e kufijve, zgjerimin e teritorit dhe sigurimin e ndikimit të saj në Evropë. Pekini po tregon forcën ushtarake në rritje që të frenojë ndikimin amerikan në Paqësor dhe të arrijë me bisedime apo me luftë të aneksojë Tajvanin. Natyrshëm arrihet në përfundimin se një Luftë e re e Ftohtë po afrohet midis Aleancës Perëndimore dhe Rusisë e Kinës.

Gjeopolitika amerikane i kushton rëndësi forcimit të aleancës politike e ushtarake midis partnerëve në Evropë dhe Azi. SHBA, si fuqia më e madhe ushtarake në botë midis Atlantikut dhe Paqësorit, ka armatosur për vite me radhë shtetet e saj aleate të njohura, duke përfshirë ish-armiqtë e Luftës së Dytë Botërore: Gjermaninë dhe Japoninë. Ata formojnë kështu teritore mbrojtëse ushtarake të gjeostrategjisë perëndimore, nga njëra anë kundër Rusisë dhe nga ana tjetër kundër Kinës. Amerikanët të vetëm nuk do të jenë në gjendje për t‘iu kundërvënë me sukses të dy këtyre vendeve me regjime totalitare.

Në Evropë, vendet e NATO-s kanë një rëndësi të veçantë. Kjo u demonstrua qartë në Poloni kur Presidenti Joe Biden u takua me krerët e shteteve dhe qeverive të të ashtuquajturave Bukuresht nëntë, B9 dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Vizita në Shtëpinë e Bardhë me ftesë të Biden e presidentit francez Emmanuel Macron dhe së fundi e Kancelarit Gjerman, Olaf Sholz tregon për forcimin e bashkëpunimit me SHBA.

Evropa merr përparësi në gjeostrategjinë, pasi zhvillimet po bëhen gjithnjë e më problematike. Shtetet e Bashkuara duhet të mbështeten tek evropianët që të marrin më shumë përgjegjësi, nëse duan të përkushtohen ndaj rivalit të tyre të madh në Lindje. Prandaj, Shtetet e Bashkuara kanë forcuar ushtarakisht aleatët e tyre në anën tjetër të botës kundër Kinës prej vitesh. Japonia, Tajvani, Koreja e Jugut, Australia dhe Filipinet, si vendet B9 në Evropë, formojnë një lloj unaze mbrojtëse në Paqësor, që synon të frenojë ndikimin e Kinës.

Koha duket se po imponon ndryshimet transformuese politike e ushtarake në Aleancën Perëndimore. Po me këtë ritëm, edhe Kina po e përdor luftën në Ukrainë për interesat e saj. Jo pa arsye SHBA publikoi edhe një herë informacionin e shërbimit sekret, që kishte marrë pak ditë më parë. Kina dyshohet se po furnizon me paisje ushtarake dhe po shqyrton dërgesat reale të armëve në Rusi.

Ndërsa Joe Biden udhëtoi për në Ukrainë dhe në Poloni në krahun lindor të NATO-s, në konferencën e sigurisë në Mynih, drejtori i politikës së jashtme të Kinës, Ëang Yi, propozoi një iniciativë të supozuar paqeje. Në vizitën që bëri me Putinin në Kremlin, ai akuzoi NATO-n se po i hidhni benzinë zjarrit në luftën në Ukrainë. Presidenti i Kinës Xi Jingping thuhet se do të planifikojë një vizitë te Putini në Moskë në muajt e ardhshëm.

Për Uashingtonin, ka qenë prej kohësh e qartë se Rusia dhe Kina formojnë një bllok. Sado të ndryshme të jenë interesat e tyre, të dy kanë interes të dobësojnë SHBA-në dhe NATO-n. Ata përpiqen të përdorin varësitë për të ndarë shtetet individuale nga aleancat e tjera ose për t’i penguar ata të hyjnë në të tjera. Për këto qëllime, Rusia përdor rrjetin e saj të furnizimit me gaz në Evropë, ndërsa Kina projektin e saj të ri të Rrugës së Mëndafshit që shtrihet deri në Evropën Perëndimore.

Fjalimi i Bidenit në Poloni trajtojë veçanërisht konfliktin në Ukrainë. Por ai e vendosi atë në dimensionin global dhe ju dha përgjigje rreziqeve, që krijohen nga forcat që kundërshtojnë parimet themelore të rendit ndërkombëtar dhe sfidojnë SHBA-në dhe aleatët e saj kudo. Ai bëri të qartë politikën amerikane ndaj një rendi të ri botëror. Zhvillimet politike e ushtarake dhe kriza e Ukrainës e Taivanit kanë prishur ekuilibrat e njohura dhe përbën një kërcënim real më të madh strategjik për SHBA-në dhe aleatët e saj.

Problemi më esencial është rreziku i shtuar për kontrollin e armëve bërthamore dhe mundësinë e përdorimit të tyre nga Rusia në Ukrainë në rast se rrezikohen interesat e saj.  Rusia bëri të njohur tërheqjen nga Traktati për Kontrollin e Armëve, por do ta respektojë, megjithëse nuk do të marri vendim konkretisht për shkëputjen nga kjo marrëveshje që përfundon në vitin 2030. Kjo u vlerësua nga Biden si një gabim i madh historik i Putinit.

Në fjalimin e tij në 21 shkurt 2023, në Duma, Putini deklaroi solemisht shkëputjen nga marrëveshja për armët bërthamore dhe mos shtimin e arsenalit bërthamor. Dy ditë më vonë, ai deklaroi forcimin e forcave bërthamore. Me këtë qëndrim ai përforcon politikën e kërcënimeve për shtimin e armëve bërthamore dhe përdorimin e tyre.

Bashkësia ndërkombëtare reagoi kundër kërcënimit për përdorimin e armëve bërthamore, u dënua edhe një herë pushtimi i Ukrainës nga Rusia, kërkohet ndalja e luftimeve dhe tërheqja e ushtrisë ruse për të respektuar integritetin teritorial ukrainas. Shqipëria e Kosova janë radhitur që në fillim me Aleancën Perëndimore dhe sanksionet nga SHBA e BE. Kina bëri të njohur propozimin e saj me 12 pika për paqen në Ukrainë. Edhe Ukraina e Rusiaduan paqen, por me qëndrime të njëanshme e krejt të ndryshme. Ukraina kërkon tërheqjen e ushtrisë ruse. Kremlini e vlerëson si kapitullim me pasoja për ekzistencën e Rusisë. Putin kërkon që Ukraina të pranojë kapitullimin. Prandaj bisedimet dhe paqja nuk janë në temën e ditës së këtyre dy vendeve, si dhe të shteteve partnere të interesuara për të ndërmjetësuar.

Aleanca Perëndimore mbështet dhe ndihmon me armatime dhe mjete financiare Ukrainën. Analistët ushtarakë e politikë janë të mendimit se lufta do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti.

Aleanca Perëndimore ballafaqohet me ndryshimet më të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare në gjithë historinë e tyre dhe këkohet të dëshmojë përparësinë e vlerave të demokracisë e të shoqërisë së lirë. Kjo kohë shënon një pikë kthese që do të përcaktojë rrjedhën e disa dekadave të ardhshme.