Frank Shkreli: Lezha thërret për besëlidhje

668
Javën që kaloi në Lezhë dhe në Romë u përkujtua 549- vjetori i vdekjes se Gjergj Kastriotit Skënderbeu. Me këtë rast, sipas portalit të Bashkisë Lezhë, u mbajtën ceremoni në memorialin që ruan vendvarrimin e Heroit, ku thuhet se morën pjesë drejtues të pushtetit vendor dhe të institucioneve, përfaqësues të partive politike dhe besimeve fetare, ndërkohë që nxënës shkollash e qytetarë të Lezhës bënë homazhe dhe vendosën tufa me lule tek varri i Heroit Kombëtar të shqiptarëve. Njoftohet se Kryetari i Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj ne fjalën e tij me këtë rast theksoi se, “Kjo ditë shënon përmbylljen e një prej periudhave më të sh ndritshme të historisë sonë, kur Shqipëria iu imponua Evropës si mbrojtëse e qytetërimit të saj dhe kur Gjergj Kastrioti hyri në histori si një ndër gjeneralët më të mëdhenj të epokës së vet, si strateg i luftës dhe profet i paqes”. Ai shtoi se kjo ditë historike për shqiptarët kudo, nuk është vetëm një datë kur Heroi Kombëtar i Shqiptarëve ndërroi jetë, por kujtohet na të gjithë, “Si një përjetësim i veprës madhështore të tij, si një trashëgimi e vyer e trimërisë dhe urtësisë, vlera këto që na bëjnë të ndjehemi krenarë që jemi trashëgimtarë të Gjergj Kastriotit, njeriut simbol të Bashkimit të Kombit, që diti të arrijë konsensusin e princave hatërmbetës, duke u bërë baza e themelit të shtetit”. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Frank Frrokaj njoftoi se, në nderim të veprës së Heroit Kombëtar kishte gati për t’ia paraqitur Kuvendit të Shqipërisë propozimin për shpalljen zyrtare të 2-Marsit, Ditën e Besëlidhjes së Lezhës, si festë mbarë kombëtare, duke theksuar se Lidhja historike e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu me Lezhën dhe me Besëlidhjen e saj, mbetet një dëshmi e pakontestueshme. Njoftohet gjithashtu se në ceremoninë e 549-përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, morën pjesë dhe përcollën mesazhe paqeje, mirësie, tolerance dhe bashkëjetese vëllazërore udhëheqësit fetarë vendas, Arkipeshkvi i Shkodër-Pultit, Monsinjor Anxhelo Masafra dhe Imami i xhamisë Lezhë, Agim Tereziu. Njëkohësisht, edhe në Romë të Italisë, për herë të parë, tri ambasadat shqiptare në atë vend (2 ambasadat e Republikës së Shqipërisë, ajo pranë Vatikanit dhe ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Kosovës, pranë Italisë), organizuan së bashku me rastin e 549-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, me 17 Janar një ceremoni përkujtimore në sheshin “Albania”, pikërisht aty ku me madhështinë e tij krenare mbizotëron hapësirën, monumenti i Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbe. Radio Vatikani shqip njoftoi se përveç diplomatëve të lartë shqiptarë në Romë dhe Vatikan, pranë monumentit të Heroit të tyre Kombëtar, ishin mbledhur me këtë rast shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali nga Shqipëria dhe Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare, por nuk mungonin as arbëreshët dhe miq të huaj dhe italianë. 
Diplomatët shqiptarë gjatë ceremonisë para monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, në sheshin “Albania”, Romë. Shefi i ambasadës së Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit, në fjalën e rastit, Visar Zhiti theksoi rëndësinë dhe simbolikën e ritualit të organizimit të ceremonisë dhe të vendosjes së bashku të tri kurorave në nderim të Heroit Kombëtar nga tri ambasadat shqiptare, një ndërmarrje kjo që Përfaqësuesi i Republikës së Shqipërisë pranë Vatikanit e cilësoi si një, “Ëndërr e shqiptarëve, një ëndërr në rrugën skënderbejane.” Diplomati shqiptar Visar Zhiti përshëndeti të pranishmit duke thënë se, “Skënderbeu ishte mik i Evropës në kuptimin e mirë dhe ishte luftëtari i saj. Skënderbeu ishte bashkëpunëtori dhe aleati i Selisë së Shenjtë, i katër papëve, me të cilët bashkëpunoi. Krijoi një Shqipëri të fuqishme, të lirë që për 25 vjet përballoi superfuqinë e asaj kohe dhe njëkohësisht u bë dritë dhe pishtar për shekujt e mëpastajshëm” shtoi ai. Në fjalën e tij përshëndetëse, Visar Zhiti nënvijëzoi se, si mbrojtës i qytetërimit perëndimor, “Skënderbeu është, në një farë mënyre, kryekomandanti i parë i kësaj Evrope të bashkuar që kemi.” Ndërsa edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, Alma Lame theksoi lidhjet e Gjergj Kastriotit Skënderbe me Evropën, duke thënë se, “Figura e Skënderbeut i ka tejkaluar, prej shekujsh në fakt, përmasat kombëtare. Ai është një figurë që i përket Evropës. Nuk është cilësuar kështu nga ne, por është cilësuar nga mbarë Evropa”, nënvijëzoi krye diplomatja e Kosovës në Itali. “Skënderbeu nuk është vetëm një figurë historike, ai është shndërruar në një figurë të letërsisë, të artit, të kulturës, në kohën kur jetojmë”, u shpreh ajo. Në fjalën e saj, diplomatja Lame vazhdoi duke thënë se, “Megjithatë, Skënderbeu si duket ka ende armiqë. Ata janë shumë më të pakët dhe shumë më të dobët, por megjithatë ata ekzistojnë. Dhe ne si pasardhës të Skënderbeut dhe të frymës së tij dhe të asaj çfarë ai përfaqëson për mbarë kombin tonë, por edhe për mbarë Evropën, ne duhet që të jemi bashkë dhe të japim përgjigje, atë përgjigje që po të ishte gjallë Skënderbeu, do tua jepte atyre armiqve që në të vërtetë janë të pakët dhe ne do t’i mundim”, përfundoi ambasadorja e Republikës së Kosovës në Romë.
Ndërkaq, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Romë, Anila Bitri në fjalën e saj nxori në pah vlerat kombëtare dhe ndërkombëtare të Gjergj Kastriotit, duke u shprehur se “Heroi ynë kombëtar, as legjendë dhe as mit, por një personazh i madh historik, i cili programoi dhe ideoi struktura bashkëpunimesh, ndërtoi aleanca, hodhi themelet e shtetit të bashkuar të Arbrit, duke themeluar Lidhjen e Lezhës.” Lidhja e Lezhës, tha ambasadorja e Tiranës në Itali, është “Institucioni i parë pan-shqiptar që i bënte shqiptarët të projektoheshin në arenën politike ndërkombëtare të asaj kohe, po me aq peshë, me aq forcë, sa edhe popujt e tjerë mesdhetarë dhe evropianë. Ideali që ndërtoi ai duhet të na bashkojë të gjithëve. Unë do doja fort që sa herë të tuboheshim, të hynte në ritual të ditës së celebrimit takimi me Heroin. Mund të ndezim një pishtar, mund të vijmë dhe ta shohim për të rimarrë mesazhin që ai lë”, mbylli fjalën e saj krye diplomatja e Shqipërisë në Itali. Propozimi referuar më lartë i Bashkisë së Lezhës për shpalljen zyrtare të 2-Marsit, Ditën e Besëlidhjes së Lezhës, si festë mbarë kombëtare është një nismë që meriton të merret parasysh dhe të shqyrtohet seriozisht kur t’i paraqitet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për ta marrë në konsideratë. Lidhja e Lezhës, siç e cilësoi edhe ambasadorja e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, është “Institucioni i parë pan-shqiptar”, por njëkohësisht edhe ideali, i cili ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbe duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët pa dallim. Viti që vjen, shënon 550-vjetorin e kalimit në amshim të heroit dhe Fatosit të Madh mbarë kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nuk është herët, që institucionet relevante shqiptare të fillojnë të mendojnë për një përkujtim të denjë kombëtar të këtij përvjetori. Një përkujtim, i cili 550-vjet më vonë, të flasë me krenari për trimëritë dhe flijimet e mëdha të shqiptarëve, që ata pësuan në mbrojtje të Evropës dhe qytetërimit të saj, të udhëhequr nga Prijësi i Madh i shqiptarëve. Por për më tepër, duhet të jetë edhe një celebrim për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, një rast frymëzimi për një Besëlidhje të re shqiptare, mbështetur në një zotim të ri për vepra të reja të përbashkëta, ashtu si në kohën e Skënderbeut. Javën që kaloi, me rastin e 549-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Lezha e Gjergj Kastriotit bëri thirrje që 2 Marsi, të shpallet Dita e Besëlidhjes së Lezhës, në kujtim — të atij që Papa Pali VI e pat cilësuar Skënderbeun në një fjalim drejtuar shqiptarëve në Romë më 1968 me rastin e 500-vjetorit të vdekjes — “Të gjithmonshmit të fisit tuaj, i cili gjithherë, mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit e të burrërisë… ashtu që testamenti i Skënderbeut dhe Atdheu i juaj të shkëlqejë me meritime të reja.”
Sigal