Covid-19, nafta dhe petrokimia

439
Sigal

Pse Rama nuk troket në dyert e kompanive të huaja, që shfrytëzojnë naftën shqiptare?

Nafta dhe mineralet tona janë pasuri kolosale, që mund të amortizojnë tërmete dhe viruse.

– Kjo heshtje fetare e Ramës, ndaj kompanive të naftës, të cilat “punojnë me humbje”, të bënë të mendosh se në këtë mes fshihet një Covid-19 më i tmerrshëm

 (Shkenca mund të shpjegojë si shumëzohet një virus, por nuk di të thotë  se përse derdhet një lot. Bernard LON)

Ahmet Ҫollaku  

Tani afër një koleg më shkruan se duhet  të kujdesemi për shëndetin. Nuk bëhet shaka. Ndërsa nafta do të ketë ulje çmimi, sepse s’ka  lëvizje makinash, aeroplanësh, anijesh… Kjo të kujton  kohën primitive… OPEC, i  udhëhequr nga Arabia Saudite, i kërkon Rusisë për të shkurtuar miliona fuçi nafte në ditë… Pra, në këtë botë vetëm ajrin e kemi të lirë, sado që tani e kemi të minuar. Ndërsa për ujin paguajmë… Universi përbëhet nga ndodhi, jo nga atome, thotë Amajuriel Rucejser.

Kinë,Wuhan 12 Dhjetor 2019

Nafta është në  luftë me Covid-19. Mjekët, policët, ministrat, asnjë  s’ lëvizin pa makinë. Makina e urgjencës nuk ndizet, nëse serbatori nuk ka naftë. Doktorët mbahen mënd më shumë se viruset, por që nuk lëvizin pa makina. Nafta është organike si vetë njeriu. Së pari duam ajër, se pa ‘të nuk jetojmë as pesë minuta. Pastaj duam ujin për të pirë dhe për t’u pastruar.  Dhe më tej duam energjinë e naftës! Ikna e bujqësisë agronomi, Ali Coka, lutet vetëm për një bot nafte ta bëjë bujqësinë, “Ashtu Myzeqe”.
Habitem me Ramën, më shkruan një shok  tjetër. Z.Rama po kruan xhepat e shtetit dhe po  kërkon ndihmë anë e mbanë. Po, si nuk troket në dyert e kompanive të huaja, që shfrytëzojnë naftën? Tani është rasti më i mirë t’i anulojë të gjitha marrëveshjet skllavëruese. Nafta dhe mineralet tona janë pasuri kolosale, që mund të amortizojnë tërmete dhe viruse. Kjo heshtje fetare e Ramës, ndaj kompanive të naftës, të cilat “punojnë me humbje”, të bënë të mendosh se në këtë mes fshihet një Covid-19 më i tmerrshëm se ky. Pra, ka disa gjëra më të këqija se tërmetet dhe viruset. Kompanitë e huaja, që vjedhin pasuritë e Shqipërisë, janë Covid-19. Edhe opozita shqiptare nuk ndihet fare për naftën, ajo është me Ramën sepse së bashku kanë mashtruar dhe vjedhur. Koka e zezë e opozitës shqiptare, Sali Berisha, përgjon nga frëngjitë e tij ndonjë polic rendi, por jo këto koncesione nafte, shumë prej të cilave i ka aprovuar vetë…

Wuhan 12 Dhjetor 2019…

Kjo Pandemi e madhe nuk njeh ideologji, kufi, gjeografi, princa dhe senatorë, mbretër dhe mbretëresha, shënjtorë. Nafta është lokomotiva, përkrah personelit mjeksor kundër virusit Covid-19.  Mjeksia ka nisur 8.000 vite Para Krishtit. Nafta është baza e Petrokimisë dhe  Petromedicinës. Nga sot koha do të ndryshojë kordinatat. Këtej e tutje Koha do të arshivohet me simbolet Para dhe Pas Covid-19…, sepse  njerzit, sipas një fillozofi, kanë ndryshuar shumë nga gjëndja e tyre natyrore! Janë bërë frikacakë, të poshtër dhe mashtrues…
Soba ime punon me gas. Gas nafte, lëndë ku bashkohen magjishëm Carboni me Hidrogjenin. Kur kujtojmë naftën, mendja na shkon tek energjia dhe tek ato mijëra produkte, që prodhohen prej distilimit të saj.  Shumë produkte, sa nuk numërohen dot:  Karburantet e makinave, bitumet për shtrimin e rrugëve, shampot, pesticidet, plehrat kimike, prodhimet plastike, antibiotikët… Nafta e papërpunuar është lënda e parë kryesore për industrinë kimike. Covid-19 e vret sapuni, jo qeveria shqiptare. Së pari lani duart, thonë mjekët! Nga nafta prodhohen edhe shumë parfume grash, pa të cilat shumë vajza do të kishin ngelur pa u martuar, kurse gratë s’do të qëndronin dot mbi taka… Covid-19 e theu më dysh Italinë, rrëzoi nga tavani i katedraleve skulpturat e Mikelanxhelos. Dhe qau tërë bota! Në kuzhinë kam një thes me miell, ca shishe vaji, ca qese me fasule, ushqime të tjera, si makarona dhe oriz… se nuk e dimë sa do të zgjasë kjo kolere. S’e kishim menduar kurrë këtë gjëmë! U dashka të mbyllemi brenda.  I ndarë jam më dysh, s’e di as si, as qysh, rimon akademiku Kopi Kycyku.


Fqinji im Low,  këtu në të djathtë të shtëpisë time,  rri kyçur me ditë të tëra. 

Ai ka një makinë të vogël, të vjetër, që konkurron me ‘të. Low e vë në lëvizje makinën vetëm një herë në javë, kur shkon të blejë ushqime, kryesisht në  Shop Rite, ku e kam parë disa herë. Më ka ofruar ndihmë. Është shumë njerëzor. Po tani na ka ndarë Covid-19. E shikoj të ndez makinën, të marrë rrugën Thompson. Kjo rrugë e drejtë zgjatet si meridian gjeografik deri tej…  në vendlindjen time, në Shqipëri. E ndjek Zotin Low me sy, sa kalon godinën e Fillit, kompaninë ku punojnë shumë gra shqiptare, që nga lodhja dukeshin si të droguara…
Makina e Low i turret rrugës Allegeny, si të futet në një ring boksi. Kjo është rruga e autobusit 60, që i shkon pa pushim qytetit të Filadelfias, nga lindja në perëndim. Tani në të dy anët e rrugën Thompson ka vetëm makina. Nuk gjen vend të parkosh. Makinat dremisin, por jo si herët e tjera.  Tani ato të frikësojnë, të bëhet sikur janë mbushur me detektivë.
Në jug kjo rrugë zgjatet në veri të restorant Paradise, ku pronare është Penny, greke ardhur në Amerikë qysh nga viti 1980, para Covid-19… Tani restoranti pranon porosi online…
Këtu në Richmond, pemët e rralla anës rrugës po çelin me frikë. Duket sikur ky dimër i gjatë, s’ka ndër mënd t’i zgjojë pemët nga gjumi! Kjo pamje më sjellë ndërmend dy vargje të  Pushkinit: Sa më trishton kjo ardhja jote, o pranverë, o dashuri…
Afër shtëpisë time është një kënd lojërash.. Tani portat e këtij sheshi, rrethuar me rrjetë teli, janë të mbyllura me kyç.  Nuk shikon fëmijë. Rrallë ndonjë zë i mprehtë fluturon nga dritaret, si protestë burgu. Diçka e rënde dhe e hidhur më rëndon në gjoks…
Kohë më parë kaloja këtu pranë dhe u buzëqeshja të gjithëve, fëmijëve dhe të rriturve, zezakëve dhe meksikanëve… E, si nuk e paskemi ditur vlerën e ajrit, bukurinë e natyrës, fuqinë e lirisë, magjinë e dashurisë… Me Covid-19 u infektua edhe dashuria. Tani nuk ka më dashuri buzë më buzë. Tani të gjitha dashuritë janë nostalgji. Më parë, në ata stolat e gjatë dhe të pastër të parkut, bashkë me fëmijët uleshin edhe mjaft gra  malësore shqiptare, të ardhura në Filadelfia para Covid-19.


Përskaj rrugës Indiana, gati përballë shtëpisë time, ndodhet godina e  dasmave. Këtu nuk ka më festa. S’ka më hov rinor. S’ka më asnjë dashuri të zyrtarizuar. Dyert janë mbyllur. Mungojnë edhe njoftimet pranë rrugës. Nuk duken më nuset veshur me fustane të bardha.
Jo shumë larg kësaj godine, përballë shtëpisë së zotit David, mikut tim shkodran, është biblioteka e lagjes, një ndërtesë e bukur akademike… Pemët rreth sajë kanë nisur të çelin, por ato nuk i mbajnë dot ato lule me gjethe të reja. I  lëshojnë në tokë si lot. Pemë dhe bar jeshil ka edhe  në sheshin e bukur pas saj.  Në derë nuk ka më asnjë njoftim për evenimente, apo ndryshim orari.. Nëpër shkallët e mermerta, brenda oborrit rrethuar me gardh hekuri, era ka bërë kërdinë. Ka burgosur gjethe të vjetra dhe lule të reja… Është kriza e Covid-19.