“Çfarë bëri Turi, se na iku truri”! Ja pyetja në testin e Letërsisë që revoltoi maturantët

402
Sigal

Maturantët janë ngritur sot në protestë, duke u ankuar se provimi i Gjuhës dhe Letërsisë ishte i vështirë dhe i pakuptimtë. Maturantët shprehen se pyetjet ishin absurde dhe nuk kishin të bënin aspak me lëndën apo me ato që kanë mësuar gjatë tre viteve në shkollën e mesme.

Njëra ndër pyetjet kryesore që revoltoi më shumë maturantët dhe që u shpërnda më pas në rrjet kishte të bënte me “Turin”, një personazh pjesë e një problemi.

Më poshtë, po e sjellim të plotë pyetjen:

“5. Lexoni paragrafin e meposhtëm
Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje edhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkën, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.
Cila nga pyetjet e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?
A) Duke u përqendruar, Turi u përpoq të kujtonte procedurën e saktë për të kthyer barkën në një pozicion te sigurt.
B) Ndërkohë, uji i ftohtë lumit vazhdoi të përplasej në anët e barkës duke i bërë qull Turin dhe miqtë e tij.
C) Turi e dinte që ai dhe miqtë e tij ishin të përgatitur për t’ia dalë në situata të tilla.
D) Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati përmbysi barkën.”

Siç e kuptuat ky ishte “Turi” që ua ka nxirë jetën dje maturantëve, por këta të fundit e vazhduan ‘problemin’ e Turit edhe pas provimit.

Në rrjetet sociale brenda pak orësh “Turi” u kthye në sensacion përmes ironisë dhe talljes nga maturatët që publikuan meme dhe ‘sugjerime’ për ministren e Arsimit që Turi të përfshihej edhe në provimet e tjera.