Censi 2023, Kryegjyshata Bektashiane i bashkohet thirrjeve për t’u regjistruar të lirë

27

Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, apel qytetarëve të regjistrohen në respekt dhe detyrim të censusit në besimin: “Mysliman – Bektashi”

Sigal

Ndonëse vetëm pak ditë që ka filluar, procesi i Censit 2023 duket se po shoqërohet me diskutime të ndryshme veçanërisht nga thuajse të gjitha komunitetet fetare, sipas të cilave pyetja për deklarimin e besimit nuk duhet të ishte facultative, por si gjithë pyetjet e tjera. Por ajo që të gjitha Komunitetet Fetare në Shqipëri i bashkon është thirrja e tyre për pjesëmarrje në proces. Edhe Kryegjyshata Bektashiane i është bashkuar thirrjeve që ftojnë shqiptarët për regjistrim në Cens përtej gjithçkaje. Besimtarët bektashianë në këtë Cens rregjistrohen si “muslimanë-bektashianë” sipas opsionit të përgjigjeve të formularit të pyetjeve. Në njoftimin e kryegjyshatës bektashiane të Shqipërisë thuhet: “Të dashur vëllezër e motra besimtarë! Në Shqipëri, Instituti i Statistikave, më 18 shtator 2023 nisi Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave. Në kuadër të regjistrimit, do të ju pyesin për përkatësinë fetare, prandaj bektashinjtë praktikantë ose jo, duhet të jenë të kujdesshëm se si të deklarohen në mënyrë që të dhënat e regjistrimit të dalin të sakta në fund të procesit.” – thuhet mes të tjerash në njoftim. Po ashtu kjo Kryegjyshatë shkruan se “Kryegjyshata Botërore Bektashiane, pret që bektashinjtë praktikantë ose jo në Shqipëri, ta identifikojnë përkatësinë e besimit fetar specifikisht si “Mysliman Bektashi”: Deklarimi i besimit, është “detyrë” shpirtërore për gjithsecilin, ndaj duhet të siguroheni që regjistruesi selekton apo zgjedh në tabelën elektronike atë që ju deklaroni.” Kryegjyshata njofton besimtarët bektashi që në pyetjen: “Cila është feja ose besimi që ndjek ose i përket?”, ju ftojmë që të përgjigjeni “Mysliman-Bektashi” thuhet kështu në njoftimin e bërë nga Kryegjyshata. Shumë komunitete fetare në vend, u janë drejtuar besimtarëve të rregjistrohen në procesin e rregjistrimit të popullsisë.