Celularë dhe kopje, ndëshkohen maturantët

339
Pas provimit të Gjuhës së Huaj, Ministria e Arsimit ka publikuar masat dhe penalitetet e ndërmarra në provimin e matematikës. Në një komunikim për mediat kryesuesja e grupit të punës për Maturën Shtetërore, Nora Malaj, tha se janë konstatuar 90 maturantë që kanë shkelur rregulloren, pasi janë kapur me celular ose duke kopjuar. 90 maturantë janë përjashtuar nga provimi i matematikës, për shkak se janë konstatuar që kanë shkelur rregulloren e MAS për provimet e maturës shtetërore. Drejtuesja e komitetit të punës për maturën shtetërore Nora Malaj tha se shkeljet kanë qenë prania e telefonit celular si dhe kopja. “Nga raportimi rezultuan se 90 maturantë janë kapur me kopje dhe me celularë. Në Bulqizë një nxënës u kap me celular, në Mat dy nxënës u kapën me celularë. Në Durrës, pa filluar provimi 5 nxënës janë kapur me celularë dhe janë pezulluar nga provimi. Në Pukë 3 nxënës u kapën me celularë”, tha ajo.

Referuar rezultateve të para të publikuara për provimin e gjuhës së huaj, Malaj tha se 1020 maturantë apo 2.82% e maturantëve kanë marrë notë jokaluese. “Numri i maturantëve që iu nënshtrua këtij provimi ishte 36.159 maturantë. Nga këta, nota jokaluese morën 1020 maturantë që do të thotë 2.82%. Nota kaluese morën 35.139 maturantë, ose thënë ndryshe kalueshmëria në provimin e parë të gjuhës së huaj është në rang kombëtar 97.18%”, u shpreh ajo.

Provimi i fundit që do t’i nënshtrohen maturantët është ai i lëndëve me zgjedhje që do të mbahet më 23 qershor. Malaj u ka bërë thirrje maturantëve, por edhe prindërve, të zbatojnë rregulloren përndryshe do të përballen me penalitete.