Karta e Shëndetit, një mashtrim në kurriz të shqiptarëve

634
Në Qendrën e Specialiteteve Nr.1 në Tiranë, qytetarët paguajnë për një vizitë për sytë apo veshët, pavarësisht se janë të siguruar
Nuk kanë të sosur skandalet në Shqipëri! E këtë herë, në dyert e Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr.1 në Tiranë. Një bujë të madhe patën Kartat e Shëndetit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, ku nuk lanë stacion televiziv pa dalë, duke iu bërë thirrje qytetarëve për t’u pajisur me Kartën e Shëndetit, me të cilën ministri i atëhershëm Beqaj pretendonte se do të luftonte korrupsionin në shëndetësi dhe se qytetarët e shkretë do të kishin shëndetësi falas. E kështu u gënjye mbarë populli për të nxjerrë një sërë dokumentesh e duke u shtyrë nëpër radhe si kope lopësh, me shpresën se Qeveria Shqiptare po e mbante premtimin e bërë. Për më tepër, u tha e u stërtha që më në fund qytetarët, falë kësaj karte çudibërëse nuk do të paguanin më as 50 qindarka në këmbim të shërbimit që kërkonin, por për çudi, sot një qytetari të cilit i duhet të bëjë një vizitë sysh apo një vizitë veshësh, duhet të paguajë një shumë prej 1500 lekësh (të reja) për secilin shërbim, pra në total 3000 lekë (të reja) për të dyja. 

Pyetja rrufe që dëgjohet nga çdo hallexhi që pret në radhë e përballet me zonjën, e cila kërkon lekët se ndryshe nuk të mundëson kryerjen e shërbimit që ti ke nevojë, është kjo: “Pse duhet të paguaj kur unë jam i pajisur me Kartën e Shëndetit?”’ Dhe përgjigja që secili prej nesh merr është e ftohte, aspak e qartë: “Epo ka një vit që ka ndryshuar! Janë ndarë sipas kategorive shërbimet tani….”. Po zonja nuk ka faj! Ajo është thjesht një shërbëtore e pushtetit hajdut që po na bluan kockën dalëngadalë. Ndaj, z. Beqaj mos u mundo kot duke na shpjeguar lehtësirat që do të kemi nga Karta e Shëndetit, sepse kjo nuk është Karta e Shëndetësisë falas, karta e hajdutëve. Karta e Shëndetit ishte një nga projektet më të rëndësishme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, e cila u vu në zbatim duke filluar nga Janari i vitit 2015. Ajo zëvendësoi plotësisht librezat e vjetra shëndetësore. Karta e Shëndetit u premtua se do të përmirësonte dukshëm cilësinë e punës së mjekëve dhe farmacistëve, me përfitim të drejtpërdrejtë për pacientët, por në fakt kështu nuk ndodhi. Pothuajse çdo ditë qytetarët ankohen se duhet të paguajnë, pavarësisht se janë të siguruar. Që të mund të përfitojë kartën e shëndetit, personi i siguruar duhet të figurojë i regjistruar në regjistrin elektronik të mjekut të familjes. Personat që pajisen për herë të parë me kartë shëndeti duhet të paraqiten pranë mjekut të tyre të familjes për të verifikuar regjistrimin në regjistrin elektronik të tij. Mjeku i familjes kujdeset të verifikojë në regjistrin elektronik të personave të tij saktësinë e të dhënave të personit dhe të bëjë përditësimet ose plotësimet e nevojshme nëse ka mospërputhje apo mangësi.
Sigal