Operacioni ushtarak “Barbarosa”

2313
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Përgatitja e planit të mashtrimit
Gjermania naziste në dy vitet e para të Luftës së Dytë Botërore po arrinte rezultate politike dhe ushtarake në Evropë. Në këto vite kishte pushtuar tetë shtete evropiane dhe së bashku me Italinë fashiste, të rreshtuar përkrah saj, pushtoi dhe Greqinë. Ajo bëri aleat Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Finlandën. Objektivat strategjike i arriti shkallë, në qetësi dhe të llogaritura për realizimin e strategjisë së saj, agresionin kundër Bashkimit Sovjetik (BS). Me pushtimin e Polonisë krijoi kryeurën kundër BS në qendër, me pushtimin e Norvegjisë në veri dhe me Ballkanin mësymjen në jug të Evropës. Evropa Perëndimore i siguronte kushte të përshtatshme në prapavijë. Dështimi për të mos siguruar aleancën me Anglinë dhe disfata ajrore me të bënë që të bjerë barriera e parë e fuqishme ushtarake e Vermahtit. Me pushtimin e BS Gjermania naziste synonte të shkatërronte sistemin komunist, të shtinte në dorë rezervat materiale të tij, të rriste fuqinë ushtarake dhe ekonomike për realizimin e strategjisë për sundimin botëror. Në kushtet e përgatitjes për agresion arriti befasinë e goditjes. Kjo në saj të besueshmërisë në seriozitetin e paktit Ribentrop-Molotov. Pakti Ribentrop-Molotov bërë që BS të fitojë kohë në përgatitjen e vendit, forcimin e ushtrisë dhe pajisjen e saj me teknikë luftarake. Pakti solli veçimin e BS nga vendet perëndimore. BS u tregua indiferent ndaj Ballkanit. Përgatitja dhe zbatimi nga komanda gjermane i planit të mashtrimi, gjeti terren të përshtatshëm agresionin nazist ndaj BS. Në muajt e parë të vitit 1941 mashtrimi pati lëvizjen e mjaft divizioneve të ushtrisë gjermane në Ballkan. Në muajt prill-qershor 1941, lëvizjet e forcave nga Ballkani dhe përqendrimi në frontin lindor, dhanë sinjalin për agresion. Organizimi dhe përgatitja e planit të mashtrimit u ideua në direktivën për dizinformimin e armikut. Feldmareshali Keitel, Shef i Shtabit të Komandës Supreme përpunoi udhëzimet për të demaskuar përgatitjen e operacionit “Barbarosa”. Sektori i zbulimit dhe i kundërzbulimit të Shtabit të Përgjithshëm përpunuan dhe zbatuan disa aksione, si në përhapjen e fjalëve dhe të njoftimeve mashtruese. Përqendrimi i ushtrisë gjermane në lindje dhe manovrat dizinformuese, nga më të madhe në histori, kishin qëllim të tërhiqnin vëmendjen nga përgatitjet për të sulmuar Anglinë.

Marshallët Timoshenko dhe Zhukov i kërkuan Stalinit të thirrin nën armë efektivin e rezervës të divizioneve të këmbësorisë, që të kishin mundësi ta parapërgatitnin me frymën e kërkesave bashkëkohore, kërkesë e cila nuk u pranua me mendimin se mund t’u jepte shkas gjermanëve të provokonin luftën. Ushtria gjermane vazhdonte transportimin masiv të njësive të saj drejt zonave lindore. Kështu më 1 Qershor kishte përqendruar në kufijtë me BS deri në Detin e Zi 120 divizione, me efektiv deri në 8.5 milion njerëz, ndërsa ushtria sovjetike kishte deri në 5 milion njerëz. Në këtë situatë kërcënuese, Timoshenko kërkon me këmbëngulje të jepnin urdhrin për ta vënë ushtrinë e qarqeve kufitare në gatishmëri luftarake dhe të hapnin skalionet e para sipas planeve të mbulimit. Përgjigja e Stalinit ishte lexoni gazetat nesër. Njoftimi i TASS-it më 14 Qershor theksonte se njoftimet e përhapura nga shtypi i huaj, sidomos anglez, mbi afrimin e luftës ndërmjet BS dhe Gjermanisë nuk kanë asnjë bazë. BS dhe Gjermania respektojnë pa ndërprerje kushtet e marrëveshjes sovjeto-gjermane për mossulmimin dhe se zërat për qëllimin e Gjermanisë për të prishur paktin dhe sulmuar BS ishin pa asnjë bazë.

Më 21 Qershor vjen informacioni tronditës i një nënoficeri dezertor gjerman, i cili bënte me dije se ushtria gjermane po lëvizte drejt pozicioneve të sulmit që do të fillonte në mëngjesin e 22 Qershorit. Përsëri qëndrimin hezitues i Stalinit, duke menduar në zgjidhjen në rrugë paqësore. Edhe një direktivë e Ministri i Mbrojtjes që jep udhëzime për sulmin me veprime provokuese të reparteve gjermane, qarqeve kufitare nuk duhet t’u përgjigjen provokacioneve për të mos shkaktuar ndërlikime. Ushtria gjermane e kishte siguruar befasinë e goditjes.
Plani “Barbarosa”
Shtabi nazist gjerman nga mesi i vitit 1940 hartoi planin për agresionin ushtarak kundër BS të quajtur plani “Barbarosa”. Realizimi i planit “Barbarosa” u mbështet në teorinë e luftës “totale” dhe “rrufe”, si dhe mbi përvojën që kishte fituar ushtria gjermane në operacionet në Evropë gjatë viteve 1939-1940. Forcat e Armatosura gjermane përfshinë në plan dhe Forcat e Armatosura të Rumanisë dhe të Finlandës. Megjithëse në këtë periudhë Japonia, nuk donte luftë kundër BS, mbante forca të konsiderueshme në kufijtë e Mançurisë. Qëllimi i agresionit ishte shkëputja e Rusisë aziatike. Industria e Rusisë që do të mbetej në Urale, mund të paralizohej me anën e aviacionit. Qëllimi më i rëndësishëm strategjik ishte që, me anën e operacioneve mësymëse, përparimit të shpejtë të njësive tankiste, të asgjësoheshin forcat kryesore të ushtrisë sovjetike, të cilat, gjendeshin në brezin kufitar perëndimor. Në vazhdim plani parashikonte tërheqjen e trupave sovjetike në thellësi të vendit, duke asgjësuar dy të tretat e forcave të ushtrisë sovjetike. Forcat e tjera të mbeteshin të gozhduara në kufijtë e Finlandës, Turqisë dhe Lindjes së Largët. Hartuesit e planit mendonin se përballë forcave gjermane do mbeteshin deri në 50 Div. Sovjetike. Objektet strategjike me rëndësi politike dhe ekonomike ishin Leningradi, Pellgu i Donjecit, Moska dhe rajoni qendror industrial. Plani parashikonte zhvillimin e mësymjes në tri drejtime strategjike, grupimi Verior, grupimi Qendror dhe grupimi Jugor. Parashikohej dhënia e goditjeve ndihmuese nga territori i Finlandës dhe nga territori i Rumanisë. Realizimin e planit për pushtimin e BS komanda gjermane e parashikoi për 3-4 muaj. Duke pasur bindje në fitore, komanda gjermane hartoi në vija të gjera dhe perspektivat e zgjerimit të mëtejshëm të agresionit si kundër sundimeve britanike në Azi dhe në rajonin e Detit Mesdhe. Por zhvillimi i ngjarjeve ushtarake zbuloi karakterin aventuror të planit “Barbarosa”, për pushtimin e BS brenda një fushate të vetme. Realizimi i planit “Barbarosa”, nga gjermanët bëri që të përqendruan në kufi me BS, 152 Div. prej të cilëve 19 Div. tankiste dhe 14 Div. Motorizuar, që ishin 70 % të FT të Gjermanisë naziste. Me gjithë forcat e shteteve aleate, sasia e përgjithshme për luftë kundër BS, përbëhej nga 190 Div. me 3410 tanke. Forcat ushtarake ajrore për luftën kundër BS përbëheshin nga 3200 avionë (2200 gjermanë dhe 1000 të aleatëve). Më 22 Qershor 1941 forca ishin përhapur në të gjithë kufirin sovjetik nga deti Baltik deri në Karpate. Për goditjen fillestare komanda hitleriane e ndërtoi formacionin e luftimit në një skalion strategjik. Grup-armatat e kishin ndërtimin operativ në një skalion, ndërsa grupimet tankiste e kishin të skalionuar. Me qëllim që të godiste njëkohësisht gjithë thellësinë e mbrojtjes sovjetike, komanda hitleriane kishte planëzuar dhënien e goditjeve të menjëhershme të njësive gjitharmëshe, njësiteve tankiste dhe forcave ajrore. Mbrojtja sovjetike në teatrin perëndimor kishte një varg mangësish si mungesa të theksuara në teknikë luftarake sidomos në tanke e aeroplanë, mangësi në pajisjen xheniere të brezave të mbrojtjes e mungesës së brezave në thellësi, infrastrukturë të prapambetur në rrjetin e komunikacionit hekurudhor e automobilistik, dobësi në radiondërlidhje, rrjet të kufizuar të aerodromeve, mungesa në stërvitjen e ushtrisë e në përgatitjen e personelit komandues etj.
Sigal