Shpërdorimi i detyrës, kryebashkiaku i Vlorës në prokurori

523
Pas verifikimeve, Task-Forca dërgon në organin e akuzës Dritan Lelin për pengim të subjekteve zgjedhore
Gara elektorale për Kuvendin e ardhshëm çon në prokurori edhe kryetarin socialist të bashkisë së Vlorës. Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija i kërkon prokurorisë nisjen e veprimeve hetimore ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli, me argumentin se ai ka shpërdoruar detyrën dhe ka penguar subjektet politike në këtë fushatë zgjedhore të përdorin sheshin para Pallatit të Sportit “Flamurtari” në Vlorë, me arsyetimin se ia ka dhënë lejen vetëm një subjekti. Në rastin konkret, përfituese ishte Partia Socialiste. Në cilësinë e drejtuesit të Task-Forcës “Për monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, në përfundim të verifikimit të shqetësimeve të bëra publike nga një grup i këshilltarëve bashkiakë të subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, lidhur me mosmiratimin nga ana Kryetarit të bashkisë Vlorë të kërkesës së këtij subjekti për përdorimin e sheshit para pallatit të sportit “Flamurtari” Vlorë, me argumentin se ky shesh i është dhënë në përdorim një subjekti tjetër politik për periudhën dy mujore nga data 1 maj 2017 – 30 qershor 2017, zv/kryeministrja ka referuar rastin në organin e prokurorisë për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim ushtrimin e funksionit kushtetues të ndjekjes penale ndaj Dritan Lelit, me detyrë Kryetar i bashkisë Vlorë. Sipas njoftimit zyrtar, nga vlerësimi i rastit nga ana e zëvendëskryeministrit, rezulton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Leli, me veprimet dhe mosveprimet e tij për dhënien e lejes dymujore një subjekti politik të caktuar për të përdorur sheshe apo vendkalime publike, në kundërshtim me ligjin “Për tubimet” dhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, ka konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore” të parashikuara përkatësisht nga neni 248 dhe neni 325 të Kodit Penal. Gjithashtu është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës, edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Kallëzimi është bërë për kanosjet e Mziut ndaj banorëve të Kamzës, se do t’u prishte shtëpitë nëse do të mbanin në to flamuj të PS ose LSI-së. Policia e Shtetit bën me dije se po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Videoja me thirrjet e tij gjatë një eventi elektoral u regjistrua dhe u publikua nga kryeministri Rama në profilin e tij në Facebook.
Sigal