Revolucioni dixhital dhe sfidat e luftës anti-korrupsion

754
Të gjitha aspektet e jetës sonë ekonomike dhe sociale po transformohen nga teknologjitë dixhitale. Mënyrat e funksionimit të organizatave dhe individëve për marrjen e informacionit apo për livrimin e prodhimeve dhe ofrimin e shërbimeve të tyre po kanalizohen gjithmonë e më shumë nëpërmjet platformave dixhitale (online). Një pjesë e madhe e transaksioneve kombëtare apo ndërkombëtare po realizohen progresivisht në mënyre virtuale. Marrëdhëniet me bankat, furnizuesit, klientët janë gjithmonë e me shumë të presonalizuara, të vijueshme (non-stop ose 24orë x 7 ditë/javë x 365 ditë/vit), të automatizuara (të menaxhuara nga robotë), të palidhura me vendndodhjen e palëve që marrin pjesë në këto transaksione. Ndryshimet e induktuara nga teknologjitë e informacionit dhe komunicacionit (TIK) po shoqërohen shumë shpesh me inovacione rrënjësore të modeleve të funksionimit të sistemeve tradicionale. Kështu për shëmbull, përmes adoptimit të TIK në sistemin shëndetësor po synohet të ndryshohet paradigma e tij nga një shërbim reaktiv (shërimin e sëmundjeve) në proaktiv (parandalimin e sëmundjeve). Sistemi i edukimit në të gjithë nivelet e tij, nga ai fillor në atë universitar, po shndërrohet falë demokratizimit e shumëfishimit të vazhdueshëm të burimeve të informacionit si dhe e kostos më të ulët të aksesit të tij (shpesh here i ofruar falas siç është rasti i shumë platformave MOOC – Massive Open Online Courses – Online Learning). E-banking, e-financing, e-government etj., janë sisteme dixhitale menaxhimi dhe drejtimi tashmë të aplikueshme në shumë vende të botës, ndërsa modelet tradicionale të biznesit e drejtimit nuk dihet në se do t’u mbijetojne dallgëve të transformimeve që ka shkaktuar revolucioni dixhital, duke përmendur këtu si shembull suksesin e kompanive dixhitale si Uber, Foodora, Amazon e të tjera.

Progresi teknologjik eshtë motorri kryesor i këtyre transformimeve. Katër forca kryesore janë promotorrët kryesorë të ndryshimeve:
• Së pari, fenomeni kryesor që ka karakterizuar adoptimin masiv të TIK është shumëfishimi i fijeve virtuale (Connectivity) që lidh njerëzit me njerëzit, njerëzit me objektet dhe objektet me njëri-tjetrin. Një progres të jashtëzakonshëm kanë shënuar teknologji të tilla si Interneti i sendeve (Internet of things) apo mundësia e depozitimit dhe komunikimit të informacionit përmes Reve teknologjike (Cloud Technology). 

• Me hapa tepër të shpejtë po avancojnë dhe algoritmet të cilat shërbejnë si bazë për zhvillimin e kapaciteteve analitike përmes trajtimit të shpejtë të të ashtuquajturave bazë të dhënash shumë të mëdha (Big Data). Gjithashtu, përparimi teknologjik në fushën e robotëve që mësojnë (Learning Machines) po krijon mundësira të mëdha për automatizimin gjithmonë e më të madh të aktiviteteve të gjithëfarllojshme. 

• Ndërveprimi dhe ndërvarësia e vazhdueshme mes individëve dhe organizatave përmes rrjeteve sociale po ndryshojnë mekanizmat dhe metodat e bashkëpunimit. Tashmë, bashkëpunimi në rrjet po konkuron mënyrat tradicionale të krijimit dhe zhvillimit të besimit mes partnerëve të biznesit. 

• Sigurisht, këto përparime teknologjike janë të mbështetura nga një infrastrukturë dixhitale gjithmonë e më e sofistikuar (interneti, teknologjitë mobile etj.).
Në kushtet e këtyre ndryshimeve të thella e të gjithanëshme, është me interes të shtrohet pyetja: Sa dhe si ndikon dixhitalizimi i informacionit dhe shërbimeve publike në frenimin dhe luftimin e fenomenit të korrupsionit? A do të mund të sjellin këto transformime teknologjike shpëtimin nga ky fenomen kompleks negativ, apo në një mënyrë apo tjetër mund t’a vështirësojnë luftën anti-korrupsion ? 

Nga njëra anë, dixhitalizimi ofron mundësi të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Një ndër përfitimet kryesore në këtë drejtim është që këto teknologji mundësojnë rritjen e shkallës së transparencës. Kështu për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada apo në vendet Skandinave aksionerët kanë mundësi të marrin pjesë virtualisht në mbledhjet e bordit drejtues. Gjithashtu, kushdo mund të kërkoj online informacione të rastit nga institucionet publike që i disponojnë ato, mjafton që të bëj një kërkesë për këtë. Kështu për shëmbull, çështja “Toblerone”, këtu e 20 vjet më parë në Suedi, provoi se sa efikase është transparenca e informacionit mbi përdorimin e fondeve publike. Për shkak të kësaj transparence, Zv. Kryeministrja e Suedisë në 1995 u detyrua të japë dorëheqjen nga detyra dhe të tërhiqet për 3 vjet nga politika, sepse kishte blerë disa gjëra personale, ndërmjet tjerave dhe çokollata të famshme zvicerane “Toblerone”, me kartën zyrtare të kreditit. Automatizimi i procedurave mund të jetë një tjetër avantazh për të ulur shkallën e lartë të korrupsionit të lidhur me ushtrimin e funksioneve publike. Shumë herë, zyrtarët publikë faturojnë shuma të konsiderueshme për kryerjen e shërbimeve publike që janë detyrimi i tyre ligjor. Kështu për shembull, vërehen zvarritje të qëllimshme për të marrë një dokument zyrtar, gjë që i detyron qytetarët e interesuar të paguajnë nën dorë për të mbaruar punë. Këto burime korrupsioni mund të shmangen përmes kryerjes automatike dhe online pjesërisht ose të të gjithë procesit. Gjurmët elektronike që provojnë fillimin, kohëzgjatjen dhe informacionet tjera për kryerjen e shërbimit të kërkuar, do të bëjnë më të lehtë monitorimin e tyre dhe do të evitojnë shkallën e lartë të korrupsionit që ndeshin herë pas here qytetarët në zyrat e administratës publike. Një nga ndryshimet kryesore që ka shoqëruar dixhitalizimin ështe roli gjithmonë e më i madh që po merr komuniteti (qytetarët) përmes mediave sociale. Mjafton të kujtojmë “pranverën arabe”, kur protestat e iniciuara dhe mobilizuara përmes Facebook-ut dhe mediave të tjera sociale online rrëzuan qeveri/regjime autokratike në pushtet prej dekadash në vendet e tyre respektive. Në mënyrë të vazhdueshme, roli i komunitetit mund të përdoret si një vëzhgues, kontrollues e vlerësues i shërbimeve publike. Kjo mund të bëhet duke u dhënë qytetarëve hapsirën e tyre në faqet zyrtare online te institucioneve publike. Qytetarët mund të përdorin këtë hapësirë (psh. Blogun, faqet sociale Facebook apo Tweeter të institucionit etj.) për të konstatuar/denoncuar parregullsitë dhe aferat korruptive në kryerjen e shërbimeve publike. Sigurisht që egziston përsëri mundësia që “punonjësit publikë të korruptuar” të përpiqen t’u “mbyllin gojën” denoncuesve të korrupsionit, por, sa më i lartë të jetë ndërgjegjësimi i qytetarit për këtë rol të ri dhe mjet të fuqishëm që ai ka në dorë, si dhe sa më i lartë të jetë numri i qytetarëve të angazhuar në luftën kundër korrupsionit, aq më e vështirë bëhet “mbyllja e gojës” së të gjithëve. Në të njëjtën vazhdë mund të përmendim dhe iniciativat e disa vendeve në botë për “demonetizimin”, që do të thotë kufizimin e pagesave në cash dhe kryerjen e pagesave gjithnjë e më shumë elektronikisht. Kjo bëhet me qëllim që transaksionet financiare të lënë gjurmë, gjë që do të ndikojë pozitivisht në kufizimin e parave “të pista” dhe të qarkullimit të tyre. Pa dyshim që dixhitalizimi bart një potencial të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit. Por, ai bart njëkohësisht dhe rreziqe shumë të mëdha. Kriminaliteti kibernetik po shndërrohet në një nga problemet më madhore të kohës sonë. Gjatë vitit të kaluar në kulmin e fluksit të madh të emigrantëve drejt Europës, grupeve të trafikantëve u duheshin vetëm 10 ditë për të kontaktuar, përmes rrjeteve sociale, viktimat e rradhës, për të siguruar dhe organizuar gjithë logjistikën e nevojshme për këtë qëllim, si dhe për të e mundësuar trafikimin e tyre drejt vendeve evropiane. Gjithçka, përfshi dhe transaksionet monetare bëheshin elektronikisht. Gjithashtu këtu mund të përmendim dhe sulmin kibernetik të fundit para pak javësh që bllokuan qindra mijra kompjutera në rreth 100 vende të ndryshme kudo në botë. Hakerat bllokuan, përmes një virusi informatik, të gjithë informacionin e kompjuterave të infektuar dhe kërkonin shpërblesa (të kryera në paranë elektronike Bitcoin) për ç’bllokimin e kompjuterit. Epoka dixhitale në mënyrë të përshpejtuar po e ndryshon dhe sofistikon mënyrën e organizimit dhe funksionimit të enteve publike dhe ato private. Procesi i dixhitalizimit duhet detyrimisht të shoqërohet me sofistikimin e rregullave, procedurave dhe strukturave të ‘autoriteteve të monitorimit e auditimit’ të performancës së enteve publike në përgjithësi, si dhe ato të Kontrollit të Lartë të Shtetit në veçanti. Kjo bëhet kërkesë e domosdoshme për të maksimizuar avantazhet që na ofrojnë sistemet dixhitale në funksionim, monitorim dhe auditim, si dhe për të minimizuar mundësitë e manipulimit të të dhënave të ofruara në rrugë elektronike. Me të drejtë tani shtrohet dhe pyetja tjetër se cila është e ardhmja e ‘misionit të auditimit’ në kushtet e këtyre inovacioneve rrënjësore dixhitale? A do të sjellin këto inovacione ndryshime thelbësore në organizimin dhe funksionimin e ‘autoriteteve audituese’. Dixhitalizimi i sistemeve funksionale të këtyre enteve është një progres i jashtëzakonshëm. Një sërë ndikimesh pozitive të dixhitalizimit në sektorë të ndryshëm të administratës publike vihen re që tani. Kështu për shembull, është realizuar sistemi elektronik i procedurave të prokurimit publik, i cili ka lehtësuar shumë monitorimin e të gjithë etapave të procesit të paraqitjes dhe seleksionimit të ofertave. Të tjera hapa pozitivë po bëhen për përgatitjen e Hartës Unike Dixhitale të Pronave, gjë që do të frenojë qëndrimet abuzive që janë vëne re deri tani në trajtimin e pronave. Këto ndryshime si dhe mjaftë tjera si këto, janë një domosdoshmëri për të kthyer besimin e qytetarëve në institucionet publike.Ndërkohë, këto nuk janë veçse një fillim i transformimeve që do të shkatojë ‘cunami dixhital’. Këtu mund të permendim faktin se , që në fillimet e veta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, politika e të ‘dhënave të hapura’ (Open data) është përqafuar nga shumë vende, ndër të cilat dhe Shqipëria. Para një muaji, Indeksi global për të dhënat e hapura “Open Data Barometer”, publikoi Raportin e tij të 4-t, duke renditur vendet sipas shkallës së tyre të angazhimit në frymën e parimeve të qeverisjes së hapur, transparente dhe gjithepërfshirëse. Për herë të parë, Shqipëria është objekt i këtij vrojtimi dhe vlerësohet si një nga vendet me ecurinë më të mirë në rajon.Në shtetet që i paraprijnë këtyre ndryshimeve, iniciativa e të ‘dhënave të hapura’ po synon të orientohet drejt praktikave të auditimit qytetar, të cilat nënkuptojnë rritjen e rolit të shoqërisë civile në ndjekjen dhe analizën e shpenzimeve të enteve publike. Kështu për shëmbull, biznese shumë të rëndësishëm po i drejtohen komunitetit për zgjidhjen e problemeve të tyre inovative (crowdsourcing of innovation) apo të aktiviteteve të financimit (crowdfunding). Me një fjalë, roli i rëndësishëm i komunitetit është provuar tashmë si shumë i sukseshëm në shumë fusha. A do të marrë komuniteti ynë (qytetarët) një rol më aktiv dhe në auditimin e aktivitetit të institucioneve publike? Sa dhe në ç’mënyre do të transformojë kjo praktikat e tanishme të auditimit? Këto janë pyetje thelbësore të cilave përpiqen t’u japin përgjigje institucionet e auditimit në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare. Jo rastësisht, ‘Digjitalizimi, të Dhënat e Hapura dhe Përpunimi i të Dhënave-Relevanca dhe Implikimet për Punën Audituese të Institucioneve Supreme Audituese (SAI)’, ishte njëra nga dy temat ku u fokusua Simpoziumi i 24-t i Përbashkët OKB (Department of Economic and Social Affairs – UN DESA) – INTOSAI (The International Organisation of Supreme Audit Institutions) i zhvilluar para dy javësh në Selinë e OKB-s në Vjenë më 31 Maj – 2 Qershor 2017.Ndër rekomandimet e Simpoziumit mbi këtë temë ishte ajo që Institucionet Supreme Audituese të zhvillojnë, në përputhje me kapacitetet e tyre, strategjitë e brendshme për të adresuar sfidat dhe mundësitë nga digjitalizimi dhe të dhënat elektronike. Këto strategji do të fokusohen në zhvillimin e burimeve të nevojshme njerëzore, investime në infrastrukturën e nevojshme, zhvillimin e metodologjive, mjeteve dhe teknikave të auditimit për të garantuar cilësi në përdorimin e të dhënave, dhe përshtatjen e proceseve të auditimit si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve.Në aspektin e punës së institucionit të KLSH-së, dixhitalizimi ka një potencial të jashtëzakonshëm për rritjen e produktivitetit, kostos dhe saktësisë së auditimeve. Kështu për shembull, përmes aplikacioneve që lejojnë analizën e shpejtë dhe të detajuar të bazave të mëdha të të dhënave (Big Data), do të mundësohet auditimi i automatizuar i të gjithë aktivitetit të institucionit publik që është objekt i auditimit dhe jo vetem i disa elementëve të tij siç janë praktikat sot. Sot aplikimi i analizës elektronike në auditimin e të dhënave, ka rritur shkallën e zbulimit të anomalive dhe shkeljeve të rregullave financiare duke rritur ndjeshëm efektivitetin e auditimeve financiare dhe të performancës. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) nga viti 2012 po zbaton një strategjie të re duke punuar jo vetëm për dizhitalizimin e proceseve të auditimit dhe atyre ndihmëse, por edhe në auditimin e vetë sistemeve të informacionit të institucioneve të audituara, pasi me miratimin e ligjit të ri për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (2014), ky institucion ka të drejtën për marrjen e informacioneve elektronike si dhe është përgjegjës dhe për auditimin e Teknologjisë së Informacionit. Ndërkohë, komunikimi zyrtar elektronik dhe arkivi dixhital i institucionit, tashmë janë plotësisht funksionalë dhe KLSH është aktualisht në një fazë ndryshimesh dhe transformimesh rrënjësore të aktivitetit të tij auditues. Modernizimi i procesit te auditimit është kushti themelor për suksesin e reformave të thella dhe të gjëra që kërkon të zbatoj ky institucion. Shtrirja dhe fuqizimi i përdorimit të teknologjisë së informacionit mbetet sfida kryesore e modernizimit të institucionit. Në këtë kontekst, ndërgjegjësimi dhe shfrytëzimi e avantazheve që na ofron procesi i dixhitalizimit në luftën kundër korrupsionit, mbetet një domosdoshmëri. Ndërkohë ne duhet të jemi koshient se dixhitalizimi nuk është zgjidhja e artë që do t’u japë fund aferave korruptive, por nëse ndërgjegjësohemi për mundësitë e jashtëzakonëshme që ky progres teknologjik ofron dhe,

nëse i menaxhojmë me kujdes dhe efikasitet këto mundësi të reja teknologjike, atëhere do të mund të ndërmerren hapa të rëndësishëm përpara në luftën kundër korrupsionit. 
Vjollca Selmani (Osmanlliu) 
Audituese e parë
Sigal