‘Ca të nënës e ca të njerkës’/ Ministrja e Bujqësisë ‘shpërblen’ me 1 mld lekë vëllain e komandantit të gardës, teksa fermërët po falimentojnë

75
Sigal

Thuajse çdo ditë paraqesim shqetësimet e bujqërve të cilët ankohen se thuajse i gjithë prodhimi është bërë për t’u hedhur pasi nuk gjejnë dot treg. Por në vend që Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Frida Krifca të bëjë politika subvencionuese në mbështetje të bujqësisë shqiptare, duket se zonja në fjalë është e zënë duke shpërndarë miliona nëpër klientët e qeverisë.
Kështu rezulton se ajo i ka dhënë gati 900 milionë lekë të vjetra me TVSH vëllait të komandantit të gardës së Republikës, Gramos Sako. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-25919-04-21-2022 dhe me objekt “Loti 7 Mbrojtja nga Lumi Vjosa në Kafaraj, sipas joq  krahu i djathtë (L=400m) Bashkia Fier” me fond limit 93,972,048 lekë të reja pa TVSH.
Duke i hedhur një sy dokumentave të kësaj procedure shikohet se fituese është shpallur firma 2 T në pronësi të shtetasit Artan Sako. Ky i fundit është njëkohësisht vëllai i komandantit të gardës së Republikës, Gramos Sako. Kjo kompani ka marrë jo pak por gati 1 miliardë lekë të vjetra.

Por rezulton se nuk ka dhënë ofertën më të ulët, përkundrazi të paktën 3 kompani të tjera kanë ofruar vlera bindshëm më të ulëta. Mjafton të përmendet se kompania me diferencën më të madhe ka ofruar gati 360 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak sesa fituesi. Këto para në rastin më të mirë janë një dëm i pastër ekonomik për shtetin. Nga ana tjetër mund të përdoreshin fare mirë për të ndihmuar fermerët e shkretë që ngelën duke hedhur përditë në plehra prodhimet e tyre.