Zgjedhjet në PS e Beratit/ Bledi Çuçi prezanton kandidatët e rinj të socialistëve : Ballafaqimi me popullin proces i rëndësishëm

109
Sigal

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherazi edhe drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun Berat ka nisur takimet në bashkitë e këtij qarku për prezantimin e kandidatëve për kryetar të PS-së. Bashkë me deputetët Blendi Klosi, Anila Denaj dhe Etjen Xhafaj që janë pjesë e Komisionit të Posaçëm të ngritur nga Kryesia e PS për këtë proces, Çuçi dëgjoi platformat e kandidatëve në Berat, Skrapar, Poliçan, Dimal e Kuçovë. Në takimin e Beratit i pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri. “Interesimi i madh i atyre që kanë aplikuar tregon për vërtetësinë dhe seriozitetin e këtij procesi që ne e kemi ndërmarrë si parti duke qenë sërish një shembull i mirë për jetën politike në Shqipëri”, tha ministri Çuçi. Kjo tha ai, është një procedurë ndryshe për të zgjedhur drejtuesit e rinj të Partisë Socialiste në bashkitë e vendit. “Ballafaqimi i çdo kandidati me anëtarësinë është një moment shumë i rëndësishëm, ku të gjithë duhet të gjykojnë mbi performancën e secilit nga kandidatët”, u shpreh ndër të tjera ministri Çuçi. Procesi i zgjedhjes së drejtuesve të rinj të PS-së në të gjithë vendin mbyllet brenda muajit qershor.