Ilmi Qazimi: Fshatari me grurë, qeveria me gurë!

54

 

Punët u bënë çarçaf, dhe sot, ne për 32 vjet, presim si zogu me gojë hapur, të na vijë gruri nga Ukraina!?Atëkohë ishim katër milion dhe hanim grurin e misrin që prodhonim vetë, tani jemi pak më shumë se dy milion dhe nuk kemi grurë, por eksportojmë nga Ukraina, Serbia, Rusia, etj.

Sigal

 

Të gjithë shqiptarët e çdo moshe e dinë se ishte Naim Frashëri ai që na ka lënë postulatin e patjetërsueshëm poetik për atdheun tonë në poemën “Bagëti e Bujqësi”. Në vitet e mëpastajmë vetëm qeveria e Enver Hoxhës e vuri në jetë atë porosi të tij, që ecuria jetësore ushqimore e këtij populli të bazohej  tek këto dy degë të mëdha të ekonomisë. Me punë të jashtëzakonshme e të gjithanshme të të gjitha hallkave të zinxhirit shtetëror nga kryetari i qeverisë, fillimisht vetë E.Hoxha e më pas Mehmet Shehu, deri tek fshatari më i skajshëm i atdheut, nga viti 1946 në vitin 1961, u arrit që me prodhimet bujqësore në tokën tonë, me plane pesëvjeçare të detajuara, të  realizohej plotësimi i të tërë nevojave për bukë të të gjithë banorëve të këtij trualli. Ai hov, ai vrull masiv për të arritur atë fitore sot është i pabesueshëm. Por ne që e kemi jetuar, themi se qeveria e asokohëshme i ndodhej fshatarit pranë në tërë 24 orëshin me ndihmë, që nga fara, tek teknologjia më e mirë e kohës, gjer sa kokrra e grurit futej në hambar. Sigurimi i bukës në vend ishte dhe mbeti një fitore emblematike e historisë së popullit tonë të vuajtur, që tregon vitalitetin e tij po qe se udhëhiqet nga njerëz të mençur dhe atdhedashës. Deri në vitin 1990 çështja e grurit, misrit, elbit, tërshërës, bimëve të tjera barishtore, pemët, frutat, etj. nuk përbënin më problem. Këtë e themi se ata që e përjetuan duhet të mos e harrojnë dhe t’ua kalojnë pasardhësve si kujtesë historike udhërrëfyese.

Por me përmbysjen e atij sistemi ekonomiko-shoqëror, punët u bënë çarçaf, dhe sot, ne për 32 vjet, presim si zogu me gojë hapur, të na vijë gruri nga Ukraina!? Atëkohë ishim katër milion dhe hanim grurin e misrin që prodhonim vetë, tani jemi pak më shumë se dy milion dhe nuk kemi grurë, por eksportojmë nga Ukraina, Serbia, Rusia, etj.

Dalin në emisione televizive në gjuhën shqipe jo pak fshatarë, ( të cilët tani quhen krejt gabimisht me emrin amerikan “fermer”), dhe flasin se, të veçuar, vetëm me ndihma llafesh nga ministria e Bujqësisë, nuk mund të arrijnë që të nxjerrin as fitimin më të vogël për jetesë me mundin dhe paratë që harxhojnë për kultivimin e bimës së grurit. Është krim që të mos ndihmohet një fshatar nga Divjaka, i cili shkurtoi 20 vjet të jetës së tij në emigrim, ato pará që fitoi i investoi në mbjelljen e grurit;dhe si ai ka disa qindra, por qeveria, nga njësia administrative deri tek kryetari i Këshillit të Ministrave, nuk duan t’ia dinë fare për kuintalët e grurit të tyre. Atyre i kërkohet që të plotësojë formulari për të mundur të fitojë ndonjë lek nga ato ‘grande’ europiane për bujqësinë shqiptare. (Lexo: thërrime nga Europa për të ushqyer sejmenët e saj në vendin tonë).

Kanë shkruar, folur, diskutuar, kritikuar shumë specialistë të mirëfilltë të bujqësisë sonë- dhe të tillë ka shumë, por qeveria i ka veshët e shurdhët,- se gruri, pra buka e popullit tonë, në tokën tonë duhet të kultivohet dhe mund të merren rendimentet më të befasishme, por asnjë qeveri nuk e ka vënë ujët në zjarr për këtë lloj veprimtarie ekonomike thelbësore jetëdhënëse. Në këto kohë kur lufta reale me armë, ka dëmtuar rëndë thuajse tërë hallkat e zinxhirit të marrëdhënieve ndërshtetërore, qeveria jonë po i bie me gurë edhe fshatarit, edhe qytetarit, në vend që të ndihmojë konkretisht për kultivimin dhe prodhimin e grurit në fushat tona djerrina, që më pas të bluhet në fabrikën tonë, ajo ngulet te importi.

Ndërkohë mielli, si produkt bazë ushqimor, është i shumëllojshëm, qoftë për nga origjina e bimës (mbasi janë të shumta bimët e thata që bluhen e kthehen në miell!?) po ashtu edhe nga adresimi për përdorim: për njerëz, për kafshë, për shpend e për industri. I shumë cilësive e sasive mbasi varet se cila kompani apo shtet e merr dhe klasat e njerëzve që jetojnë në të me atë miell. Edhe për kafshë mielli është produkt i llojeve të shumta në vartësi me gjallesat tokësore, ujore apo ajrore, të cilave do t’iu serviret për konsum. I përmenda këto, sepse ka pasur edhe raste që ne na jepen bukë të zëna me miell nga gruri ukrainas për ushqim kafshësh. Qeveria këtë aspekt nuk e ka fare nën kontroll, sepse, vetë ministrja e Bujqësisë nuk e di as më elementaren,se kur mbillet gruri!?

Mulliri shqiptar i këtyre muajve të luftës ruso-ukrainase është kthyer më tepër në mulli politik gënjeshtrash se sa për të bluar grurin e eksportuar. Abuzon rëndshëm qeveria me çmimet me “borde transparence”(sa emër i bukur e gjithë hipokrizi!?).Abuzon edhe grosisti. Pas tij biznesmeni deri tek furrxhiu e shitësi i bukës së përditshme. Furrxhiu i lagjes sime ka ulur sasinë e miellit në një bukë, ka zvogëluar madhësinë e bukës, i ka ‘zbukuruar’ formën asaj, dhe ka ngritur vetëm çmimin!? “Sepse  na imponon lufta”-thotë ai. Të gjithë të tillët duan të fitojnë (dhe realisht fitojnë) mbi kurrizin e qytetarit të thjeshtë blerës. Një bukëpjekës i ndershëm dikur më pat thënë:”ky biznes është shumë fitimprurës. Përqindja më e madhe e përbërjes së një buke që ble ti është ujë e ajër dhe vetëm pak është miell e erëza.”Po tani vallë sa ka shkuar fitimi?

Kryetari i qeverisë sonë në plan të parë ka perfeksionimin e batutave të tij butaforike ndaj politikës së kurvëruar europiane apo luftën kundër qeseve plastike dhe nuk i shkon në mend se populli do bukë të hajë; se gruri për votuesit e tij duhet prodhuar në vend e jo në Ukrainë apo Serbi. Mirëpo fqinji im flokëthinjur e fjalë pak, me humor të kripur, kur i thashë se qe rritur përsëri çmimi i bukës, ma ktheu:”Mos bzaj! Me këtë qëndrim që mban qeveria ndaj grurit dhe bukës, mund të vijë edhe më keq, kur të mos ketë as grurë, as miell e as mulli!?”