Bota e panjohur dhe e heshtur e peshkatarëve të Vlorës

3370
Ngrihen që në mesnatë dhe përgatiten për të shkuar në peshkim. Në kohë të mirë e të keqe, kur deti është i qetë apo i trazuar. Marrin me vete rrjetat, motorrin e varkës, ndonjë ushqim të thatë dhe nisen për në det. Ky është rituali i përdtshëm i rreth 2 mijë peshkatarëve vlonjat që nga grykëderdhja e Vjosës e deri në Orikum. Janë njerëz të thjeshtë, që ushqehen me peshkimin, jetojnë më shumë në det e me detin sesa në tokë e me njerëzit. Janë të moshave të ndryshme, të tharë nga kripa e detit e të nxirrë nga rrezet e diellit. Janë njerëz të sakrificës, njohës të mirë të detit e të peshkut, rrojnë me peshkun që nxjerrin çdo ditë nga deti, shkollojnë fëmijët, blejnë ilaçet kur sëmuren, mirëmbajnë shtëpitë e vogla njëkatëshe, të ndërtuara kryesisht në zonat afër me detin. Kur të gjithë flenë, ata dalin në det.hipin në varkat e vogla, vendosin motorët, ngarkojnë rrjetat dhe nisen për në detin e ndriçuar në shumë raste vetëm nga hëna dhe nga ndonjë ndriçues i vogël. Shumë prej tyre e kanë të trashëguar peshkimin. Shumica i përkasin popullatës çame, të parët e të cilëve janë marrë me peshkimin që kur kanë jetuar në qytetet bregdetare të Çamërisë.
Si peshkohet
Secila varkë hedh në det nga 1 mijë, 2 mijë deri në katër apo pesë mijë m2 rrjeta, duke përbërë në total, të gjithë së bashku rreth 1.200.000m2 rrjeta në të gjithë gjirin e Vlorës por edhe jashtë tij. Varkat janë të gjata nga 4m deri në 6 m dhe të gjera nga 1.40m deri në 1.70m, me motorr të vegjël, të lejueshëm sipas ligjit në fuqi për mjetet lundruese detare. Ata gjuajnë me rrjeta, koça, perzevoll, por edhe me grepa. Kryesisht gjuajnë në vende të përcaktuara nga institucionet shtetërore, Brenda Gjirit të Vlorës apo në afërsi të grykëderdhjes së Vjosës.
Por jo gjithmonë kapin peshk, shpesh ndodh që të kthehen duarbosh ose me pak fare peshk që në shumicën e rasteve e konsumojnë vet sepse mund të jetë peshk që nuk shitet dhe nuk tërhiqet nga magazinat. Por nuk mërziten, e dinë shumë mirë se edhe deti ka “tekat” e tij, se edhe deti është “rësk” si thonë ata, peshku është aty dhe ata do ta kapin ditën tjetër.


Llojet e peshkut
Gjiri i Vlorës ka një shumëllojshmëri peshqish, por më të zakonshmit, karakteristikë për detin e Vlorës janë koce, murra, fagri, sardele, lavrak, qefull, astakua, merluc etj.
Peshqit që bien më shumë në rrjeta janë koce, murra, lavrak e qefull, ndërkohë që nuk bëjnë përjashtim as barbuni, saragoi apo karkaleci i butë.
Çmimet e peshkut
Çmimi i peshkut varet shumë nga madhësia e tij, nga gramatura e tij apo kilet e tij.
Kilogram ii një peshku të madh si koce apo lavrak shkon nga 2500 lekë deri në 4000 mijë lekë, ndërkohë që peshat më të vogëla kushtojnë më pak. Peshkun e madh që kushton edhe më shumë e tërheqin restorantet e mëdha të cilat pas gatimit e shesin edhe më shumë kilen e peshkut, ndërkohë që për konsum të popullatës shkon peshku më i vogël e më i lirë në çmim.
Disa nga peshkatarët e njohur
Ndër peshkatarët e rinj përmendim Ilir Cano, Feti Cano, Ahmet Kadria, Beso Veseli, Isuf Ahmeti, Vangjelin, Faikun ( poetin që në kohën e lirë shkruan edhe poezi ) Në bisedë me ta mëson për emra peshkatarësh të vjetër, për të cilët flasin me respekt e tregojnë ngjarje të shumta.
Flasin për Ali Gëraj, kapiten anije shumë vite më parë, Hizdër Gëraj, Xhelal Feimi, Mustafa Kapo, Hysen Dano, Mezan Mezani, Bilbil Rakipi edhe ky kapiten i vjetër anije, Hamdi Gëraj, Isa Gëraj
Arratisja e Vasil Malos
Vasil Malo ishte sekretar i Partisë në peshkim, para viteve /90, kur u arratis megjithë anijen e peshkimit për në Greqi.
Doli në det për peshkim dhe pasi shkakroi sardelet e kapura në portin e Himarës, u nis përsëri në peshkim, por këtë herë me qëllimin për t’u arratisur.
Në Himarë morri edhe familjen me vete, me justifikimin se do i shëtiste në det dhe pas ii mbylli disa anëtar të ekuipazhit në kabinë, e drejtoi kursin për ujërat ndërkoimbëtare e më pas në Korfuz.
Ishte fund ii viteve të rregjimit komunist.
Viti 1952
Kur në Vlorë zhvillohej gara në gjuajtjen e sardeles. Gara filloi ne 16 maj. 9 brigada peshkataresh të Vlorës, gjuajtën 120 kv sardele. Natën e 16 majit u arrit rekordi, 50 kv sardele. Gjatë netëve të 17 e 18 majit, megjithë furtunën e madhe në Adriatik u kapën 70 kv.Garën e fitoi brigada “8 Shtatori”që udhëhiqet nga Musa Sejdini me 35 kv sardele dhe në vend të dytë brigada “Patogu” me 30 kv. Ato ditë pati bum sardelesh në tregjet e Vlorës. Sot, sardelja është një peshk dhe një traditë e harruar, nuk kapet më si më parë dhe nuk ka më në det si vite më parë.

Arsyeja ndër të tjera është edhe ekonomike sepse 1 kilogram sardele në treg shitet me 150 deri në 200 lekë dhe si e tillë nuk i plotëson shpenzimet dhe fitimet e peshkatarëve. Krahas varkave të vokla të cilat i sheh me sy të lirë përgjatë bregdetit, ka edhe anije peshkimi që ankorohen në portin e Zvërnecit. Anijet janë me shumicë të ankoruara por shumica e tyre nuk dalin për peshkim për shkak se janë të dëmtuara apo nuk përballojnë dot konsumin e naftës e të shpenzimeve të tjera në raport me fitimin që mund të nxjerrin nga shirja e peshkut.


Tregtimi i peshkut
Peshku që kapet nga varkat e vogla dhe anijet e peshkimit, tërhiqet nga magazinat e mëdha, pikat e vogla të tregtimit të peshkut në qytet, shitës ambulant apo dhe dërgohet direct në restorante të ndryshme që janë të lidhura me peshkatarët me qëllimin për të siguruar peshkun e freskët.
“Gjoni peshkatari”, si njihet në vlorë, është një nga shitësit ambulant të peshkut që përditë shet peshk duke e përshkruar të gjithë qytetin sapo e merr peshkun nga varkat që vijnë në bregun e plazhit të vjetër.

Gjoni thotë se shitja e peshkut ka rënë ndjeshëm ashtu si është pakësuar edhe sasia e peshkut në detin e Vlorës.Ai mundohet të blejë nga varkat apo anijet aq peshk sa edhe ka porosi sepse përndryshe peshku rrezikon të mbetet pa shitur dhe për pasojë të prishet dhe ai të humbas financiarisht.
Të njëjtin shqetësim kanë pothuajse të gjithë shitësit e peshkut në qytetin e Vlorës, ndërkohë që peshkun e freskët të detit i cili është gjithnjë e më i rallë e blejnë restorantet e mëdha të cilat kanë një klientelë të siguruar për tregtimin e peshkut. Gjatë orëve të paradites, kur varkat afrohen në breg pasi kanë peshkuar sheh shumë njerëz që presin për të vlerë peshk, qoftë konsumatorë të thjeshtë, shitës ambulant apo dhe makina të vogla që vlejnë peshk për restirantet.


Ergys Alushi
Sigal