Bllokohet privatizimi i ish-kabinave të plazhit, të kthyera tashmë në gërmadhë

752
Sigal

DURRËS/ Prej 21 vjetësh janë 90 familje që jetojnë në këto banesa. Banorët kërkojnë zgjidhjen e problemit

Ish-kabinat e plazhistëve në Currila dita -ditës po kthehen në gërmadha, të cilat rrezikojnë jetën e banorëve të pastrehë që jetojnë aty prej më shumë se 20 vjetësh. Është për të ardhur keq kur shikon se si një prej zonave më të bukura dhe me të ardhme zhvillimin e turizmit potencial, ka një problem madhor, i cili nuk gjen zgjidhje pas disa fushatash elektorale e premtimesh të bëra.

Situata

Procesi i privatizimit i nisur vitin e shkuar për banorët që jetojnë në ish-kabinat e pushuesve në Durrës është bllokuar pa u dhënë asnjë shpjegim. Banorët që jetojnë prej 21 vjetësh i kërkojnë strukturave të qeverisë privatizimin e tyre, ndërsa banesat janë jashtë çdo kushti banimi. Mbi 90 familje që jetojnë në zonën e Currilave pohojnë se janë mashtruar para çdo fushate elektorale, me premtimin se do t’u kryhet privatizimi i banesave, në të cilat u strehuan provizorisht në vitet ‘90 me statusin e  të pastrehëve.  “Na kërkuan dokumente, i bëmë dhe shpresuam se do të na i privatizonin, por ishte kohë para zgjedhjeve të vitit të shkuar, por tani po vijnë zgjedhjet prapë dhe frikësohemi se nuk kanë për ta zgjidhur këtë problem shprehen banorët.  Jemi po aty ku ishim, nuk është bërë asgjë. Akoma edhe më keq është situata jashtë e shihni, na kanë mbytur ujërat e zeza dhe plehrat, qiranë e kabinës e paguajmë çdo muaj. Kabinat janë kthyer në gërmadha ndërsa shikoni se çfarë situate është jashtë nga mungesa e higjienës, sepse nuk funksionojnë kanalet e ujërave të zeza”, shprehet një prej banorëve  me katër fëmijë, vetë i gjashtë, i cili jeton në 15 metra katror banesë. Familjarët e këtyre kabinave shprehen  të zhgënjyer në 22 vjet dhe deklarojnë se durimi i tyre ka marrë fund pas shumë premtimeve, të cilat sa herë që ka zgjedhje, ju kërkojnë votën kundrejt privatizimit të banesave që janë drejt rrënimit total. Të gjithë këta familjarë me statusin e të pastrehëve në xhep, janë detyruar të jetojnë në këtë “geto” të kohërave moderne. Zyra Ymeri një banore, e cila me statusin e të pastrehëve në xhep kujton se për çdo rast votimesh u kanë kërkuar votën para zgjedhjeve, po asnjëherë nuk kanë dhënë zgjidhje këtij problemi të mbartur. Banorët janë njohur edhe me një kërkesë të deputetëve të Durrësit për privatizimin e ish-kabinave, por që deri tani nuk dinë ç’është bërë më tej, edhe për faktin që asnjë zyrtar nuk u ka trokitur në derë për t’u dhënë qoftë edhe një shpjegim.

Përplasjet

Përplasjet midis bashkisë dhe qeverisë në vite, por edhe interesat e ngushta të titullarëve vendorë, kanë bërë që këto banesa të shkojnë drejt degradimit total të tyre. Kabinat e plazhit u ndërtuan në vitet ( 70- 80) për pushuesit 15 ditorë që zgjidhnin Durrësin për të kaluar pushimet verore. Pas viteve ’90 pushteti lokal i atyre viteve strehoi në këto kabina pushuesish në plazhin e Currilave familjet, me urgjencë strehimi, provizorisht. Me statusin e të pastrehëve banorët shprehen se ka ardhur koha që titullarët të marrin vendime para se të shkojnë për tu kërkuar votën edhe këtë radhë.

Kërkesat

“Duam, të na privatizojnë banesat, në të kundërt do të na zënë shtëpitë, brenda, po na  bien mbi kokë, nga dita në ditë. Janë kthyer në banesa të pabanueshme. Të na japin shtëpi atje, ku po ndërtohen dhe të zgjidhin problemin tonë. Kur do të na i privatizojnë apo kur të ndodhë ndonjë e keqe dhe të na zënë brenda fëmijët?”, kështu shprehet një prej banorëve.