Blegtorët e Levanit dalin në protestë! Shoqërohen me forcë disa prej fermerëve

26
Sigal

/Telegraf.al/ Blegtorë të zonave pranë Levanit në Fier janë ngritur në protestë kundër monopolizimit të prodhimit të qumështit. Sipas tyre, fabrikat në vend kanë ulur çmimin e qumështit nga 160 lekë të reja në 120 lekë të reja, ulje kjo, e cila ka sjellë krizë financiare për blegtorët duke detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset duke çuar tufat e deleve në thertore. Ata kërkojnë njëzëri rishikimin e çmimit të qumështit dhe fabrikat e përpunimit të mos monopolizohen. Këta blegtorë pohojnë se kanë problematika të shumta duke filluar nga mirëmbajtja e kullotave, te toka të marra me qira si edhe tregu, i cili mungon.

Protestuesit bllokuan aksin që lidh Levanin me autostradën Fier-Vlorë me shpresën që zëri i tyre të dëgjohet deri në instancat më të larta për të mbrojtur interesat e blegtorëve. Në këtë aks janë paraqitur edhe forca të policisë rrugore për të bindur protestuesit në lirimin e këtij aksi. Rreth 3 orë pas përfundimit të protestës, policia ka shoqëruar mbi 5 fermerë. Raportohet se fermerët janë nxjerrë në mënyrë të dhunshme nga banesat e tyre dhe më pas janë shoqëruar drejt policisë.

Njëri nga fermerët tha se marrja dhe thirrja nga policia është formë presioni që të mos ketë reagim qytetar.