Hetimi i paguar përmes McGonigal, në takimet me Ramën përmendet interesi në licensat e naftës
Në kallëzimin që ne kemi bërë e kemi cituar madje edhe më në detaje që në takimet që ka zhvilluar zoti McGonigal ose agjenti McGonigal me zotin Rama përmenden shprehimisht interesi i tij ekonomik në licensat e naftës. Lidhur me këtë dhënien e këtyre tre licensave për tre fushat e naftës ka të paktën edhe dy vendime gjykatash, të cilat janë shumë të rëndësishme

Publikimi i disa dokumenteve të reja nga Zëri i Amerikës mbi çështjen McGonigal trondit edhe më shumë skenën politike në Shqipëri që prej muajsh zjen nga akuza të forta që implikojnë sipas opozitës edhe kryeministrin e vendit. Dokumenta të Drejtësisë amerikane të para nga Zëri i Amerikës, vënë në dukje se në gjysmën e parë të vitit 2018, shqiptaro-amerikani Nezaj u bë një burim konfidencial i FBI-së, për hetimet e saj mbi lobistin amerikan. Zëri i Amerikës ka lexuar dokumentin që prokurorët e Departamentit të Drejtësisë i dorëzuan më 5 janar 2024 gjykatës. Ata kërkojnë 30 muaj burgim dhe 95 mijë dollarë gjobë “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”. Zoti McGonigal ka pranuar të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin Rama dhe zotin Duçka. I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, ai kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama’, zoti McGonigal u përgjigj “Po”.
Pikëpyetjet e zyrtarëve të FBI-së lidhur me kërkesën për hetimin e lobistit
Në mbështetje të këtij fakti, prokurorët bashkangjisin një letër të një agjenti të FBI-së ku janë redaktuar disa të dhëna identifikuese. Letra mban datën 16 mars 2018 dhe zyrtari që e shkruan pyet se “pse në kushtet e burimeve të kufizuara dhe faktin që shumë zyra në terren kanë vështirësi të hetojnë kërcënime” më serioze, zyra e Nju Jorkut kërkon hapjen e një hetimi për të meta në regjistrimin si FARA, duke e paraqitur këtë si kërcënim për sigurinë kombëtare?” Më tej, zyrtari shkruan se kërkon që të jetë në gjendje t’u përgjigjet eprorëve nëse lindin pyetje. “Do të doja t’ju shpjegoja atyre se pse po punojmë për një çështje SIM/FARA të lidhur me Shqipërinë, kur çdo ditë unë luftoj për burime për disa çështje të sigurisë kombëtare, që kanë lidhje me disa vende që paraqesin kërcënim të lartë si.”,- thuhet në letër ku emrat e vendeve të tjera janë të fshira. Po ashtu është bashkangjitur edhe vendimi për mbylljen e hetimit, që mban datën 25 korrik 2019, pas daljes në pension të zotit McGonigal, ku thuhet se “zyra e FBI-së e Nju Jorkut nuk ka arritur në përfundimin se -(emër i redaktuar)- ka kryer aktivitet criminal, ndërsa përfaqësonte një forcë politike të huaj dhe se kishte plotësuar dokumentacionin e duhur për FARA-n në Departamentin e Drejtësisë”. Në këtë vendim përmendet me emër Partia Demokratike e Shqipërisë. Prokurorët e Departamentit të Drejtësisë i kanë kërkuar gjykatës, dënimin e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal me 30 muaj burgim dhe një gjobë prej 95 mijë dollarësh, “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, siç thuhet në memorandumin lidhur me akuzat e për rastin e Shqipërisë. Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, pranoi në gusht fajësinë, edhe në një gjykatë në Nju Jork, lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar shkruajti VOA.





















