Bilanci krahasues-katastrofik/ SPAK përballë ‘Njësisë Speciale’ të viteve 2009-2010

104
Sigal

SPAK u krijua gjatë Reformës në Drejtësi, si një institucion, i cili do të kapte dhe do të çonte në Gjykatën e vetë të Posaçme, të gjithë ata që janë konsideruar gjatë këtyre 3 dekadave të tranzicionit, si “të paprekshmit”.

Të paprekshëm ndër radhët e krimit të organizuar të lidhur me politikën dhe pushtetin, por veçanërisht “të paprekshmit” brenda vetë politikës dhe qeverisë në të gjitha nivelet.

Pritshmëria e publikut ka qenë mjaft e madhe që nga krijimi i kësaj strukture, por tashmë që SPAK po mbush 3 vite dhe kreu i tij Arben Kraja po shkon drejt fundit të mandatit, ka ardhur koha që të bëjmë një bilanc krahasues.

Le të përqendrohemi, te bilanci i SPAK për vitet 2019-2020 për luftën kundër korrupsionit dhe ta krahasojmë me arritjet e Njësisë Speciale të Luftës kundër Korrupsionit, pranë Prokurorisë së Përgjithshme gjatë viteve 2009-2010.

Në bilancin e tij të fundit për punën që ka kryer, SPAK njoftoi zyrtarisht se në vitin 2019 ka realizuar 82 procedime penale me 28 persona në hetim, të regjistruara për veprat penale që lidhen me korrupsionin.

Kurse për vitin 2020, njoftohet se janë mbyllur 158 procedime penale me 181 persona në hetim të regjistruar, po për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Pra për të dy këta vite, SPAK, ka realizuar 240 procedime penale me 209 persona në hetim, për veprat penale që lidhen me korrupsionin.

Por nga e gjitha kjo, SPAK në njoftimin zyrtarë na thotë gjithashtu, se ka çuar vetëm 39 kërkesa për gjykim kundër 63 të pandehurve për vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Gjithashtu SPAK është tërhequr prapa, duke dërguar në gjykatë 19 kërkesa për pushim të çështjeve me 23 persona që kanë qenë nën hetim po për korrupsion.

Ndërkohë duke ju referuar shifrave të nxjerra nga raportet e Departamentit të Shtetit për Shqipërinë 10 vite më parë, rezulton se struktura e ngritur si Taks Forcë në vitin 2016 pranë Prokurorisë së Përgjithshme, (kishte në përbërje edhe disa institucione të rëndësishme), ka bërë një punë disa herë më të madhe kundër korrupsionit sesa SPAK, i cili ka më shumë fuqi ligjore-kushtetuese, si dhe burime të mëdha financiare dhe njerëzore.

“Gjatë vitit 2010, Prokuroria ka regjistruar 534 raste korrupsioni dhe 555 raste të tilla në vitin 2009, por ka referuar përkatësisht 142 dhe 121 raste në Gjykatë. Me gjithë rritjen e çështjeve penale me akuzën e korrupsionit në gjykata, numri i vendimeve që shpallin fajtorë zyrtarë të korruptuar ka rënë nga 211 që ishin gjatë vitit 2010, në 162 vendime të tilla për vitin 2011, ose një rënie me 23 për qind”, thuhet tekstualisht në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, në pjesën për Shqipërinë i publikuar në vitin 2011.

Pra Njësia Speciale Kundër Korrupsionit në vitet 2009-2010 ka regjistruar në total 1089 raste korrupsioni, kurse SPAK në vitet 2019 (82) -2020 (148) vetëm 240 regjistrime për veprën penale të korrupsionit.

Gjithashtu Njësia Speciale Kundër Korrupsionit në atë periudhë ka çuar në gjykatë 263 çështje korrupsioni, kurse SPAK vetëm 39 raste!

Bilancin mund ta bëjë kushdo vetë: në të gjithë treguesit ai është katastrofik dhe me një diferencë, 5-6 fish, më dobët nga ana e SPAK.