Bie siguria kombëtare / Pas patronazhistëve dhe sulmit kibernetik , hakerat publikojnë ID e mijëra shqiptarëve të dala nga e-albania dhe dosje të ministrive

220
Sigal

Thellohet skandali i publikimit të të dhënave personale të qytetarëve shqiptare. Grupi i ashtuquajtur “Homeland Justice” ka publikuar, 7 dosje që përmbajnë emrat dhe mbiemrat, numrat e telefonit dhe numrin e kartave të identitetit të qindra-mijëra qytetarëve të Shqipërisë. “Loja është gati për të filluar. Tani njerëzit do e kuptojnë se politikanët e tyre të korruptuar nuk kanë bërë asgjë për sigurinë e tyre”,- shkruan grupi i hakerave para postimit të databazës me të dhënat e qytetarëve të Shqipërisë. Rrjedhjes së këtyre të dhënave nuk i kanë shpëtuar as e-mail e zyrtarëve të lartë, bëhet fjalë për Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë dhe drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj. Databaza e publikuar përmban gjithçka ka mbërritur në postën elektronike të ministrit Peleshi, por edhe email-et që ata kanë dërguar, e madje, edhe materialet që ata kanë dashur të fshijnë. Vjedhjes së të dhënave nuk i ka shpëtuar as email-i i drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj. Më herët, piratët kibernetikë publikuan e-mailet nga posta elektronike e kryeministrit Edi Rama dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë, pas sulmit që i bëri sistemit të e-Albania dhe të gjithë sistemit kompjuterik të qeverisë. Prokuroria e Tiranës thotë se është njohur me të dhënat sensitive të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë, të cilat po qarkullojnë në rrjet e ndërsa shton se edhe ky akt do t’i bashkëngjitet për hetim dosjes së hapur në korrik pas sulmit ndaj platformës e-Albania. Pavarësisht nisjes së hetimeve një muaj më parë, dhe bashkëpunimit me ekspertë të huaj, autoritetet shqiptare ende nuk kanë deklaruar kush kanë qenë autorët e sulmit kibernetik dhe cili ka qenë qëllimi i vërtetë i tyre. Ky është skandali i radhës që ka të bëjë me të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë. Në fund të vitit të kaluar u publikuan pagat e qindra mijëra punonjësve në biznese private dhe në shtet, targat e makinave apo edhe nxjerrja ne shitje e numrave te telefonit. Ndërkohë në prill të vitit të kaluar, u zbulua një databazë që provonte se edhe Partia Socialiste kishte abuzuar me të dhënat personale të shqiptarëve në funksion të sistemit të patronazhimit.