Berat, për dy muaj 60 raste me intoksikim nga akulloret

662
Sigal

Shefi i repartit të pediatrisë, Vladimir Kumaraku: “Një fëmijë 7 vjeç në gjendje kome. 80 për qind e rasteve, nga zonat rurale”

Rreth 60 raste të intoksikuara nga akulloret, janë paraqitur dy muajt e fundit në Spitalin Rajonal të Beratit, ku 80 për qind e tyre kanë qenë banorë të zonave rurale, të cilët kanë konsumuar akullore nga tregtarët ambulantë të rrugëve. Këta tregtarë kanë shpëtuar “paq” nga inspektorët e Drejtorisë së Shëndetit Publik, të cilët ende nuk kanë rënë në gjurmët e tyre për të bllokuar shitjen dhe përpunimin e tyre nëpër punishte jashtë të gjitha kushteve higjieno-sanitare. Lajmin e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, shefi i repartit të pediatrisë, dr. Vladimir Kumaraku, i cili u shpreh se çdo ditë brenda këtyre dy muajve kanë shkuar të intoksikuar një ose dy fëmijë nga akulloret. Madje, ka patur edhe nga ata që kanë qenë në plazhet e vendit si në Durrës, Vlorë apo Divjakë. Kumaraku bëri të ditur se, një fëmijë ka mbërritur në gjendje shoku nga intoksikimi i akullores, fëmija ishte 7 vjeç dhe banonte në një nga fshatrat e Komunës së Poshnjes. Burime nga reparti i pediatrisë bëjnë të ditur se, fëmijët kanë shkuar në gjendje të rëndë, ku më pas i janë nënshtruar mjekimeve,që i kanë nxjerr nga gjendja e rënduar. Sipas informacioneve të marra bëhet e ditur se shumë tregtarë ambulantë tregtojnë akulloret nëpër fshatra. Akulloret janë të pa kontrolluara nga inspektorët e drejtorisë së Ushqimit dhe atyre të Shëndetit Publikë. Ata i tregtojnë me termus nëpër fshatrat dhe plazhet, pa kontrolluar skadencën e tyre. Mesa duket tregtarët më mirë e kanë të helmojnë konsumatorët sesa të hedhin pjesën e mbetur, që ka skaduar. Dr. Kumaraku tha: “Është absurde se si lejohen këta “palo” tregtarë, të cilët për interesa përfituese po luajnë me jetën e fëmijëve, të pafajshëm, të cilëve disa herë iu është rrezikuar jeta nga akulloret”. Burime nga spitali bëjnë të ditur se asnjë tregtarë nuk është ndëshkuar nga drejtoria e Ushqimit dhe ajo e Shëndetit Publikë.

Kushtet e prodhimit

Këta tregtarë i prodhojnë akulloret nëpër punishte, në bodrume apo edhe në vende të pa përshtatshme higjieno – sanitare, ku infeksioni është prezentë. Më pas nga mos kontrolli i inspektorëve pjesa e akullorëve që tepron gjatë ditës, që tregtari nuk ka patur mundësi ta tregtojë kompletë e merr dhe e bashkon me pjesën tjetër që ai prodhon dhe më pas del për ta tregtuar ditën tjetër. Por kjo nuk është akullore, por helm për të helmuar fëmijët (konsumatorin). “Këta “vampirë” të pashpirt për interesat e tyre nuk po kursejnë as jetën e fëmijëve”, thanë burimet brenda spitalit. Sipas statistikave të pacientëve në spital duket qartë se fëmijët që janë paraqitur në gjendje të rënd, 80 për qind e tyre janë nga fshatrat e Komunave Kutalli, Poshnje, Otllak, Sinjë, Velabisht etj.. Mjekët specialistë të pediatrisë thanë për gazetën se, nëse nuk do të merren masa urgjente nga drejtoria e Ushqimit dhe ajo e Shëndetit Publik për të parandaluar personat që tregtojnë akullorë të skaduar do të kemi një katastrofë të vërtet.