Nipi i Isa Buletinit: “Varri i Ismail Qemalit është Meka e shqiptarëve”

607
Sigal

Flasin për “Telegraf”, Xhemail Buletini, drejtori i Muzeut Kombëtar “Pavarësia” dhe historiani Novruz Bajrami

Kosovarët, që kanë ardhur për të pushuar në Vlorë, kursejnë kohën për të vizituar Muzeun e Pavarësisë si dhe varrin e Ismail Qemalit, që është vendosur në lulishten kryesore të qytetit. Grupe-grupe, por edhe familjarisht, ata ndalen gjatë për të vizituar e bërë homazhe e vendosur lule mbi varrin e atdhetarit të shquar Ismail Qemali, që ngriti Flamurin në Vlorë, duke hedhur themelet e shtetit shqiptar. Rast pas rasti, vizitorët pajisen edhe me fletë-palosje, që japin një informacion të gjerë, por nuk ka munguar edhe prezenca e historianit Novruz  Bajrami, që ka folur për historinë e varrit të plakut të Vlorës. Në këtë ditë të parë të javës, ku rastisëm të kontaktojmë një grup kosovarësh që kishin ardhur nga Mitrovica dhe në një bashkëbisedim për gazetën, veçuam z. Xhemail Buletini, nipin e Isa Buletinit, që jeton në Vushtri. “Kemi ardhur për të vizituar Vlorën, pasi jemi në prag të 100- vjetorit të Pavarësisë së Kombit dhe për hir të së vërtetës mezi presim që të vijë dita e festës së madhe, festës së shqiptarëve, kudo që jetojnë në botë. Do të vijmë  për të qëndruar disa ditë këtu në Vlorë, për të gëzuar tok 28 Nëntorin e 100-të të Kombit tonë”, tha Buletini.

Na tërheq vëmendjen mbiemri juaj, keni të bëni me Isa Buletinin?

Po, jam nipi i tij, por për veprën e këtyre burrave të Kombit, që përsosmërisht i keni ngrirë në bronz, ndjehen krenarë të gjithë shqiptarët. Është ngjarja me e rëndësishme për Kombin shqiptar, pasi ai flamur që ngritën këta burra, solli Pavarësinë e Shqipërisë, themeloi shtetin shqiptar. Për ne kosovarët, por mendoj se për të gjithë shqiptarët, varri i Ismail Qemalit, është Meka e vërtetë. Mbi atë varr ne duhet të betohemi për besën, bashkimin, për të çuar përpara veprën që lanë firmëtarët e shpalljes së Pavarësisë. Erdha të vizitoj edhe shtëpinë e Naun Lëngut, doli këtu afër monumentit, pasi aty ka qëndruar gjatë Isa Boletini, por ishte e kyçur. Më thanë që ka ndryshuar, pasi e dëmtoi tërmeti, por u befasova se përse nuk është bërë muze.

Si do t’i vlerësonit arritjen në një shekull pavarësi, z. Buletini?

Arritjet janë të mëdha, nuk mund t’i mohoj kush, arritja më e madhe është që edhe Kosova shpalli Pavarësinë dhe shpresojmë se një ditë do të bashkohet me vendin amë. Gjithsesi, mendoj se në një pikë ngec puna dhe 28 Nëntori i këtij viti, dita e shenjtë e 100 -vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duhet t’i bëjë apel klasës politike, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Për çfarë?

Që të ecin nën shembullin e burrave që themeluan shtetin shqiptar, që dhanë besën, bënë bashkimin, menduan vetëm për interesat e kombit. Kombi është gjëja më e shtrenjtë, ndërsa fatkeqësisht vëmë re që politika ka konflikt, liderët hahen me njëri tjetrin, duke lënë në hije hallet e popullit të tyre. Kështu nuk bën, duhet bërë kthesë, duhet të ecim në shembullin e burrave që firmosën pavarësinë e ngritën Flamurin më 28 Nëntor, 100 vjet përpara këtu në Vlorë.