Balfin shet koncesionin minerar të Bulqizës te turqit e Yildirim

333
Sigal

Grupi Balfin i kontrolluar nga Samir Mane ka nisur procedurën e transferimit të kompanisë Albchrome, që kontrollon minierën e Bulqizës, te një kompani turke minierash nën kontrollin e familjes Yildirim.

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi të hënën se ishte vënë në lëvizje nga Balkan Finance Investment Group, Balfin, që kërkonte autorizim për transferimin e pronësisë së kompanisë Albchrome Holding në zotërim të tij,  te shoqëria turke Yildirim International Mining Investments B.V.

Albchrome zotëron që prej vitit 2013 koncesionin më të madh minierat të kromit në Shqipëri në zonën e Bulqizës, fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferro-kromit në Elbasan.

“Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 464 Prot., i AK, datë 25.10.2021 “Depozitim i dokumenteve shoqëruese të njoftimit në lidhje me transaksionin midis Yildirim International Mining Investments B.V. dhe Balkan Finance Investment Group SHPK, nëpërmjet  të cilës është njoftuar transaksioni i përftimit të kontrollit të shoqërisë Albchrome Holding SHPK dhe filialeve të saj nga shoqëria Yildirim International Mining Investments B.V”, thuhet në njoftimin e Autoritetit.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se transaksioni kërkon autorizim prej tij dhe ka ftuar palët e interesuara të paraqesin opinion në lidhje me këtë transaksion.

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideroi këtë ndryshim kontrolli mbi minierën e Bulqizës si jo të rëndësishëm për punëtorët që asnjëherë nuk janë pyetur për problemet që ka sektori. “Kompania AlbChrome e Samir Manes po ikën nga Bulqiza. Mori shumë nga ajo minierë: mori kromin e bulqizakëve dhe të gjithë shqiptareve, por më e keqja është se mori edhe 9 jetë minatorësh”, thuhet në një deklaratë të SMBB-së shpërndarë në rrjetin social Facebook.

Albchrome Holding zotëron pjesën më të madhe të zonës krom-mbajtëse të Bulqizës me koncesion deri në vitin 2040. Aksionet e kompanisë kanë ndërruar disa duar. Në vitin 2001 ishte kompania italiane “Darfo” që kishte fituar të drejtën koncesionare për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferro-kromit në Shqipëri për 30 vjet, përfshirë minierën e Bulqizës dhe fabrikën e pasurimit në Burrel, si dhe fabrikën e ferro-kromit në Elbasan.

Në vitin 2007-të Albanian Chrome në atë kohë pjesë e grupit austriak “Deco Metal” hyri në tregun shqiptar, pasi bleu të drejtat koncesionare të kompanisë italiane “Darfo”. Këta të fundit u larguan në vitin 2013-të, pas një sërë protestash nga sindikatat e kohës për pagat dhe kushtet e punës.  Në janar të vitit 2013-të Balfin sh.p.k bleu 100% të aksioneve. Në korrik të vitit 2016-të, Kuvendi zgjati edhe me 10 vjet të tjera afatin e koncesionit të minierës së kromit në Bulqizë, për kompaninë private ACR Holding si pjesë e Balfin Group.

Pavarësisht kompanive që patën nën kontroll minierën, ajo ka pasur në vijim probleme të sigurisë në punë dhe u akuzua se fundmi për përpjekje për të bllokuar krijimin e një sindikate jashtë kontrollit të saj. Albchrome shkarkoi kryetarin dhe disa prej themeluesve të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, menjëherë pas krijimit të saj. Të paktën dy prej shkarkimeve u gjetën nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi të lidhura me veprimtarinë sindikale.

Shoqëria Yildirim International Mining Investments B.V. e cila pretendon të jetë blerësi i ri i koncesionit,  është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Holandë, pjesë e grupit turk Yildirim, grup që operon në një numër të madh industrish si metalurgji dhe miniera, energjetikë dhe prodhimin e plehrave kimike.