Bajram Tirana: “Para e Tetraplegjikët në mëshirë të fatit, nuk u rimbursohen ilaçet, energjia, telefoni, transporti”

355
Sigal

INTERVISTA/Flet Bajram Tirana, kreu i Shoqatës së Invalidëve Para e Tetraplegjikë

Me ndryshimin e ligjit për statusin e invalidëve, para dhe tetraplegjikët po përballen me një sërë problemesh. Heqja e rimbursimit të energjisë elektrike në masën 80 për qind, impulseve të telefonisë fikse dhe rimbursim të transportit urban dhe ndërqytetës, po e bëjnë edhe më të pamundur jetesën e invalidëve. Në lidhje me këto probleme ka folur në një intervistë për “Telegraf”, kreu i Shoqatës së Invalidëve Para e Tetraplegjikë, Bajram Tirana. “Problemet, shoqata jonë i ka të mbartura dhe janë në vazhdimësi të viteve. Por problemet më shqetësuese kanë ndodhur këto dy-tre muajt e fundit, pasi ne kemi një status të votuar në Parlament. Por nga ai status janë shfuqizuar tre nene, të cilat lidhen me subvencionimin e energjisë elektrike”, ka deklaruar zoti Bajram Tirana

 -Zoti Tirana, cilat janë disa nga problemet që shqetësojnë aktualisht para dhe tetraplegjikët?

-Problemet më shqetësuese kanë ndodhur këto dy tre muajt e fundit, pasi ne kemi një status të votuar në Parlament. Por, nga ai status janë shfuqizuar tre nene, të cilat lidhen me subvencionimin e energjisë elektrike, pasi para dhe tetraplegjikët përfitonin subvencionim prej 80 për qind nga shteti dhe pjesën tjetër e paguanin vetë. Ndërsa tani ky ligj u shfuqizua nga Parlamenti dhe sipas informacioneve që kemi ne, do të trajtohemi si të gjithë njerëzit e tjerë. E gjithë kjo situatë më duket një paradoks, sepse dihet se sa shkon një kw energji elektrike dhe si trajtohet një invalid para dhe tetraplegjikë dhe pa këtë produkt ata janë njerëz të vdekur, pasi pjesën dërrmuese rrinë shtrirë. Ndërkohë, një tjetër padrejtësi që u është bërë para dhe tetraplegjikëve është dhe heqja e subvencionimin e transportit urban dhe ndërqytetës. Më parë, invalidët kanë përfituar transport falas prej 50 për qind nëpër rrethe dhe zero për qind për transportin urban. Tani, ne po trajtohemi si të gjithë njerëzit e tjerë dhe nuk kanë marrë parasysh kushtet tona fizike dhe ato higjieno-sanitare. Ky është një paradoks i madh që po ndodh në vendin tonë, pasi ne, së pari, jemi njerëz, kemi një kujdestar, jemi në një karrocë, që është e vetmja mundësi për të lëvizur. Por, nga hyrja në fuqi e ligjit të ri, shteti shqiptar ka hequr dhe rimbursimin e telefonisë fikse, ku nga 3 mijë impulse ne paguanim nga 10 lekë të vjetra. Por dhe këtë masë përfitimi na e kanë hequr dhe ne do na duhet ta paguajmë si të gjithë njerëzit e tjerë.

 -Po në lidhje me rimbursimin e ilaçeve, a po përfitojnë para dhe tetraplegjikët sipas ligjit?

-Po, është e vërtetë që sipas ligjit ne duhet të përfitojmë nga rimbursimi i ilaçeve. Por në realitet para dhe tetraplegjikët nuk përfitojnë nga kjo aspak. Sepse nuk na rimbursohen ilaçet që me ligj na takojnë. Ne jemi një kategori që i kemi të nevojshme ilaçet për shkak të problemeve shëndetësore që kemi. Por ne nuk e marrim një shërbim të tillë dhe është për të ardhur keq, as nuk duan t’ja dinë institucionet shtetërore për këto padrejtësi që pa na bëhet.

-Është folur që ka sërish probleme me marrjen e pagesave, sa e vërtetë është kjo?

-Aktualisht unë nuk kam ndonjë informacion të saktë për këtë. Por di të them që para pak kohësh ka pasur ndonjë rast sporadik që mund të mos kenë marrë pagesat. Por nuk është rasti i parë që po luhet me këtë shtresë në këtë mënyrë, pasi na janë bërë shumë padrejtësi.

 – Çfarë përfshin paketa higjienike, sa janë afërsisht të ardhurat që shkojnë në këtë drejtim?

-Paketa higjienike është kushti numër një për personat që kanë probleme me shtyllën kurrizore. Pra, paketa higjienike, përfshin pajisjet higjienike që përdor një person çdo ditë. Po këtë paketë higjienike, asnjë para dhe tetraplegjikë nuk mund të integrohet në jetën e përditshme dhe nuk mund të dal nga pragu i derës së shtëpisë, pasi kjo është e vetmja mënyrë që i mbron nga higjiena e tyre e përditshme. Kjo paketë ka një çmim marramendës, por që subvencionohet me një çmim qesharak prej 160 mijë lekë të vjetra, por që çmimi real shkon 50 euro në ditë. Nëse do të llogarisnim për të tërë muajin, ajo shkon deri në 1500 euro.

Kërkesat e invalidëve para dhe tetraplagjikë

– Të rritet vlera e rimbursimit të paketës higjienike;

– Të rikthehen rimbursimet për energjinë elektrike;

– Rimbursim për telefoninë fikse;

– Rimbursim për lëvizjen në transportin urban dhe atë ndërqytetës

– Subvencionim të karburantit me 80 litra në muaj.