Firmës Bana King i janë fshirë të dhënat e sistemit që përmban pagesat, borxhet me subjektet që bashkëpunon duke prekur kështu çdo kompjuter në qelizat ekonomike të saja. Sistemi pati avari duke e lënë të dëmtuar pasqyrën financiare, kompanisë ka patur rast të përsëritur me drogë në kontejnerët e ‘BanaKing’
Firmës Bana King i janë fshirë të dhënat e sistemit që përmban pagesat, borxhet me subjektet që bashkëpunon duke prekur kështu çdo kompjuter në qelizat ekonomike të saja. Sistemi pati avari duke e lënë të dëmtuar pasqyrën financiare. Në lidhje me këtë problematik Dosja.al i ka dërguar një kërkesë me e-mail për të kuptuar shkaqet e rënies së sistemit, por deri në publikimin e këtij artikulli asnjë përgjigje nuk erdhi nga ana e kompanisë.
Në kushtet të heshtjes hermetike lindin disa pyetje:
A e ka denoncuar kompania hakerimin e të dhënave duke qënë se kemi të bëjmë me vepër penale, për të gjurmuar dhe identifikuar autorët madje dhe për të parandalimin e një akti të tillë ndaj kompanive të tjera apo edhe institucioneve publike?Mos ndoshta kemi të bëjmë me mos kallëzim krimi?Apo kompania e ka bërë enkas fshirjen e sistemit pasi disa të dhëna nuk duhet të ishin më aty?Këto pyetje mbeten për t’u zbardhur nga organet ligjzbatuese.
Por kush është kompania Banaking
ZICo shpk ka si objekt import-eksportin të tregtimit me shumicë e pakicë nga vajra dhe karburante deri tek shfrytëzimi i kromit dhe materialeve dhe lëndëve për ndërtim. Administrator dhe aksioner i kësaj kompanie është Trifon Murataj, i cili së fundmi ka lënë SHBA-në dhe ka marrë frenat e kompanisë.
Kjo kompani është hapur më 22.09.2005 nga Trifon Murati i lindur në Kutë të Fierit. Subjekti u hap me një kapital prej 20 milion lekësh, por deri në vitin 2012 çuditërisht sipas të dhënave nuk rezulton asnjë transaksion në Open Data mbi veprimtarinë e këtij aktiviteti. Por pas këtij viti fillon edhe rritja galopante dhe nga rreth 200 milion fitim kompania ka arritur të shënoj miiliarda lekë pas vitit 2018. Viti më i mirë deri tani ka nisur prej 2020-tës me një fitim më shumë se 3 miliard lekë. Por jo vetëm kaq Trifon Muarataj nuk është një emër i panjohur për opinionin publik dhe për më tepër as për organet e drejtësisë. Në vitin 2022 pronari i kompanisë ‘BanaKing’, Trifon Murataj është shpallur në kërkim, ndërsa në pranga ka përfunduar administratori Petrit Demishaj dhe 2 punonjësit e skanerit. Policia aso kohe ka sqaruar se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar trafikimin e sasisë prej 33.5 kg kokainë nga Ekuadori në Shqipëri.
Petrit Demishaj, kishte si detyrë që të priste ngarkesën me banane në Port, brenda së cilës ishte dhe sasia e kokainës. E ndërsa pjesë e këtij grupi ishin bërë edhe 2 punonjës të skanerit në Port, Alban Naziraj 48 vjeç (operator skaneri) si edhe Artur Sevdaraj 48 vjeç (imazhier skaneri).
Këto të fundit në bashkëpunim me njëri tjetrin ia dolën që të nxirrnin të pastër në skaner kontejnerin ku ishte sasia e drogës. Mirëpo, anti-droga shqiptare kishte pasur informacione për sasinë e drogës që kishte mbërritur, për këtë arsye bëri kontrolle fizike me qen, ku arritën të zbulonin kokainën e fshehur në 31 pako në 2 arka bananesh të ‘Bana King’. Uniformat blu vijojnë punën për kapjen e Trifon Murataj, pronarin e kompanisë Zico Sh.A që tregton banane nën emrin “Bana King”.
Anija është nisur në 20 shtator nga Porti “Puerto Bolivar” i Ekuador, 10 ditë më pas është ndalur në Panama, në portin ‘Cristóbal’. Destinacioni i radhës ka qenë Porti ‘Gioia Tauro’ në Itali ku anija ka qëndruar në këtë Port për 21 tetor. Në këtë datë, është nisur drejt Shqipërisë, ku ka mbërritur në Portin e Durrësit më 28 tetor, e ndërsa zbulimi i drogës është bërë, në 3 nëntor.
Drogë në kontejnerët e ‘BanaKing’, rast i përsëritur
Kjo nuk është hera e parë në kontejnerët me banane të Kompanisë ‘BanaKing’ është gjetur drogë. Rasti më i fundit ka qenë në korrik të vitit 2022. Kontejneri me banane u gjet i hapur dhe u zbulua se mungonin rreth 50 arka, të cilat dyshohet se kishin kokainë. Episodet me drogë në Portin e Durrësit janë të shumta.Operacioni i quajtur ‘Again’, u realizua nga strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Portit Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”. Në vendngjarje kanë qenë edhe prokurorë të SPAK.