Av. Adriatik Ago: Procesi i konkurimit i jep integritet titullarit të policisë së shtetit në emërimin e tij

314
Sigal

Janë për t’u përshëndetur nismat e kohëve të fundit të drejtuesve të ministrisë së brendshme si dhe të policisë së shtetit në interes të forcimit të sigurisë në vend. Realizimet e aksioneve policore në drejtim të luftës për garantimin e rendit publik në shkolla apo ambientet për rreth tyre, goditjet ndaj shpërndarësve dhe përdoruesve të lëndëve narkotike

Janë për t’u përshëndetur nismat e kohëve të fundit të drejtuesve të ministrisë së brendshme si dhe të policisë së shtetit në interes të forcimit të sigurisë në vend.  Realizimet e aksioneve policore në drejtim të luftës për garantimin e rendit publik në shkolla apo ambientet për rreth tyre, goditjet ndaj shpërndarësve dhe përdoruesve të lëndëve narkotike, lufta kundër kultivimit të kanabisit në shkallë vendi e deri në goditjet e grupeve kriminale për krimet e renda, flasin për seriozitet dhe përkushtim në arritjen e objektivave strategjike të këtyre institucioneve. Pa dyshim që edhe lufta që bëhet brenda organizatës së policisë për pastrimin e rradhëve të saj nga individë të implikuar apo mbështetës të aktiviteteve kriminale, është pjesë e së tërës dhe i shërben forcimit të integritetit si një ndër parimet kryesore në realizimin e misionit ligjor të policisë. Vetëm për këtë vit janë marrë masa shtrënguese apo dërguar për gjykim rreth 120 punonjës policie të niveleve të ndryshme, kryesisht për shpërdorim detyre apo për korrupsion aktiv gjatë ushtrimit të detyrës. E konsideroj me shumë interes publik nismën e ministrisë së brendshme për thirrje për aplikim për pozicionin “Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikqyrjes Policore” si dhe shpallja e kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për këtë post pune. Në pamje të parë  një gjë e tillë duket se cënon  ligjin organik  të kësaj agjensie, pasi vet neni 17 i tij, kur bën fjalë për këtë rast përcakton se; “Drejtori i Përgjithshëm emërohet dhe lirohet me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit”, duke prezumuar se kandidaturat do të vijnë nga strukturat e brendshmë të kësaj  ministrie apo agjensisë, ndërkohë që thirrja publike mund të ketë qëllim për hapje dhe zgjerim të marrdhënieve  të saj me këdo subject, që është brenda kuadrit ligjor. Gjithsesi, ende nuk jemi të qartë se për ç’farë bën fjalë konkretisht thirrja për aplikim për postin e titullarit të AMP-së. A do të jemi përpara një aplikimi dhe kandidati do të emërohet sipas ligjit apo do të realizohet ndonjë proces konkurimi midis kandidatëve për t’u shpallur fituesi? Nëqoftëse vërtet do të jetë konkurim për fitues përpara një komisioni, nisma e shpallur duhet të plotësohet edhe me kriteret e organizimit dhe të vlerësimit të këtij procesi. Pra, kandidati, i cili plotëson kërkesat e ligjit duhet të njihet edhe me detaje të tjera të zhvillimit të procesit të konkurimit, siç mund të jenë, fushat arsimore nga mund të vijnë kandidatët, platforma apo projekti i tyre, data, vendi etj., detaje këto që përdoren rëndom në raste të tilla. Në Kosovë, duke qënë i ligjëruar konkurimi për këtë post, është fituar një ekperiencë e mirë në këtë drejtim ku del fitues jo vetëm titullari i IPK-së, (Inspektoriati Policor i Kosovës), por dhe për disa funksione të tjera të rëndësishme të kësaj agjensie. Procesi konkurimit për titullarin kishte rritur treguesit profesional të strukturave, ishte rritur motivimi i tyre për shkak të dhënies përparësi për konkurim i kandidatëve aktive në raport me kandidaturat e jashtëme, kishte transparencë të pëlqyeshme për procesin dhe mbi të gjitha ishte rritur besimi i qytetarëve tek kjo agjensi për të bashkëpunuar duke denoncuar raste konkrete të shkeljeve apo cënime të të drejtave të individit nga punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës. Gjithsesi e konsideroj pozitive faktin se në këtë agjensi shtetërore, ku realizohet misioni për të mbajtur pastër organizatën e policies, apo dhe subjektet e tjera që i ngarkon ligji, është hedhur ideja e procesit të aplikimit të gjerë për postin e titullarit të saj. Në fund të fundit, kjo është një kërkesë që rrjedh edhe nga fryma e ligjit organik i miratuar kohët e fundit për këtë agjensi, ku civilizimi, profesionalizimi, objektiviteti si dhe shkëputja e saj nga teoritë e praktikat e së kaluarës janë indikatorë frymëzues për ta bërë agjensinë një institucion publik të besueshëm në shërbim të qytetarëve. Analizuar këtë pamje që na ofron kjo thirrje publike në institucionin e mësipërm, do të ishte vërtet një reformë tepër radikale sikur një gjë e tillë të projektohej dhe të realizohej në momentet e caktimit të titullarit të policisë së shtetit. Për publikun e gjerë, është e tepërt të flitet se çfarë përfaqëson organizata e policisë, cili është misioni dhe detyrat institucionale të saj, cilat janë kriteret ligjore për pranim, arsimim e zhvillimin e karrierës, pasi tashmë këto janë të njohura dhe shpesh herë janë bërë publike në rrjetet e komunikimit social? Publike ose jo janë bërë edhe diskutimet e brendshme të vet anëtarëve të organizatës së policisë kur bëhet fjalë për përcaktimin e kritereve të vendosjes së titullarit të saj. Sa herë që ka lindur nevoja e hartimit, ndryshimeve apo përmirësimeve të ligjit organik të policisë së shtetit, diskutimet, debatet midis profesionistëve, juristëve kanë qënë pa fund pse jo edhe me qëndrime të kundërta duke shprehur secili doktrina të ndryshme. Përvoja e këtyre viteve ka treguar se pas viteve ’90, kur në vendin tonë u hap rruga e instalimit të shtetit demokratik e ligjor, klasa politike nuk ka dashur të shprehë vullnetin që për këtë institucion të rëndësishëm të sigurisë publike, funksioni i titullarit të përcaktohej nëpërmjet procesit të konkurimit të hapur publik.

Procesi konkurimit për titullarin kishte rritur treguesit profesional të strukturave, ishte rritur motivimi i tyre për shkak të dhënies përparësi për konkurim i kandidatëve aktive në raport me kandidaturat e jashtëme, kishte transparencë të pëlqyeshme për procesin dhe mbi të gjitha ishte rritur besimi i qytetarëve tek kjo agjensi për të bashkëpunuar duke denoncuar raste konkrete të shkeljeve apo cënime të të drejtave të individit nga punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës.

Përkundrazi, çdo maxhorancë politike ka dashur ta ketë në vartësi të plotë si pjesë e pushtetit ekzekutiv, pse jo dhe ta “përdori” në interes të saj. Besoj se ndaj të njëjtin mendim me publikun për këtë arsyetim, pasi tranzicioni ynë i gjatë ka me dhjetra e qindra raste, që e vërtetojnë një gjë të tillë. Në organigramën e ndërtimit të shtetit, janë shumë struktura, që kanë si burim formimi për titullarin e tyre procesin e konkurimit nga ku del fituesi, ndërkohë që emërimi është vetëm një akt formal i kompetencës. Eksperiancat e fundit si rezultat i reformës në drejtësi, ishin proceset e konkurimit të titullarëve të SPAK-ut, apo i BKH-së. Argumentoj se është pikërisht ky model që i jep garanci dhe integritet këtyre institucioneve në përmbushjen e detyrave ligjore. Është e qartë së përcaktime të tilla janë sanksionuar në kushtetutë ose në ligjet organike të tyre. Por, kur vjen fjala për policinë e shtetit, në të gjitha rastet e ndryshimeve ligjore të saj, që nuk janë pak, pasi për këto dekada është miratuar e ndryshuar disa herë ligji organik, ende nuk është arritur që të sanksionohet dhe të instalohet modeli i procesit të konkurimit për të caktuar titullarin. Në këto kushte, gjithsecili mund të sjellë argumenta se një institucion i sigurisë publike që ka shumë impakt social për shkak të kompetencave ligjore, e ka lehtësisht të cënueshme integritetin dhe pavarësinë profesionale të saj nga nivele eprore, që natyrshëm janë të politizuara. Në fakt, instancat eprore në momentet e emërimit të këtij posti bëjnë një “konkurim” në tavolinë, duke vlerësuar anën dokumentare dhe opinionet rreth kandidatit. Çështja shtrohet që pse nuk bëhet publik ky vlerësim, për të njohur dhe kuptuar se cilat janë vlerat reale të kandidadit dhe atij t’i jepet mundësia të shpalosë idetë dhe projektet e tij? Duke vepruar në këtë mënyrë, shpesh i lihet shteg nepotizmit, fshihen edhe pa dashje anët jo pozitive të kandidadit, duke krijuar pamjen e një kandidadi pa merita dhe të “kapur” nga eprorët, i cili do të detyrohet të bëjë konformistin dhe do i shërbejë me zell këtyre të fundit. Duhet pranuar se me gjithë zhvillimet e deritanishme për shkak të reformave social-ekonomike në tërësinë e tyre, institucionet shtetërore kanë shumë për të bërë në drejtim të forcimit të kulturës për zbatimin e ligjeve dhe pandëshkueshmërisë, të luftës ndaj fenomeneve gërryese si korrupsioni, trafiqet, përmirësimit të etikës dhe profesionalizmit në shërbimet publike që ofron administrada shtetrore etj., Nga kjo pikpamje, forcimi i integritetit të institucioneve publike, në rastin konkret të policisë së shtetit nga ndërhyrjet e ekstremeve të politikës për të zgjidhur interesat e ditës apo për ta përdorur atë jashtë kritereve ligjore, mbetet detyrë e ligjvënësit pse jo edhe e vetë organizatës së policisë. Mungesa e aplikimit të procesit të konkurimit për postin e titullarit të policisë ka bërë që çdo kush që e ka kryer këtë detyrë, nuk ka arritur të shpalosë idetë apo aftësitë e tij nominale, ku përpara organizatës dhe publikut të deklarojë objektivat, synimet dhe rezultatet. Shumica e titullarëve të këtyre tre dekadave në një formë apo në një tjetër, kanë hyrë e kanë dalë nga ky post me bllok në sqetull me obligimin e vetëm për të bërë detyrat e përcaktuara nga eprori. Vetëm në fushën e politikave të personelit, edhe pse ata kanë kompetenca ligjore, pothuajse emërimet, shkarkimet, lëvizjet e niveleve të larta qëndrore e vendore janë përcaktuar nga eprorët e titullarëve të policisë së shtetit, duke mos arritur të shprehin lirshëm vullnetin dhe autoritetin e tyre, apo interesat e organizatës. Ka pasur titullarë që kanë përjetuar pasojat e praktikave të tilla, pasi kanë vepruar “nën urdhëra” edhe pse kanë ndjerë nga afër pakënaqësi apo cënimin e normave të ecurisë së karrierës dhe të ecurisë së gradave policore. Dukej si për të qeshur humori që bënte dikur një titullar i ministrisë së rendit kur thoshte se: “në këtë ministri, dy funksione janë, unë dhe pastruesja, të tjerët e kanë emrin me laps”. Ndoshta jo gjithnjë, por në të vërtetë kështu ka ndodhur. Vendosja e titullarit në disa raste në shkelje të kritereve ligjore, emërimet, shkarkimet, lëvizjet etj., të funksioneve të larta  policore, pa pyetur, pa transparencë  dhe pa marrë në konsideratë të paktën për formalitet, nevojat e brendshme të organizatës  së  policisë, stadin aktual të vet zhvillimit të saj, vlerat dhe meritat e individit, etj., krijojnë si pakuptuar klimën e cënueshmërisë së integritetit të titullarit, e për pasojë dhe të fryteve të punës së tij apo të pritshmërisë së publikut për çështjet e sigurise publike. Cënimi që i bëhet procesit të emërimit duke anashkaluar vlerat nominale, aftësitë e të qënit lider, pasi këto indikatorë dalin në pah vetëm nëpërmjet konkurrimit, sjellin pasojë dhe cënimin e autoritetit të titullarit. Shumë titullar në stilin e punës së tyre duke e ditur mirë në ndërgjegjen e vet mënyrën se si është emëruar, sepse nuk i është nënshtruar konkurimit publik, apo duke mos mbajtur afër forume kolegjiale, në vendimmarrje kanë çeduar, pasi kanë qënë të dyzuar midis interesave të detyrës dhe interesave të eprorëve të tyre, ku këta të fundit lehtësisht për shkak të funksionit dhe maxhorancës nga vijnë, i japin përparësi përfomancës dhe propogandës politike apo prioriteve të çastit. Edhe më parë kam argumentuar se, nga modeli aktual për caktimin e titullarit me teorinë e ecurisë në gradë mund të përfitojnë titullar me integritet dhe të pavarur, është jo i suksesshëm dhe jo frytdhënës, aq më tepër për problematikat e sotme të sigurisë publike. Tashmë është vërtetuar se ky model nuk prodhon titullar me integritet të lartë, në mjaft rast mbulohen paaftësitë e tij si dhe lidhjet miqësore apo aferat me klasën politike ose më gjerë. Ky model ka dhënë mundësinë e bërjes së manipulimeve për ecurinë në gradë duke shkelur standardet, aq më tepër që krijon frymën e mosbesimit institucional dhe klimën e përçarjes.

Titullari i prodhuar nga ky model vizatohet si një teknokrat zyre, ku më shumë i jepet përparësi nocioneve formale të marrdhënieve të punës, shifrave të fryra, e propogandës, sesa arsyetimit, llogjikës, analizës, profesionalizmit dhe metodave të punës në grup etj. Janë pikërisht këto hapësira që lejon ky model emërimi, që në praktikë apo në mediat e shkruara flitet për titullarë të implikuar në aktivitetet kriminale ose kanë lejuar lehtësisht mbylljen e syve dhe të veshëve para fenomeneve të korrupsionit brenda rradhëve të organizatës. Mjafton të shikohet praktika e disa institucioneve brenda vendit, psh, pak kohë më parë nëpërmjet procesit të konkurrimit u bë emërimi i prokurorit të përgjithshëm. apo i kryetarit të gjykatës së lartë. Pavarësisht se ato janë organe kushtetuese, kanë në themel modelin e konkurimit, që garanton integritetin në ushtrimin e përgjegjësive nga ana e titullarëve të tyre. Ishte fantastik fakti që për shkak të ligjit të arsimit të lartë, për herë të parë në historinë e arsimit policor në muajin korrik të këtij viti u realizua zgjedhja e rektorit të Akademisë së Sigurisë. Morën pjesë pothuajse i gjithë stafi mësimdhënës e administrativ e në mënyrë të veçantë shprehën vullnetin e tyre studentët. Nëpërmjet një procesi tepër demokratik, ligjor e transparent u zgodh titullari i arsimit policor, i cili dhe u dekretua nga Presidenti i Republikës. Ky model ligjor jo vetëm ka legjitimuar titullarin e structures, por çdo anëtar i stafit akademik ka detyrimin moral dhe e ndjen tepër ndryshe përgjegjësinë e realizimit të detyrës së vet. Ky proces pati efektin e tij dhe në procesin e akreditimit të institucionit të AS. Sanksionimi në ligj i procesit të konkurimit për emërimin e titullarit për këtë subjekt publik, do të sjellë ndryshime të mëdha në jetën e brendshme të organizatës, në krijimin e klimës së besueshmërisë, dhe të qartësisë për realizimin e detyrës ligjore. Procesi konkurues, çdo anëtari të organizatës do t’i jepte mundësinë të marrë pjesë në diskutime, të shprehë lirshëm opinionin e tij dhe nuk do të vërë në dyshim transparencën, aftësitë dhe vlerat e fituesit. Ky model do të rrisë cilësinë profesionale të organizatës, egon nominale dhe punën në grup për të rritur rezultatet në detyrë dhe besimin e publikut. Vetë titullari, nuk është më një nëpunës i caktuar nga të tjerët, por do të ketë krenarinë e të qënit fitues dhe nëpërmjet projektit të konkurimit, do të luftojë për të arritur sa më mirë synimet e tij. Ai do të ndjejë nga afër forcën e integritetit, të pavarësisë në vendimmarrje dhe të punës me kolegët e strukturat kolegjiale. Fituesi i procesit të konkurimit do të jetë i qartë në ndërtimin e strategjisë dhe në përcaktimin e rrugëve për realizimin e saj. Ai do të ketë pavarësi në zgjerimin e subjekteve bashkëpunues brenda vendit, do të jetë aktiv në forumet ndërkombëtare, do të dijë mirë përcaktimin e nevojave, të fondeve financiare, të burimeve njerëzore, për mjete e pajisje e deri në çështjet e edukimit arsimor të organizatës. Fituesi do të ndjejë nga afër nevojën e llogaridhënies para organeve shtetrore dhe para organizatës për realizimin e objektivave duke qënë transparent për arsyet pro dhe kundër në përmbushjen e përgjegjësive të tij. Forcimi i integritetit të titullarit nëpërmjet procesit të konkurimit nuk zbeh obligimet ligjore të tij para eprorëve të çdo niveli qofshin. Përkundrazi, ai do të jetë më i vendosur dhe më i saktë për t’i kuptuar dhe realizuar ato. Një titullar i dalë nga procesi i konkurimit është shëmbull për të tjerët, merr vlera të drejtëpërdrejta të liderit dhe ndikon dukshëm në krijimin e kushteve dhe të klimës miqësore në punë duke motivuar vartësit dhe strukturat për të ardhur me humor dhe të angazhuar në detyrë. Jo më kot ka dalë shprehja që “institucioni shpesh merr fytyrën e titullarit me të mirat e të këqiat e tij”. Në modelin e konkurimit për zgjedhje të titullarit, grada policore është vetëm një tregues nominal i individit, që flet për nivelin që ka arritur në karrierë, por jo indikator kushtëzues për fitimin e postit të liderit. Gjithsesi, është e qartë që pranimi në parim i këtij modeli, kërkon kompozim tjetër ligjor nga ai që është aktualisht.