Pajtim Xhelo: Masakra e nazistëve gjermanë në Vlorë në vjeshtën e vitit 1943

79
Sigal

Si u rrëmbyen 600 burra të pafajshëm, që u dërguan në kampet famëkeqe hitleriane të përqendrimit, prej nga nuk u kthyen kurrë

“Në 25 tetor-6 nëntor 1943, në një aksion të organizuar në mënyrë të përkryer, natyrisht, të ndihmuar nga bashkpunëtorët e tyre dhe tradhëtarët e kombit, gjermanët kryejnë një akt të paprecedentë për Shqipërinë. Rrëmbejnë në mënyrë rrufe, dhe pa ndonjë arsye të dukshme, pa dhënë shpjegime, mbi gjashtëqind qytetarë vlonjatë, i hipin në kamionë të mbuluar dhe që nga ato momente, ata burra nuk u panë më. Këta burra u zhdukën në kampet e vdekjes së Gjermanisë naziste Mathauzen, Aushzvic, Prishtinë.”

Në këtë botë nuk vimë me dëshirën tonë dhe nuk largohemi me dëshirë. Na sjell të gjithëve dashuria dhe na merr harresa e jetës, pasi kemi kryer detyrimet ndaj vetes, familjes, shoqërisë, qytetit ku lindëm dhe u rritëm, Atmmëdheut dhe Kombit. Ndodh që rrugëtimi ynë ndërpritet, ashtu si u ndërpre edhe rrugëtimi i atyre 6oo burrave vlonjate në vjeshtën e vitit 1943 nga nazistët gjermanë dhe bashkpuntorët e tyre tradhtarë të Kombit. Në fund të fundit jetën secili prej nesh ia ka borxh Nderit dhe Lirisë. Nëse Nderi dhe Liria e kërkojnë atë, do ta kenë pa kushte. Atmmëdheu është një shtrat i përjetshëm ku rrjedh lumi i një Kombi të Lirë. Nëse ky lumë thahet, si pasojë nuk flitet për Komb, as për liri. Po a ka kuptim jeta e një Kombi pa liri? Kurrë. Ky është edhe motivi përse dëshmorët e çdo kohe për Lirinë dhe për Kombin, janë të përjetësuar në Kujtesën e Kombit. Ashtu si janë të përjetësuar edhe ata 600 burra vlonjate, 80 vite më parë, në vitin 1943, të cilët, jo vetëm Vlora, por edhe gjithë Shqipëria duhet t’i përkujtojë dhe t’i nderojë. Ne përcjellim në breza Kujtesën e Lavdishme të Kombit, pa të cilën nuk mund të ketë vijimësi. Nëse ne i kujtuam dhe i nderuam, këtë gjë duhet tua edukojmë brezave të rinj. Gjithçka duhet të mbetet si pema e ullirit, që nuk është kurrë pa gjethe, që duket e gjelbër përjetësisht. Kjo do të na mbajë në rrugëtimin e ndritur të kohës. Në 25 tetor-6 nëntor 1943, në një aksion të organizuar në mënyrë të përkryer, natyrisht, të ndihmuar nga bashkpunëtorët e tyre dhe tradhëtarët e kombit. Gjermanët kryejnë një akt të paprecedentë për Shqipërinë. Rrëmbejnë në mënyrë rrufe, dhe pa ndonjë arsye të dukshme, pa dhënë shpjegime, mbi gjashtëqind qytetarë vlonjatë, i hipin në kamionë të mbuluar dhe që nga ato momente, ata burra nuk u panë më. Këta burra u zhdukën në kampet e vdekjes së Gjermanisë naziste Mathauzen, Aushzvic, Prishtinë, Maqedoni etj. Për të thënë të vërtetën, kjo ishte një nga masakrat më të rënda të nazistëve gjermanë në luftën e dytë botërore në Shqipëri, pasuar nga masakra e 4 shkurtit 1944  të ndodhur në Tiranë, ku brenda një nate u vranë 84 vetë, si edhe masakra e Borovës, ku gjermanët vranë 106 banorë të këtij fshati. Për hir të së vërtetës duhet të themi se; ndërsa për 4 shkurtin e Tiranës dhe për masakrën e Borovës u fol aq sa duhej dhe u trajtuan si e meritonin, për ngjarjen e paprecedent të Vlorës, në një fare mënyre u hesht, nuk u fol sa duhet. Lufta ka ligjet e saj, të shkruara dhe të pashkruara. Në një përplasje ose do vrasësh, ose do të vrasin, por e keqja më e madhe është kapja rob, mbajtja peng dhe e keqja akoma më e madhe ishin kampet e përqendrimit të gjermanëve në luftën e dytë botërore, ku me mijëra e mijëra të internuar u përdorën si kavje laboratorësh gjigantë. Me ta u eksperimentuan përvoja antinjerëzore, nga më makabret, duke nisur që nga stërmundimet fizike dhe psikologjike, torturat më të padëgjuar gjatë gjithë historisë njerëzore, siç qe ajo e vdekjes së ngadaltë si pasojë e mosushqyerjes për ditë të tëra, mos kurimit të sëmundjeve për të provuar kundërveprimin e organizmit në kushtet e konsumimit të kalorive në punë të rëndë dhe mos zëvendësimi i tyre e plot krime të llahtarshme, deri në djegien masive në furrat e trupave, për të zbatuar një nga teoritë e Maltusit dhe të disa kriminologëve të Hitlerit. Në luftë e di që mund të vdesësh dhe vdekjes i jemi borxhli, por vdekja e ngadaltë, të cilën e përjeton çdo çast, çdo ditë, çdo javë, derisa të japësh frymën e fundit, kjo është krimi më i tmerrshëm, më i papërfytyrueshëm ndaj një gjallese, jo më pastaj, ndaj një qenieje superiore, me arsye dhe vetëdije, siç është njeriu. E them këtë për të përforcuar të Vërtetën e Madhe, që ata që dhanë jetën në Kampet naziste të përqendrimit, duhen vlerësuar dhe nderuar disa herë më tepër se ata që u vranë në beteja. Kjo vlen edhe për 600 burrat vlonjatë, që përjetuan torturat më çnjerëzore në ato kampe të vdekjes me tmerr. Përse pikërisht gjermanët e bënë këtë masakër në Vlorë vetëm tre muaj pasi pushtuan Shqipërinë?

Kishte disa arësye:

1..Dhe do të thosha kryesorja. Vlora, në krahasim me qytetet e tjera të Shqipërisë ishte dhe mbeti vatra kryesore e Luftës Antifashiste Nacionale Çlirimtare. Vlora kishte qenë pararoja e qëndresës kundër pushtimit Italian që në muajt e parë të pushtimit të vitit 1939, Vlora ishte qyteti me Bazat më të fuqishme dhe të mirorganizuara të Lëvizjes Nacional çlirimtare dhe njësitet më vepruese guerrile kundër pushtuesit. Vlora ishte djepi i Luftës për Liri dhe për këtë gjermanët ishin të mirinformuar.

2.. Pas kapitullimit të Italisë Fashiste, kur erdhën gjermanët, tashmë Lufta Nacional Çlirimtare ishte e organizuar në mënyrën më të mirë duke e krahasuar me fillesat e saj.Tashmë ushtria Nacional Çlirimtare ishte një ushtri me përvojë në të gjitha drejtimet dhe kjo përbënte një rrezik real për gjermanët, të cilët kishin bërë një propagandë të madhe për të pakësuar ose ulur ndjeshëm rezistencën e popullit shqiptar, duke përdorur forma nga më të rafinuarat, duke e shpallur Shqipërinë Etnike ose natyrale, duke i dhënë asaj Pavarësinë, duke deklaruar se Hitleri e shihte Kombin Shqiptar si të barabartë me racën ariane e të tjera. Po, ndërsa gjetiu kjo propagandë mbase edhe bëri pak punë, në Vlorë, kësaj propaganda nuk i mori ujë lopata. Mos të harrojmë që ishte fill pas punës së madhe që u bë për largimin e fraksioneve dhe kësisoj Ushtria Nacional Çlirimtare ishte më e fortë në qëllimin e saj për të luftuar deri në çastet e fundit kundër okupatorit. Mos të harrojmë këtu edhe Betejën e Drashovicës, me të cilën Vlora ia dha përgjigjen fasadës fallco të qëllimeve paqësore të Hitlerit me Shqipërinë.

“Ishte një masakër e paprecedentë, që kryhej vetëm në Vlorë, dhe pa ndonjë arsye madhore, që të kishte lidhje me kohën në të cilën ndodhi. Hipotezat, se përse gjermanët u treguan kaq mizorë me qytetin e Vlorës, janë të shumta, ende dhe sot, historiografia nuk e ka arsyen e vërtetë që solli masakrën që njihet me emrin “600 e Vlorës”

3..Sipas raportimit të komandantit lokal gjerman Jaquet, Komandës së Lartë Gjermane, 60 – 70% të familjeve vlonjate janë të lidhura me luftën dhe përkrahin komunizmin. Po sipas këtij raportimi, komunistët shpërndanin parreshtur trakte që të bashkonin popullin rreth Luftës Çlirimtare. Po sipas këtij raportimi Komunistët kishin planifikuar të organizonin një kryengritje massive kundër pushtimit. Edhe ky rrezik që ndjenin gjermanët, do shtuar në arësyet e masakrës së Vlorës.

4..Nuk do harruar fakti që Hitleri, para se të vinte në Shqipëri, ishte i mirinformuar për psikologjinë e këtij kombi, zakonet dhe traditat e tij deri në ato krahinore. Kësisoj, Vlora në këtë njohje ishte qyteti ku qe shpallur Pavarësia, qyteti që kish kundërshtuar me armë Italinë dhe planet e Europës për Shqipërinë e sidomos për Vlorën pas luftës së parë botërore.

Në disa dokumenta të asaj kohe që më vonë ranë në duart e shqiptarëve, thuhej: “ Është një krahinë e quajtur Labëri. Thonë që në shtëpitë e tyre, në dhomën e mysafirëve dyfekët janë të varur në mure, pranë oxhakut dhe se fëmijët i mësojnë të përdorin atë që fare të vegjël. Thuhet se edhe në dasma ata qëllojnë me pushkë. Thuhet se kur lind djalë, babai i fëmijës qëllon me pushkë. Thuhet se në luftë, krahas burrave, atje luftojnë edhe gratë.

5.. Nuk mund të nënvlerësohet edhe fakti që Vlora kish pritur, mbrojtur dhe strehuar hebrejtë, që kur ata u përzunë nga Spanja, gjatë pushtimit turk ( mbase edhe para tij).

6..Njera nga arsyet mendoj se duhet të ishte edhe katër intelektualë vlonjatë, që kishin studjuar në Vjenë dhe Gjermani. Në prani të gjermanëve, ata i thirri prefekti i asaj kohe i Vlorës, Vizhdan Risilia, i cili nuk tregoi të vërtetën, përse duhet të ishin të dobishëm gjatë  hartimit të listave. U tha se duhet të regjistrohej popullsia e Vlorës, sipas gjinisë. Në fillim do të evidentoheshin meshkujt mbi 18 vjeç.

Tre nga ata nuk pranuan, duke pretenduar se nuk e zotëronin mirë gjuhën gjermane. Vetëm njeri pranoi. Ai u adresoi edhe dy të tjerë. Ata të tre që nuk pranuan të bashkëpunonin u internuan ndër të parët. Midis tyre ishte edhe dhëndri i gjyshit tim, Sabri Amati, i cili u internua bashkë me të kunatin, xhaxhain tim, Mahmut Xhelo. Pa diskutim, përgjegjësi kryesor i asaj masakre ishte Vizhdan Risisli, duke u ndihmuar edhe nga i vëllai, Enver Risilia. Por ajo që do të kulmonte në ditët midis 25 tetorit dhe 6 nëntorit 1943, kishte filluar disa ditë më parë. Sipas një raporti të detajuar të komandës Gjermane, në datën 10 tetor 1943, flitet për një tjetër operacion kundër komunistëve. Komandanti lokal gjerman për Vlorën, majori Jaquet, komandant i batalionit I të regjimentit të 54-t të gjuajtësve alpinë, i raporton hollësisht shefit të shtabit të përgjithshëm të Korparmatës së 21-të malore, kolonelit Kaulbach, për gjendjen e përgjithshme që ekzistonte në qytetin e Vlorës. Sipas raportimit të komandantit lokal, mësohet se Partia Komuniste, përfshinte rreth 60-70% të krejt popullsisë së këtij qyteti. Partia Komuniste, me anë të shpërndarjes gjerësisht të trakteve dhe ngjitjes së afisheve nëpër mure, u bëri thirrje tregtarëve për bojkotim, duke ndezur kësisoj një luftë të brendshme në këtë qytet, e cila do të kurorëzohej me një kryengritje kundër gjermanëve, nga mesi i tetorit. Plaçkitjet dhe vjedhjet, në depot e armëve të municionit dhe veshmbathjes së ushtrisë italiane, dhe në stacionet e spitaleve ushtarake, kryheshin në mënyrë të planifikuar, dhe në shkallë të gjerë. Duke ditur se çdo ditë po tërhiqeshin trupa gjermane nga kjo zonë, mendonin se deri nga mesi i tetorit, do të arrihej një dobësim i trupave gjermane në Vlorë dhe rreth saj. “Sjellja korrekte e gjermanëve në Vlorë u mor si dobësi” – do të shkruante ndër të tjera në raportimin e vet nga Vlora, komandanti gjerman lokal. Ndikuar nga kjo situatë, e cila vlerësohej alarmante për qetësinë dhe sigurinë e trupave gjermane, u vendos që të ndërmerrej një operacion spastrimi kundër komunistëve, arrestimin e udhëheqësve të tyre, me qëllim parandalimin e një kryengritjeje kundër ushtrisë gjermane. Operacioni gjerman filloi më 10 tetor 1944. Për realizimin e këtij operacioni, u vendos të rrethohej i gjithë qyteti. U bllokuan të gjitha rrugët dhe daljet nga qyteti, u vendos patrullimi 24 orë në qytet, me qëllim mosdaljen e banorëve nëpër rrugë. Për bastisjen e mirëfilltë, u caktuan 8 grupe, nga një grup për çdo lagje, ku çdo grup përbëhej nga 20 deri në 25 ushtarë. Në ditën e operacionit të bastisjes, qyteti ishte bllokuar nga brenda dhe jashtë, duke filluar nga ora 4 e mëngjesit. Në orën 4, u zhvillua bisedimi i fundit në komandaturën lokale. Çdo grup kishte një listë të udhëheqësve të Partisë Komuniste, që duheshin arrestuar. Në orën 4.30, grupet gjermane u nisën menjëherë në të njëjtën kohë në lagjet e veçanta të caktuara, dhe filluan me arrestimet e udhëheqësve komunistë sipas listës. Një pjesë e komunistëve që u arrestuan, të cilët ishin futur në krevat me revolver të ngarkuar, me pushkë të ngarkuar dhe me bomba dore, bënë rezistencë, por kjo rezistencë e tyre u thye me shpejtësi dhe në mënyrë energjike. Shtëpitë e personave që do të arrestoheshin, në mënyrë të planifikuar u rrethuan, kështu që ishte e pamundur të iknin. Udhëheqësit e grupeve hynë në këto shtëpi bashkë me 3-4 ushtarë, nga më të fortit, arrestuan komunistët dhe bënë një kontroll të hollësishëm të shtëpive, nga bodrumi deri në çati, për të kërkuar municion, armë dhe plaçkë tjetër të zënë italianëve. Në këtë mënyrë u zu një depo e madhe armësh dhe municioni, me armë dore të rënda e të lehta, rreth 3 ton municion dhe sasi të mëdha veshmbathjesh dhe pajisesh italiane, si edhe materiale mjekësore. Aksioni përfundoi rreth orës 8.00. U arrestuan gjithsej 393 vetë. Mbas një kontrolli të hollësishëm të të gjithë të arrestuarve, me ndihmën e përkthyesve, në bazë të të dhënave të autoriteteve u mbajtën 106 komunistë, tek të cilët u gjendën armë dhe municion. Komunistët që u mbajtën, u futën në burgun civil të qytetit dhe të nesërmen u dërguan në Semlin, afër Beogradit. Gjatë një kontrolli të të sëmurëve në spitalin civil, u zbuluan 6 partizanë të plagosur. Në zyrën e spitalit civil, të fshehura mbrapa akteve, u gjendën revolverë, municion gjerman dhe italian, si dhe bomba dore. Me këtë ndërhyrje të befasishme, u arrit që të zbulohen dhe arrestohen të gjithë udhëheqësit kryesorë të pranishëm në qytet. Në këtë mënyrë, u krye plotësisht detyra, dhe u ndalua kryengritja e planifikuar e Partisë Komuniste. Në kujtimet e tij, Rrahman Përllaku, komandanti i njësiteve guerile të qytetit për kohën, i cili nuk u arrit të kapej nga operacioni gjerman, rrëfen kështu për operacionin e datës 10 tetor 1943: “Më datën 10 tetor 1943, bëhet shtet-rrethimi i Vlorës dhe kontrolli i rreptë në të gjitha familjet e dyshuara për pjesëmarrje në Luftën Nacional-Çlirimtare. Gjermanët janë shoqëruar dhe orientuar nga eksponentë të Ballit Kombëtar, për arsye se xhandarmëria e kishte humbur besimin e gjermanëve, dhe kjo në veçanti, pasi komandantit të xhandarmërisë së Vlorës, major Engjëll Vaso, i kishin gjetur një letër për Rrahman Dibrën (Përllakun). Në këtë aksion, – vazhdon rrëfimin e tij Rrahman Përllaku, – Engjëll Vason e internuan në kampet gjermane. Kontrolli i rreptë, u bë në bazat e dyshimit, sepse me Ballin, deri në ato momente ne ishim në bashkëpunim të hapur dhe e njihnim mirë njëri-tjetrin. Unë kujtoj arrestimin e rreth 400 vetëve, por edhe një ngjarje të asaj kohe, kur 17 veta nga 106 personat, janë pushkatuar në Resnjë të Ohrit, gjatë rrugës për në internim. Kjo, sepse njëri nga të arrestuarit, Miço Jemini nga Tërbaçi, u hodh nga kamioni për të shpëtuar, por e kapën. Për të bërë shembull, gjermanët morën nga një person për çdo kamion, 17 në total, dhe i pushkatuan në vend.

Nga grupi prej 106 vetësh, mbaj mend se janë kthyer vetëm katër vetë, të tjerët mbetën aty”, – e përfundon kujtimin e tij për ngjarjen, ish-komandanti i njësiteve guerile për Vlorën e vitit 1943. Operacioni i spastrimit të 10 tetorit 1943, i shton edhe më shumë radhët e viktimave vlonjate nga reprezaljet naziste dhe bashkëpunëtorët e tyre. Gjermanët nuk do të ndalen vetëm me operacionin e datës 10 tetor. Si menduan se mbaruan punë me komunistët , disa ditë më vonë, e pikërisht në 25 tetor, do të nisin një tjetër operacion ndëshkimi për familjet vlonjate, i cili do të vazhdojë deri në datën 6 nëntor. Operacioni 10 ditor, i kaloi të gjitha parashikimet. Me ndihmën edhe të të besuarit të tyre në Vlorë, Vizhdan Risilia, ata do të rrëmbejnë qytetarë të tjerë të Vlorës. Në situatën e re, detyra kryesore ishte vendosja nën kontroll e qytetit, dhe rajonin e trazuar, trazim, i cili në nëntor 1943-shit ishte bërë acarues. Sulme nëpër fshatrat e Vlorës ndaj gjermanëve, atentate e aksione në qytet. Në skenën e madhe evropiane të Luftës, fitorja kishte nisur të anonte qartazi nga njëra palë, dhe ata nuk ishin gjermanët. Gjëja e fundit që nazistët kishin nevojë në këto rrethana, ishte pamundësia për të tërhequr trupat drejt veriut, në rast nevoje. Qytetarët do të rrëmbeheshin kudo ku ata gjendeshin, në shtëpi, në rrugë, lokal apo mjedise të ndryshme, pa asnjë lloj shpjegimi. I hipnin në kamionë të mbuluar, e pasi i grumbullonin në kazerma të ngritura jashtë qytetit, i nisnin për në kampet gjermane të përqendrimit. Për nga numri i popullsisë, numri i të internuarve nga qyteti i Vlorës, është më i madhi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë sesa kaq. Ishte një masakër e paprecedentë, që kryhej vetëm në Vlorë, dhe pa ndonjë arsye madhore, që të kishte lidhje me kohën në të cilën ndodhi. Hipotezat, se përse gjermanët u treguan kaq mizorë me qytetin e Vlorës, janë të shumta, ende dhe sot, historiografia nuk e ka arsyen e vërtetë që solli masakrën që njihet me emrin “600 e Vlorës”. Gjithsesi, edhe pse është tejet e rëndë përsa i përket numrit të viktimave, masakra e kryer midis datave 25 tetor – 6 nëntor 1943, është një tjetër sakrificë e popullit të Vlorës, në Luftën e Dytë Botërore, si qyteti e krahina që bashkë me peshën, që mbajtën në luftën kundër pushtuesit, kanë regjistruar edhe numrin më të madh të të rënëve në Luftë për çlirimin e atdheut. Lavdi atyre që dhanë jetën dhe mbetën si gurë themeli për ngrehinë e shenjtë të Kombit shqiptar! Respekt për familjet që humbën këta bij atdhetarë!